Vrau për një këngë në tallava, herën e parë dënohet me 5 vite, të dytën i pafajshëm

12 Dhjetor 2018, 14:02

Gjyqësori në Shqipëri çdo ditë e më tepër vazhdon të prodhojë vendime skandaloze, duke nxjerë të pafajshëm persona të akuzuar për vrasje. Megjithëse ka arritur të marë pafajësinë në gjykatën e shkallës së parë në Lezhë, Mariglen Përgjini, i akuzuari kryesor për vrasjen e Maltin Shtjefnit krim i ndodhur në janar 2013, rrezikon të dënohet me 20 vite burgim nga Gjykata e Apelit në Shkodër.

Katër ditë më parë prokurori i Apelit Shkodër Elvin Gogaj, lexoi konkluzjonet përfundimtare ndaj të pandehurit Përgjini, duke kërkuar dënimin e tij me 20 vite burgim për dy akuza atë të “Vrasjes me dashje” e kryer në dëm të viktimës Maltin Shtjefni dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Në kërkesën e tij prokurori Gogaj, kërkoi që gjykata në dhënien e vendimit për këtë të pandehur të mos aplikojë konvertimin e dënimit me kusht.

Ndërkohë masë dënimi prokuroria kërkoi dhe për të pandehurit Ergys Nika, Anton Toli dhe Martin Prenga, ndaj të cilëve kërkoi një dënim prej 2 vitesh burg secilin të akuzuar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. “Shqiptarja.com” mëson se i dyshuari kryesor për vrasjen e 26-vjeçarit Maltin Shtjfni në një lokal nate në Lezhë, është shpallur i pafajshëm në shtator 2016. Këtë pafajësi Përgjini ka mundur ta marrë, pasi gjykata e Apelit Shkodër në 2015 vendosi të kthejë çështjen kundër tij për rigjykim, pasi e konsideroi të padrejtë dënimin e tij me 5 vite burgim vetëm për akuzën e “vrasjes nga pakujdesia” në dëm të viktimës Maltin Shtjefni.