Vrasje mafioze në Shkodër, ekzekutohet me breshëri plumbash kunati i Lul Kullës

10 Gusht 2018, 10:32 | Përditesimi i fundit: 2018-08-10 14:25:59

Shkodër- Shkodra është tronditur përsëri nga një vrasje mafioze. I vrarë në një atentat ka mbetur 53-vjeçari Fatbardh Lici, personi që shihni në foto. Lici ishte duke pirë kafe në një lokal në lagjen Kiras në Shkodër. Dyshohet se dy persona janë afruar pranë këtij lokali mëngjesin e së premtes, njëri prej tyre ka dalë nga një makinë Mercedez Benz dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të Fatbardh Licit.

Më shumë se 10 gëzhoja janë gjetur në vendin e ngjarjes, ndërkohë që dy autorët pas atentatit, janë larguar dhe kanë djegur makinën në fshatin Dobraç. Në momentin e vrasjes në tavolinë nuk ka pasur persona të tjerë me Fatbardh Licin, ndërkohë që të shtënat janë dëgjuar dhe parë nga dhjetëra qytetarë. Autori sipas dëshmitarëve ka vepruar me gjakftohësi dhe nuk ka qenë i maskuar. Policia e ka të vështirë identifikimin e tij pasi në zonë nuk ka patur kamera sigurie. Duket se atentatorët ishin të mirëinformuar për lëvizjet e 53-vjeçarit, i cili çdo ditë pinte kafen në të njëjtin lokal. Tek makina e djegur dhe arma ekspertët shpresojnë të gjejnë gjurmë gishtash, që mund të çojnë në identifikimin e atentatorëve.

Pista kryesore e hetimeve deri më tani është hakmarrja. Kjo pasi Fatbardh Lici është një emër i njohur për Policinë. 
Lici dyshohet se në vitin 2011 ka qenë i përfshirë në vrasjen e Astrit Kurmemajt, i dënuar me 25 vite burg për disa vrasje. Ai u vra në hyrje të Rrogozhinës, gjatë periudhës që mori 3 ditë leje nga burgu i Shën Kollit ku vuante dënimin, dhe teksa kthehej për në institucionin e vuajtjes së dënimit. Ndonëse u shoqërua në komisariat, Fatbardh Lici u la i lirë pasi nuk u gjetën prova se ai kishte vrarë Astrit Kurmemajn. Pritet që hetuesit të marrin në pyetje të afërm të Astrit Kurmemajt.