Vrasja në Nikël nxjerr parcelën me kanabis, përgjimet: Më jep 15 mijë € për hashashin

19 Korrik 2018, 17:06

Vrasja e Kejsi Hysës në Nikël të Fushë-Krujës nuk është bërë për paratë me fajde, por për lekët e kanabisit. Bëhet fjalë për një sasi hashashi prej 50 kg që Kejsi Hysa ia kishte dhënë Hysni Ramajt për ta ruajtur. Këtë sasi droge Ramaj e ka fshehur në një pyll pranë fshatit Nikël, brenda disa shkurreve në dy bidona plastik. Por më pas hashashi nuk është gjetur aty ku është lënë dhe Kejsi Hysa i ka kërkuar Hysni Ramajt 15 mijë euro. Ramaj i ka thënë se hashashin nuk e ka shitur dhe ja kanë vjedhur, por Kejsi Hysa e ka kërcënuar vazhdimisht që ti jepte 15 mijë euro. I arrestuar Hysni Ramaj ka siguruar vetëm 1 milion lekë, por Hysa e shante dhe kërcënonte vazhdimisht për pjesën tjetër të eurove.

Por nga përgjimet dhe dëshmitë zbulohet një tjetër fakt i rëndësishëm se Kejsi Hysa është vrarë pranë një parcele me kanabis në Nikël të Fushë-Krujës, e cila ishte bërë nga Hysni Ramaj dhe Agron Tufa. Por edhe nga pamjet që ka siguruar Report TV rezulton se në vendin që u varros Kejsi Hysa, ka bimë kanabisi. Siç duket edhe nga ky plan ku dallohet një bimë kanabisi, por e gjithë kjo fushë ku u varros Kejsi Hysa, duket se ka qënë e përshtatur për kultivimin e hashashit. Tubacione për ujitjen, fuçi për ujin dhe një vend I mbuluar nga shkurret që është shpyëllzuar. Dëshmia e Hysni Ramajt që ka siguruar Report TV tregon se vrasja është bërë nga Agron tufa brenda parcelës me kanabis.

“Unë isha pas dhe e lashë Agronin dhe Kejsi të futeshin brenda parcelës. Menjëherë kam dëgjuar një të shtënë dhe jam afruar dhe kam parë Agronin me një pushkë në dorë dhe Kejsin të shtrirë në tokë tek parcela me hashash. Pasi jemi qetësuar bashkë me Agronin kemi vendosur që ta groposim Kejsin tek parcela me hashash, me veglat e punës që kishim aty. Fillimisht I morëm Kejsit orën, varësen e flrorit, 5600 euro dhe pistoletën që kishte me vete dhe pastaj e groposëm”, thuhet në dëshminë e Hysni Ramajt para hetuesve. Kejsi Hysa u vra dhe u gropos në 5 korrik nga Agron Tufa dhe Hysni Ramaj. Familja e shpalli të zhdukur, por Policia e gjeti 9 ditë më pas trupin e 34-vjeçarit, të groposur brenda parcelës me kanabis.