Vrasjet në Lushnje / Pjesa e parë

REPORT TV transmeton në emisionin Repolitix videon ekskluzive të momentit të vrasjeve të Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës. Ngjarja ndodhi në 11 tetor të vitit të kaluar, ndërsa autorët janë Laert Haxhia dhe Orges Bilbili. Në videon e siguruar nga gazetari i Report Tv, Artan Hoxha duket momenti kur Laert Haxhia dhe Orges Bilbili, hapin zjarr me automatik në lokal duke vrarë dy të rinjtë, ndërkohë që objektivi ishte Xhulio Shkurti, që në atë moment nuk ndodhej në vendin e ngjarjes.

Pas vrasjeve, sikur duket nga video ekskluzive e publikuar në emisionin Repolitix të drejtuar nga Denis Minga, autorët i ka larguar me shpejtësi rrufe një person i tretë me një makinë tip Benz, ndërsa edhe njerëzit që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes ikin me vrap për të shpëtuar nga plumbat.

Nga ngjarja mbetën të vdekur Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Marius Xhepexhiu, pronar i lokalit ku ndodheshin dy viktimat si dhe një kalimtar. Atentati kishte lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ku është tentuar të vritet me armë zjarri nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por në rastin e dytë dështuan.