Zbuloi një gjeni 6-vjeçar, përballja fatale e mësuesit me Enver Hoxhën

9 Maj 2018, 13:15

Në një fshat të thellë të Dukagjinit, në Palaj Shosh, në vitin 1961, një mësues i ri nga Shkodra, do të zbulonte një gjeni 6 vjeçar në matematikë. 

Ai ishte një fëmijë i jashtëzakonshëm. Quhej Nikë. Ishte shtatvogël, 97 centimetër, dhe peshonte vetëm 22 kg. Kishte dy sy të mëdhenj të zinj, depërtues dhe një logjikë që funksiononte s’dihet me ç’ligje misterioze. 

Mësuesi që e zbuloi këtë fëmijë gjeni, sot jeton në Shkodër. Ai ka folur në “Dosja K”, për dhuntitë e rralla të këtij djaloshi që bënte përllogaritje matematikore me miliona, në mbledhje zbritje, shumëzime e pjestime dhe problema të një vështirësie shumë të lartë… 

“Të gjitha këto i zgjidhte përmendësh, jo me shkrim. Kishte një mënyrë origjinale të zgjidhjes së problemave”. 

Mësuesi Gjet Vocaj, kishte botuar asokohe një artikull për këtë zbulim dhe gazeta ku qe botuar, ishte lexuar me kërshëri në zyrën e vetë Enver Hoxhës.

Prej këtu, fati do ta çonte mësuesin Gjet Vocaj në një përballje fatale me diktatorin dhe pas disa kohëve të bukura eksplorime me këtë gjeni të vogël për mësuesin do të niste kalvari i persekutimit, pasi ai kishte fshehur biografinë e tij, e cila ishte e papërshtatshme për regjimin komunist.