Zbulohet pronari i ‘Gulf’-it në Shqipëri

22 Prill 2018, 21:57

Pas kompanisë offshore që zotëronte Gulf në Shqipëri qëndron gjeorgjiani Aleksandre Gogokhia, i përfshirë në pastrim parash me ortak biznesi ish-ministrin gjeorgjian që u arrestua ndërsa udhëtonte në Shqipëri. Prokuroria shpalli në kërkim bashkë me Albano Aliko dhe administratorin e fundit të kompanisë që mashtroi shqiptarët me gati 5 milionë euro.

Pas kompanisë guackë, që zotëron shoqërinë “Gulf” në Shqipëri qëndrojnë njerëz të akuzuar për pastrim parash. Pronari i “Universal Energy group”, e cila zotëron “Sun Petroleum” dhe “Gulf” në Shqipëri, është Aleksandre Gogokhia, një shtetas gjeorgjian i përfshirë në pastrim parash.

Emri i Gogokhias u bë i njohur në vitin 2013 gjatë skandalit të korrupsionit, që çoi në arrestimin e ish-kryetarit të bashkisë te Tbilistit Giorgi Ugulava. Sipas prokurorisë gjeorgjiane ish-kryetari i bashkisë dhe Gogokhia kanë pastruar përmes kompanive offshore mbi 1.5 milionë dollarë para krimi, përmes të cilave kanë financuar fushatën e partisë Lëvizja e Bashkuar Kombëtare në Gjeorgji.