Zhvillimi Urbanistik i Tiranës, Veliaj: Studentët do t'i trajtojmë me dinjitet

10 Dhjetor 2018, 11:58

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj është shprehur sot në seminarin për Zhvillimin Urbanistik të Tiranës sesi Bashkia e ka transformuar kryeqytetin duke investuar në zhvillimin e urbanistikës, e konkretisht edhe në gjelbërimin e mjedisit.

Duke patur parasysh protestën e studentëve kundër MAS, që po zhvillohet për të shtatën ditë radhazi, Veliaj e hapi fjalën e tij duke thënë se Bashkia e Tiranës synon që studentët të trajtohen me respekt dhe dinjitet, e kësisoj, ajo do investojë për përmirësimin e kushteve të konvikteve. Ai foli për planin dhe ndërhyrjen në Qytetin Studenti, teksa shtoi faktin se disa godina ndërkohë kanë pësuar transformime.

"Të përfitojmë nga eksperienca franko-gjermane. Në proces janë në fokus përmirësimi i kushteve në konvikte. Me rëndësi është trajtimi me dinjitet të studentëve. Ambasada e Gjermanisë ka dhënë një dorë ndihmuese  për qytetin studentit. Të bëjmë më shumë, me pak para dhe Tirana për këtë është një shembull për të gjithë qytetet e Shqipërisë. Duam të krijojmë një paketë turistike. Jam i lumtur që BE ka akorduar 94 mln euro të adresuar tek fermerët. Për disa çështje, vendet në zhvillim ne mund të kalojnë edhe vende të zhvilluara. Secili mund të mbjellë një pemë për ditëlindjen e tij, apo për  të kujtuar një gjysh apo një përvjetor martese”, tha Veliaj.

Duke krahasuar situatën aktuale me atë të pesë viteve më parë, Veliaj u shpreh se sot Bashkia e Tiranës përmes vendimeve të ndërmarra në kuadër të bashkimit të 24 njësive bashkiake ka aplikuar frazën "Bëjmë shumë, me sa më pak".