Zbardhet dëshmia e Hysni Ramajt: Hysa na kërkoi lekët, na shau dhe ofendoi

15 Korrik 2018, 16:22

Detaje të reja kanë dalë në lidhje me vrasjen e Kejsi Hysës në Nikël të Fushë-Krujës. Një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Hysës, Hysni Ramaj, i arrestuar nga Policia e Durrësit ka thënë para hetuesve se vrasja nuk ka qenë e paramenduar. Ramaj ka thënë në Polici se konflikti ka nisur për shkak të borxhit që dy autorët i kishin viktimës, një sasi parash rreth 8 mijë euro.

Hysa na kërkoi paratë, kishte kaluar afati. Ne s’kishim t’ja jepnim. Folëm në telefon se ishim shokë. Ai na kërcënoi se do na vriste. Na shau dhe ofendoi. U takuam në Lacc. Nga Lacci erdhëm në Nikël. Bëmë fjalë, por s’arritëm të mendonim se do arrinim në këtë pikë.

Dëshmia e Hysni Ramajt, autor i dyshuar

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se Kejsi Hysa është vrarë pas shpine. Dy autorët e ngjarjes dyshohet se e kanë ccuar viktimën tek varrezat, ku dhe e kanë vrarë, dhe më pas kanë fshehur armën e krimit tek përroi pranë varrezave.

Ditën e djeshme në fshatin Nikël të Fushë-Krujës, u gjet i groposur 34-vjeçari Kejsi Hysa. Hysa njihej nga banorët e zonës edhe si “Tik Fajdexhiu”, pasi jepte para me kamatë. I shpallur në kërkim për vrasjen e biznesmenit, Edmond Theodhori në korrik të vitit 2015, Hysa fshihej prej kohësh në një banesë në Nikël, aty ku kishte kërkuar të merrte dhe një mobileri me qira.