'Zonjat që bëjnë Shqipërinë'/ Antonela Hako: Si e nisa biznesin ushqimor, kur të gjithë iknin nga Shqipëria

Nga Flora Nikolla
Dhurata Hamzai

Antonela Hako për më shumë se 20 vjet, ka drejtuar financat dhe ka menaxhuar kompaninë “Hako”. Pakkush e di se pas suksesit të kësaj marke të njohur të produkteve të mishit qëndron një grua. Sot drejtuese e kompanisë, Antonela e nisi biznesin në një kohë plot trazira, kur brezi i ri kishte pak shpresa për të jetuar në Shqipëri. Prej më shumë se 6-7 vitesh, Antonela Hako ka marrë përsipër më shumë përgjegjësi. Ajo ka nisur të drejtojë edhe shitjen dhe marketingun e kompanisë. Për Antonela Hakon, sekreti i një biznesi është komunikimi sa më i afërt me burimet njerëzore, respekti për stafin me të cilin punon.  Po a është e lehtë të bësh biznes në industrinë ushqimore? Antonela Hako shprehet se është një nga bizneset më të vështira, por ajo sfidon duke e kërkuar suksesin tek kënaqësia që i jep konsumatorit shqiptar. Prandaj plot bindje dhe përgjegjësi ajo premton më shumë prodhim vendas. Dëshira për ndryshime e Antonela Hakos e ka një objektiv, “të konsumohet shqip”, siç thotë ajo, dhe këtu, nuk e ka fjalën për etiketat e përkthyera të produkteve që vijnë nga importi. Antonela Hako është një drejtuese biznesi optimiste. Edhe viti 2018 po mbyllet me investime shumë të mëdha, thotë ajo. Ka edhe sfida të tjera në jetë për Antonela Hakon. Jo pak herë ajo përpiqet të mbështesë aktivitetet kulturore dhe shtresat në nevojë. Megjithatë çdo ditë e më shumë përqendrimi i saj më i madh është në investimi për ta çuar prodhimin ushqimor në shkallën më të lartë të standardit europian.

Intervista

Antonela, cila është historia juaj profesionale? Si u futën në biznesin ushqimor, kur ju mund të zgjidhnit biznese me te thjeshta për tu menazhuar dhe më me pak rreziqe?
-Unë kam mbaruar studimet për financë-kontabilitet dhe, si të thuash, jam rritur bashkë me HAKO-n sepse historia pas përfundimit të fakultetit, ishte koha kur Shqipëria po ndryshonte dhe periudha kur po vinte demokracia dhe ne emigruam jashtë Shqipërisë. Aty sigurisht që nuk na pritën me lule, nuk bëmë ato profesione për të cilat ne kishim studiuar, unë për ekonomi-financë dhe im shoq për inxhinieri, por mësuam gjëra të reja të cilat na vlejtën për të hapur biznesin në rikthimin tonë në vitin 1994. Hapëm një dyqan fare të vogël me nënproduktet e mishit dhe me prodhimet e para modeste, duke parë edhe nevojat e tregut dhe duke e përshtatur me mundësitë që kishim neve për të plotësuar tregun. Më pas, me shumë guxim, me shumë kurajë, kaluam nga të voglat te pak më të mëdhatë, deri sa në vitin 2004 u vendosëm në ambientet ku jemi sot, në një fabrikë me ambiente moderne, me investime shumë të mira në makineri. Dhe sot me krenari mund të them që jemi një biznes i investuar, me parametra evropianë në të gjitha drejtimet. Kështu që historiku, edhe i imi si drejtuese dhe si një nga krijuesit, daton bashkë me HAKO-n. Jam rritur bashkë me HAKO-n. Për 20 vite kam drejtuar financat dhe kam menaxhuar financat në kompani. Prej më shumë se 6-7 vitesh drejtoj shitjen dhe marketingun. Më është besuar si një sektor shumë dinamik dhe që duhet të ketë kujdes të veçantë në ndjekje dhe në përkushtim. Sigurisht që çfarëdo lloj pune që kam bërë, unë besoj në punën që bëj dhe e bëj me përgjegjësi të plotë. Dhe këtë jo sepse punoj në kompaninë HAKO, por sepse realisht unë besoj te vlerat dhe e kam në edukatën dhe në parimin tim të punës që të mos paragjykoj zgjedhjet e askujt, sidomos tani që jam dhe në drejtimin e shitjeve e të marketingut. Nuk paragjykoj zgjedhjet, zgjedhjet e konsumatorëve, të klientëve apo të kujtdo prej punonjësve të mi, por sigurisht që përpiqem që vlerat dhe dashurinë me të cilat punohet dhe prodhohet, t’i përcjell natyrshëm deri te konsumatori. Dhe sikurisht që të gjithë këtë punë e bëj duke motivuar stafin dhe jam e bindur që, nëse stafi, të cilin ti e drejton, beson te vlerat, beson te prodhimi, është i menaxhuar mirë, i gjithë zinxhiri deri te konsumatori shkon natyrshëm dhe ashtu siç duhet.

Si e shihni sot prodhimin e nënprodukteve të mishit në Shqipëri?
-Industria ushqimore është e vështirë. Është një degë relativisht e re, jo se nuk ka ekzistuar më përpara dhe se ne nuk kemi pasur edukatë, por u ngrit me parametra të rinj, prandaj edhe unë e quaj totalisht të re. U ngrit me parametra të rinj që nga investimi, që nga botëkuptimi dhe nga zinxhiri e nga mënyra se si ajo duhet të ofrohet tashmë te konsumatorët. Unë mendoj që industria ushqimore dhe nuk flas këtu vepër për prodhimin e sallamerisë por edhe për prodhime të tjera, ka kompani që kanë investuar shumë mirë dhe kanë investuar me standarde shumë të larta. Sigurisht që ka vështirësitë e veta. Vështirësia e kësaj dege nuk është sepse ne nuk dimë të shesim ose nuk dimë të ofrojmë, por akoma shqiptarët nuk kanë besim te prodhimi vendës, akoma ka konsumatorë që besojnë te produktet që vijnë nga importi dhe ndërkohë nuk kemi pranë vetes edhe mediat e politikat që vërtet të na mbështesin në të gjithë këtë investim dhe me të gjithë këto ndërmarrje sepse unë e them me bindje që ne nuk investojmë vetëm te makineritë e te ndërtesat, por unë me investim kuptoj edhe të gjithë investimin në burimet njerëzore, në higjienë, në mënyrën e komunikimit dhe në mënyrën e shpërndarjes. Pra, nuk flasim vetëm për ndërtesat e për makineritë, flasim për një investim total të një kompanie.

Ju mendoni se është mosinformimi i publikut, që e bën konsumatorin shqiptar të mos ketë besim te prodhimi vendës?
-Unë kështu mendoj, që konsumatori shqiptar duhet të jetë më i mirinformuar për mënyrën se si prodhohet në Shqipëri. Thashë dhe më parë që nuk i paragjykoj, sepse i kam konsumatorët dhe klientët e mi dhe pa ata ne nuk ekzistojmë. Por ndërkohë nuk i bëj dot me faj nëse nuk janë të mirinformuar sepse për fatin tonë të keq, gjenden vetëm të metat dhe publikohen vetëm ato, kurse arritja dhe zhvillimi ngelen në planin e fundit, për të mos thënë fare.

Keni ndonjë plan pikërisht për të ndryshuar këtë mendim të konsumatorit shqiptar?
-Në fakt, ndryshimi për të ardhur lehtë dhe bindshëm te konsumatori, në HAKO ka shumë vite që është bërë. Ne jemi nga kompanitë e para që kemi ardhur natyrshëm në marketingun pa të bërtitura, duke studiuar mirë dhe mentalitetin dhe mënyrën se si duhet të vish butë dhe pa e imponuar konsumatorin për produktet që ti i ofron, duke qenë inovator dhe duke ofruar ato produkte të reja dhe të përshtatura me shijen e konsumatorëve shqiptarë, të cilët janë, për hir të së vërtetës, shumë të kujdesshëm dhe janë edhe kritikët më të mirë të produkteve, dhe nëse do që të ecësh përpara, kritika e tyre nuk duhet marrë si një dobësi ose si një hatërmbetje, por si një arsye për t’u zhvilluar dhe për të ecur përpara dhe për të përmirësuar produktet. Marketingu te ne ka qenë në një dinamizëm prej shumë vitesh, d.m.th. bëhet fjalë për 15 vite. Asnjëherë nuk ka qenë me formën që është sot, gjithmonë ka ardhur në forma të ndryshme, të përshtatura me tregun, të përshtatura dhe me mentalitetin. Në parimin e punës sonë, për disa herë kemi apdejtuar mënyrën se si ne shfaqemi dhe mënyrën se si ne e bëjmë marketingun. Nuk e shohim marketingun vetëm në një drejtim, por gjithëpërfshirës, duke filluar nga mënyra sesi trajtojmë dhe sesi komunikojmë me punonjësit tanë deri te paraqitja jonë te klienti, te mënyra sesi i paketojmë produktet, te mënyra sesi i shpërndajmë produktet, që tek uniforma e agjentëve, te mënyra e komunikimit me klientët në përcjellje të respektit që kompania ka për klientët e saj. Është një zinxhir i pafund që, nëse do të flisnim gjatë do të duhej shumë vite, aq sa dhe vite ka kompania në punë. Dhe ajo që unë mendoj se është tipar dallues dhe që duhet sot të shihet si një anë pozitive, është përfshirja në marketing e elementëve të rinj dhe e brezit të ri, të cilët sjellin risi, guxim dhe bëjnë gjëra shumë të bukura. Unë këtë e kam të provuar në kompani.

Si e shihni HAKO-n sot, duke parë tregun dhe industrinë ushqimore në përgjithësi?
-Industria ushqimore është e zhvilluar. Sot përqindja e produkteve shqiptare në treg është rritur. Dhe konsumatori di të zgjedhë, ndërkohë jo të gjitha kompanitë kanë të njëjtin standard të investimit dhe të njëjtin standard të të përcjellurit të higjienës, të komunikimit dhe të shërbimit. Prandaj është një punë shumë e madhe që nuk mund ta bëjnë individualisht vetëm kompanitë, në mënyrë individuale, por duhet të jetë më e gjerë. Ashtu si institucionet, të cilat merren me sigurinë ushqimore, ashtu edhe në bashkëpunim me bizneset që në fund fare ky treg të konsumojë shqip.

Çfarë do të donit të ndryshonit?
-Do të doja që të konsumohej shqip, pra të konsumohej prodhimi shqiptar. Duke parë ritmet e zhvillimit të industrisë dhe duke e ditur që sa shumë mundime ka prodhimi dhe sa i rëndësishëm është për ata që e prodhojnë, që mendojnë, që i kalojnë ato produktet e veta me shumë dashuri dhe gjatë gjithë kohës mendojnë sesi të bëhet më e mira dhe sesi të vijë edhe më mirë në treg, unë mendoj që te konsumatori shqiptar duhet të marrim një iniciativë që të konsumohet shqip. Dhe kur them të konsumohet shqip, nuk e kam fjalën për etiketat e përkthyera të produkteve që vijnë nga importi. Ato thjesht informojnë konsumatorin se çfarë po konsumon. Kur them të konsumohet shqip, nuk flas këtu vetëm për industrinë ushqimore, sallamerinë, qumështin, djathin, por për gjithçka sepse konsumi shqip së pari na rrit vetëvlerësimin, së dyti na bën që të fuqizohemi si ekonomi dhe së treti, unë mendoj që të konsumuarit shqip është respekt për veten dhe për vendin tënd.

E keni ju ambicien që të keni një prodhim sallamesh tipike shqiptare?
-Ne tipike i kemi. Produktet tona janë tipike shqiptare. Sigurisht që ka edhe produkte me shije pak më evropiane, të imponuara këto nga mënyra sesi u zhvillua mentaliteti dhe dëshira për të konsumuar. Mënyra e jetesës, ritmi i jetesës sigurisht që të detyron të gjesh forma dhe produkte të reja për t’iu përgjigjur kësaj mënyre jetese, d.m.th. sallameria që dikur ishte klasike e llukanikëve, e salsiçeve, e suxhukëve, sigurisht që ne e kemi sot në prodhimin tonë, por duhet të ndërthuret edhe me disa produkte të shpejta, të cilat janë produktet me feta që ndihmojnë nënat për të përgatitur ushtimin e fëmijëve për në shkollë, si edhe për gatimet e shpejta. Produktet tona tipike, sidomos kremviçet e tymosura, kanë ardhur si rrjedhojë e një hulumtimi të shijeve në treg dhe kur doli i plotë si produkt, ishte gjithçka nga shija dhe nga auditimi që ne bëmë bashkë me klientët, dhe ajo është një shije tipike shqiptare.

Të konsumuarit shqip do të thotë që t’i shpallim luftë të gjitha prodhimeve të importit?
-Të konsumuarit shqip nuk do të thotë që ne të bëjmë bllokadën e famshme të diktaturës, që t’i mbyllim rrugën çdo prodhimi tjetër sepse, sigurisht që konsumatori është i edukuar me shijet e veta dhe është i lirë që të përzgjedhë midis asaj që prodhohet këtu dhe asaj që vjen nga importi. Por është një iniciativë që pjesa më e madhe e këtij konsumi të jetë nga prodhimet shqiptare. Sigurisht që kjo nuk bëhet vetëm sepse me gjithë këtë luftë që është bërë në media, për problemet që sjell të konsumuarit e sallameve, ose të problemeve që kanë sjellë të mos standardit ose të mos garancisë, e kanë bërë konsumatorin që të stepet kundrejt këtyre produkteve. Është një iniciativë më e gjerë sesa thjesht e imja. Është një iniciativë që duhet të jetë me bazë shtetërore, me institucionet kopetente që bëjnë analizat, që përcaktojnë standardet. Është një iniciativë e cila duhet të përkrahet nga media, që nuk i bëjnë mirë dhe është një stres i shtuar kur ti konsumatorëve shqiptarë u thua që të mos konsumojnë atë çfarë prodhohet në Shqipëri sepse nuk i ka standardet dhe po të dëmton shëndetin. Nuk është fare e vërtetë. Po ju garantoj që standardet, higjiena dhe mënyra sesi prodhohet, janë nga më të mirat në Evropë sot.

Cili është tregu juaj i jashtëm?
-Asnjë. Nuk eksportojmë fare për shumë arsye. Nga pikëpamja e certifikatave, e garancisë ushqimore, e higjienës dhe e gjithçkaje tjetër që do të duhet për të eksportuar një produkt, ne jemi gati dhe i plotësojmë të gjitha kriteret. Por problemi është që çdo shtet në Evropë ka certifikatat e veta dhe “lufta” për të marrë këto certifikata është pothuajse e humbur sepse politikat e tyre janë që të mbrojnë prodhuesit vendas dhe jo të kërkojnë prodhues nga jashtë. Dhe mua më vjen keq, sepse ka plot shqiptarë që jetojnë në Evropë dhe e kam të provuar, që sa herë që vijnë me pushime në Shqipëri dhe kur kthehen, sipas mundësive, marrin me vete produktet tona, ose nëse kanë ndonjë mundësi tjetër, kur u shkojnë të afërmit, vazhdimisht kërkojnë që t’u dërgojnë prej këtyre produkteve. Kjo gjë tregon se ata, edhe pse të rritur jashtë Shqipërisë, e duan shijen tipike shqiptare, të ndryshme nga ajo çfarë ata konsumojnë. Kjo është e vetmja vështirësi për të eksportuar prodhimet tona jashtë Shqipërisë, absolutisht asnjë tjetër. Edhe Kosova gjithashtu. Por Kosova nuk ka vështirësitë e të përthithurit të produktit dhe të certifikatave, por duhet të mos ketë pengesa doganore sepse menaxhimi i dokumenteve, pjesa e kalimit të produkteve nga njëri vend në tjetrin, ka vështirësitë e veta. Produktet tona, duke qenë edhe të freskëta, duhet të kenë një vijueshmëri në transportin e tyre, nuk mund të kenë ndalesa të gjata. Pastaj vjen një moment që bëhet shumë i lodhshëm dhe detyrohesh të heqësh dorë fare.

Po pse ne i lejojmë të hyjnë në Shqipëri produktet e huaja?
-Sepse ata bëjnë pjesë në Komunitetin Evropian dhe kanë certifikimet e tyre dhe kështu që kanë të drejtë të eksportojnë prodhimet e tyre në çdo vend të Komunitetit Evropian.

 Cilat janë sfidat e HAKO-s për vitin 2019?
-Edhe viti 2018 po mbyllet me investime shumë të mëdha. Ndërruam linjën e prodhimit, një cikël ky që e bëjmë një herë në 5-6 vite, pra i marrim makineritë totalisht të reja. Gjithashtu ndërruam flotën e transportit. Tani kemi plane për investime të tjera, për automatizimin e linjave të prodhimit dhe të paketimit. Ka edhe sfida të tjera, por gjithmonë kemi investimin në prodhim, duke e çuar prodhimin në shkallën më të lartë të standardit.