Vllaznia drejt rënies, tifozët protestë para Bashkisë, Tërbuni kërkesë në FSHF

15 Maj 2018, 16:24

Situata që po kalon Vllaznia është dëshpëruese për tifozërinë shkodrane, e cila e ka përjetuar si tragjedi faktin se ekipi me shumë mundësi në sezonin e ardhshëm do ta shohë veten larg elitës së futbollit shqiptar.  Ndaj mbështetësit kuqeblu kanë marrë situatën në dorë dhe duan të tregojnë pakënaqësinë e tyre me një tubim të organizuar para Bashkisë së qytetit të Shkodrës, ditën e premte, në orën 12:00. Bashkia akuzohet se ka keqadministruar klubin.

Nga ana tjetër, klubi i Tërbunit të Pukës i ka dërguar FSHF një kërkesë zyrtare për zbatimin e rregullores së Play-Out. Në rast rrëzimi matematikor të Vllaznisë nga kategoria Superiore, atëherë edhe ekipi satelit i saj, Vllaznia B, do t’i duhet të shkojë një kategori më poshtë, pasi nuk mund të luajnë në një ligë.

Vllaznia B, ka siguruar play-out që i bie të luajë më Orikumin e Kategorisë së Dytë. Ndërkohë Tërbuni kërkon të zbatohet rregullorja. Të shtyhet ndeshja, dhe në qoftë se Vllaznia bie nga kategoria, atëherë Tërbuni, që për momentin ka rënë në Kategori të Dytë, të luajë në play-out.