Vrasja në Bllok, arrestohet në operacion sekret Fabjol Alushi, miku i komandos që vrau truprojën e Martinajt

13 Dhjetor 2018, 20:33

TIRANË-Pas më shumë se dy muajsh në arrati është arrestuar nga policia Fabjol Alushi. 42-vjeçari banues në Tiranë, mik me Ervin Matën, që është i dashuri i Elvana Gjatës dhe Merviol Bilon, komandoja që vrau truprojën e Ervis Martinajt  është prangosur mbrëmjen e djeshme në një operacion sekret nga policia, ndërsa akuzohet për vrasje, vrasje e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Sipas videos që Report Tv ka transmetuar ekskluzivisht (shiko këtu) Alushi është i fundit që del nga grupi i Ervin Matës dhe nuk dallohet që të ketë armë në dorë.

Fabjol Alushi ishte në grupin e Matës dhe Bilos në momentin që ndodhi përplasja me Ervis Martinajn në Bllok. Nga ngjarja në datë 4 tetor në Bllok u vra, Fabjan Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj e Eljo Hato (lexo këtu). Ndërkohë që në kërkim vijojnë të jenë Ervin Mata, që dyshohet se është arratisur jashtë vendit, Merviol Bilo, i cili sipas burimeve të Report Tv i ka shpëtuar një operacioni policor pak ditë më parë, biznesmeni Eldi Dizdari edhe ish-polici Santiago i cili mbrëmjen e 4 tetorit hyn dhe del lirisht nga lokali "Monopol" dhe në kokë mban kapele.

Në datë 25 nëntor u dorëzua Ajaks Boshnjaku, miku i Ervin Matës, ndërkohë që në datë 27 nëntor u lirua nga burgu pas arrestimit Geldo Hoti, që ishte pjesë e grupit të Matës. Pronari i lokalit në Bllok, Redi Popescu u la nga gjykata në masën ‘arrest shtëpie’ në datë 23 tetor pas arrestimit. Ai dyshohet se fshehu pistoletën e Ervis Martinajt.

Ndërkohë që Ervis Martinaj ndodhet në arrest me burg pa afat, pasi përpos akuzave për ngjarjen në Bllok akuzohet edhe për pastrim parash (lexo këtu). Nga zbërthimi i mesazheve telefonike të Martinajt nga ekspertët izraelitë, rezulton se ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në këtë ngjarje (lexo këtu). Shkak i përplasjes me armë zjarri në Bllok fillimisht u dyshua se ishte sherri për një ngacmim ndaj këngëtares Elvana Gjata, e cila është e fejuara e Ervin Matës, por rezulton se arsyeja kryesore ka qenë prishja e pazareve të drogës.