Zonjat që bëjnë Shqipërinë’ në Report Tv, Anila Kalleshi: Sfidat e një 20-vjetori me histori njerëzish të lumtur

15 Nëntor 2018, 16:40

Nga Flora Nikolla

Dhurata Hamzai

Anila Kalleshi, Presidente e Albanian Lifestyle Medicine Association dhe administratore e Anila Kalleshi Center, me rezultatet e punës së saj 20-vjeçare, të lë të kuptosh qartë se shpirtin e garës e ka në gen. Ajo është krenare që është vajza e Faruk Kalleshit, kampionit të thyerjes së 116 rekordeve, legjendës së peshëngritjes shqiptare, që për 21 vite me radhë, si rrallëkush u bë kampion kombëtar me peshën trupore vetëm 52 kg.

Dietologen klinike, Anila Kalleshin, e sheh gjithmonë sistematike, të kujdesshme e të përkushtuar ndaj çdo personi që shkon në qendrën e saj të dobësimit.  Serioze në punën e saj për të dhënë më të mirën, por dhe për të pasur më të mirën, Anila Kalleshi ua ka kthyer buzëqeshjen dhe ka bërë të ndihem mirë disa qindra zonjave nga e gjithë Shqipëria, por edhe zonja të vendeve të tjera që vijnë në vendin tonë.  

E impenjuar për të sjellë shërbimin më cilësor, e dashuruar me librin, dhe aq shumë me shkollën, Anila Kalleshi priret të zbulojë metodat koherente dhe efikase në shërbim të shëndetit dhe jetës cilësore të çdo njeriu. Ajo ka krijuar bibliotekën e saj të librave të botuar në një kolanë vlerash për nutricionin.  

Anila Kalleshin e gjen gjithmonë duke rendur në rritjen e saj shumëplanëshe profesionale. E kjo rritje ka ardhur “duke iu referuar një shkence ndërdisiplinore ndërmjet mjekësisë, ndërmjet ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe menaxhimit të stresit”, thotë Anila, në intervistën e saj për emisionin “Zonjat që bëjnë Shqipërinë” në Report TV, që realizohet në bashkëpunim me Albanian Excellence.

E ftuar të jetë prezente në të gjitha eventet botërore të nutriciónit, fituese e shumë trofeve ndërkombëtare, Anila Kalleshi është gjithnjë në kërkim të rritjes së saj profesionale, duke qenë studente e të gjitha kohërave.

Anila Kalleshi, Zonjë që bën Shqipërinë, është fituese e disa trofeve te Albanian Excellence, pjesë intégrale e saj dhe me shumë dëshirë përfshihet që të jap kontributin e saj. Ajo shprehet se ka si si qëllim të kontribuojë për të zhvilluar te çdo person ndërgjegjen për të jetuar harmonikisht, në tre dimensione thelbësore për njeriun: atë fizik, mendor dhe në nivelin e ndërgjegjes.

Së fundmi, Anila Kalleshi ka qenë prezente dhe ka referuar në konferencën e “Lifestyle Medicine” të zhvilluar në Indianapolis. Shqipëria u përfaqësua nga “Albanian Lifestyle Medicine Association”, presidente nderi e së cilës është Anila. Ajo synon të promovojë dhe të përhapë kulturën e stilit korrekt të të jetuarit, sikurse parashikohet edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, nocioni shëndet.   

Intervista

Cila është historia e jetës suaj profesionale?

Në fakt kam filluar shumë shpejt. Në vitin 1998 ne e kemi hapur si aktivitet, në një ambient krejtësisht të vogël dhe duke vazhduar e duke u rritur hap pas hapi. Kemi festuar 20-vjetorin, një 20-vjetor i mbushur plot me histori suksesi, me histori njerëzish të cilët kanë dalë mjaft të lumtur nga qendra dhe nga trajtimet që ne u kemi ofruar atyre.

Si ju lindi ideja për të filluar këtë mision?

Unë rrjedh nga një familje me një histori shumë të mirë. Im atë është një kampion, një njeri shumë i famshëm, i nderuar, është “nderi i kombit”. Faruk Kalleshi është një personazh i cili na ka nderuar gjithmonë me eventet e tij. Gjithashtu mamaja ime (Liljana Kalleshi) është një akrobate shumë e njohur, një “artiste e merituar” dhe është një ndër personazhet më të dashura të qytetit të Shkodrës. Pra, unë jam rritur në një ambient artistësh dhe sportistësh, ku ndoshta në plan të parë ishte paraqitja e jashtme. Pas studimeve të mia, në vitin 1994, kur unë studiova për fizioterapi në Beograd, dhe me një ambient të dhuruar nga familja ime, vendosa që të hapja një biznes ose një sipërmarrje ndoshta, e cila do të më ndihmonte për të rikthyer në forma perfekte njerëzit me mbipeshë, të cilët kishin nevojë. Pas viteve ’90 mbipesha ishte një nga problemet kryesore të të gjithë njerëzve, ndoshta duke kaluar ndoshta nga një epokë ku ne kishim mangësi të theksuara të ushqimeve, në një epokë tjetër ku njerëzit filluan të punonin shumë, por edhe të kishin mundësi për të përzgjedhur shumë ushqime. Kjo mënyrë, duke i shtuar kësaj dhe teknologjinë e cila bëri punën e vet, pra nëse përpara viteve ’90 ne bënim shumë aktivitet fizik, nuk kishim ashensorë, nuk kishim makina, ndërsa më pas filluan të dilnin celularët të cilët shkurtonin mjaft punë, ashensorët të cilët zgjidhin shumë probleme, gjithashtu makinat të cilat ndoshta ishin luks për dikë, por në fakt bënin gjënë e kundërt, pra, u kthyem nga persona të cilët kishim pak ushqim dhe bënim shumë aktivitet fizik, në persona që kishim shumë mundësi zgjedhjeje, të cilat jo gjithmonë ishin të shëndetshme, por të gabuara në pjesën më të madhe të tyre. Gjithashtu edhe mungesa e aktivitetit fizik çuan në rritjen e mbipeshës brenda një periudhe të shkurtër kohore. Kjo periudhë ishte ajo e cila më dha mua ndoshta impulsin e parë, gjithashtu duke iu referuar edhe prindërve të mi, të cilët gjithmonë ishin marrë me forma trupore perfekte, më dhanë impulsin për të zhvilluar dhe mbaruar shkollën e parë timen për fizioterapi dhe më pas për t’iu rikthyer, për të vazhduar duke plotësuar vazhdimisht qoftë me nutricionin që kam mbaruar në Romë, qoftë në Angli, qoftë dhe në Amerikë. Gjëja që ndoshta doja të prezantoja dhe e fundit ndoshta, për ta mbyllur për këtë 20-vjeçar është krijimi i organizatës “Albanian Life Style Medicine Association”, e cila në momentin kur u prezantua ishte vërtet ajo që unë kërkoja, që e plotësoja dhe e formëzoja komplet profilin tim si Anilë, duke iu referuar një shkence ndërdisiplinore ndërmjet mjekësisë, ndërmjet ushqyerjes së shëndetshme, aktivitetit fizik dhe menaxhimit të stresit. Natyrisht, janë këta katër faktorë të cilët çojnë në problematika në organizëm. Do të thosha që genet tona kanë rreth 15% efekt në atë se çfarë ndodh në organizmin tonë, gjithçka tjetër shoqërohet tek ushqyerja e shëndetshme dhe tek aktiviteti fizik. Jam shumë e lumtur se sapo jam kthyer nga një event shumë i famshëm në Amerikë dhe kam qenë shumë e lumtur dhe me shumë fat sepse atje kam takuar ndoshta njerëzit më të famshëm në botë të “Life Style Medicine”, pra nutricionistët më të famshëm në botë, duke përfshirë Majkëll Gregor, Din Ornish dhe një sërë personazhesh shumë të njohur amerikanë, të cilët janë gjithmonë në ndihmë të njerëzve të cilët kanë nevojë për të pasur një jetë të shëndetshme, një jetë larg sëmundjeve dhe larg problematikave në organizëm. Kjo i shtohet ndoshta asaj pjesës që unë jam marrë historikisht me dobësimin.

Cilat janë disa nga botimet që keni realizuar?

Libri i parë i imi ka qenë “Si të dobësohemi”. Ishte një guidë shumë e mirë për femrat, të cilat kishin nevojë për të pasur këshilla se si duhej të dobësoheshin në mënyrën më të shëndetshme të mundshme, dhe pas tij një botim tjetër, ndoshta pak më i zgjeruar, i cili i vinte në ndihmë personave që merreshin me aktivitet fizik, ishte libri “Dieta jo vetëm”. Zgjodha titullin “Dieta jo vetëm” sepse ishte një ndarje ndërmjet të dyjave. Nuk janë vetëm dietat sepse janë edhe aktiviteti fizik dhe jeta që bën secili nga ne. Më pas botova një guidë tjetër “Jeto shëndetshëm” duke vazhduar me librin “Dieta sfidë”, i cili i kushtohet kryesisht njerëzve të cilët kanë probleme me intolerancat dhe alergjitë ushqimore. Kjo ndoshta është bazë referimi për temën e diplomës që unë mbrojta në Itali, lidhur me intolerancën ushqimore dhe alergjitë alimentare. Gjithashtu “Dieta 28 ditore” ishte një dietë e cila gjatë periudhës së verës natyrisht që do t’i shoqëronte njerëzit, por në fakt ishte një truk, sepse nuk është 28 ditore sepse asnjë dietë nuk fillon dhe mbaron për 10 ditë apo 20 ditë, por ka një periudhë të caktuar kohore dhe në librin “Dieta 28 ditore” ishte në fakt një regjim ushqimor që duhej mbajtur për 3-6 muaj. Në këtë mënyrë çdokush që do ta lexonte këtë libër apo që do të vendoste të mbante këtë dietë 28 ditore, do të kishte parasysh disa faza, që ishin faza e mirëmbajtjes, faza e përgatitjes. Të gjitha këto të ndihmonin për të mbajtur. Në fund fare, kur ne vendosim për të mbajtur një dietë nuk duhet të qëndrojmë striktë për një periudhë të caktuar kohe. Nuk ka dietë që mund të funksionojë për 10 ditë sepse do t’i ktheheshim efektit jojo, pra çdo peshë që ne do të kishim humbur, do të rifitohej përsëri brenda një kohe shumë të shkurtër. Ndërsa në rastin kur ti fillon të mësohesh që për një periudhë të caktuar kohe duhet të ushqehesh shëndetshëm, duhet të dish të përzgjedhësh ushqimet të cilat janë efikase për organizmin tënd, kuptohet që fillon dhe krijohet një edukim bazë, i cili do të të shoqërojë edhe për muajt në vazhdim, në kohën kur ti nuk po mban dietë. Pra do të jesh i kujdesshëm dhe kështu, në këtë mënyrë, ti do të dish që ta ruash peshën që ke humbur.

Doja të shtoja që libri i fundit i imi është libri që kam shkruar me profesorin italian Luixhi Mazeli, që është mbi “Life Style Medicine”, pra titullohet “Life Style Medicine – shkenca drejt ndryshimit”. Dhe vërtet është një shkencë drejt ndryshimit pasi na ndihmon për të parandaluar çdo problematikë në organizëm, nëse ne vërtet do t’i referohemi këshillave të duhura.

Duke parë që në Shqipëri problemet në ekstrem janë me tiroiden hashimoto, kam vendosur që të shkruaj një libër, i cili do të ketë në referencë kryesisht studimet e fundit që janë bërë në Harvard.

A kanë arritur shqiptarët që këto 20 vite të krijojnë kulturën e të ushqyerit ose të mbajtjes së trupit?

Unë personalisht numëroj 1.500 emisione televizive që lidhen me ushqimin. Si unë, ekzistojnë edhe kolege të tjera, të cilat ndihmojnë mjaft mirë çdo ditë duke dhënë këshilla mjaft të vlefshme me ushqyerjen e shëndetshme. Unë mendoj se e gjithë kjo propagandë në median e shkruar dhe vizive është në ndihmë të njerëzve të cilët duan të jetojnë shëndetshëm, duan të mësojnë se si të ushqehen, se si të jetojnë shëndetshëm, larg sëmundjeve dhe larg problematikave. A mund të themi që kemi bërë gjë? Natyrisht, duke parë problematikat që ndodhin në shoqërinë shqiptare, por edhe në vendet e tjera të zhvilluara, pra sëmundjet që janë të shtuara vazhdimisht, do të thoshim që kemi shumë për të bërë. Por ne jemi një pjesë. Pjesa tjetër mund të jenë prodhuesit, blegtorët, bujqit, ata të cilët ndoshta kanë në dorë ndoshta fatin në ndërgjegjësimin e pjesës tjetër të njerëzve. Ndërsa kur bëhet fjalë për mënyrën e ushqyerjes, patjetër që ne kemi bërë maksimumin për të dhënë informacione të drejtpërdrejta dhe ndoshta, ndonjëherë mund të kemi pasur dhe problematika, pasi kemi goditur ndoshta një biznes apo interes, i cili ka qenë shumë i fortë, por që ne kemi qenë të detyruar të transmetojmë korrektësi dhe të japim ndoshta informacionin e drejtë, atë që duhet të dijë çdokush.

Ka shumë zonja shqiptare që vijnë te ju për t’u kujdesur për veten e tyre?

Natyrisht që zonjat që kanë bërë Shqipërinë janë pa fund, besoj. Çdo femër në vetvete mund të jetë një kontribut për këtë vend të vogël. Por unë mendoj që çdokush ka një përgjegjësi për të qenë dikushi dhe çdokush ka mundësinë për ta transmetuar këtë përgjegjësi që kemi të gjitha ne si femra. A mund të ketë? Natyrisht që mund të ketë, në fusha të ndryshme. Ndoshta ju i keni mbledhur të gjitha në një vend dhe ndoshta është gjëja më e mirë për t’i dhënë stimul këtyre grave që të ecin vazhdimisht përpara. Në eventet që unë bëj herë pas here në botë, kam parë një vlerësim të jashtëzakonshëm për mua si Anilë, duke më vlerësuar për mënyrën se si unë paraqes femrën shqiptare, se si e prezantoj femrën shqiptare në eventet e ndryshme botërore. Gjithashtu, edhe në rastin e fundit kur unë isha në Indiana, prezantimi me doktor Din Ornis, ishte, i kërkova një mesazh faktikisht për shqiptarët në përgjithësi dhe një prezantim, ndoshta një mesazh i tij ishte që “po, e njoh Shqipërinë. Shqipëria është një vend i varfër”. I thashë që natyrisht është një vend i varfër, por është një vend i bukur, është një vend i cili ka njerëz shumë të njohur, njerëz që punojnë shumë, që e duan punën, që japin kontributin e tyre në këtë botë dhe që i njohin edhe njerëzit e famshëm në botë dhe i duan ata dhe përpiqen që t’i mbajnë gjithmonë afër ndoshta në këshillimet e tyre për të qenë edhe ata vetë pjesë përbërëse e ndihmës që duhet t’i japim shoqërisë.

Në Shqipëri ka shumë qendra estetike. Ka ndonjë abuzim? Çfarë do të donit të ndryshonte?

Mënyra se si unë kam filluar të punoj ka qenë shumë modeste. Fillimisht kam punuar me pajisje shumë të thjeshta, me një ambient shumë modest dhe kur sot shikoj që brenda një dite, çuditërisht, hapen nuk e di se sa qendra estetike, me njerëz ekstremisht të paformuar profesionalisht, njerëz të cilët nuk mjafton për të pasur një qendër dobësimi kryesisht sepse qendra estetike mbase mund të jetë disi më ndryshe, qoftë edhe një parukeri e thjeshtë mendoj se duhet të ketë përgjegjësitë e saj që në momentin që hapet dhe në vazhdim dhe mendoj se në rastin kur bëhet fjalë për një qendër dobësimi natyrisht ke të bësh me jetën dhe shëndetin e një personi dhe për këtë duhet një përgjegjësi e jashtëzakonshme, duhet një formim shumë i mirë, pse jo dhe një eksperiencë dhe përvojë. Nuk është një biznes që mund të hapet brenda një momenti. Mendoj që përpara se të quhet si biznes do të ishte një qendër ku do të funksiononte në të mirën e njerëzimit. Unë jam shumë e lumtur dhe jam me shumë fat kur kam parë njerëz të cilët qanin dhe përloteshin dhe qenia e tyre ishte neveritur ndoshta përpara pasqyrës, njerëz që ndoshta kishin shumë kohë që nuk kishin dalë përpara pasqyrës, njerëz të cilët nuk kishin bërë një fotografi të saktë ndoshta të vetes së tyre dhe në fund fare kam parë njerëz të lumtur, njerëz që kanë ndryshuar totalisht jetën e tyre, njerëz që janë shumë të famshëm, madje personazhe reale që unë kam dobësuar në qendër, qoftë edhe në rastin e Linda Halimit p.sh. Deri në momentin përpara se të dobësohej ok, fitoi Top Festin dhe ishte një personazh i njohur për zërin e saj. Po të futeni tani në Google dhe të shikoni, gjëja që të bie në sy në të gjithë artikujt që mediat e citojnë, është trupi i saj. Pra do të thotë, një zë shumë i bukur por që fillon e zbehet përpara ndoshta asaj çfarë ajo ka arritur sepse të arrije një humbje peshe brenda një kohe shumë të shkurtër, duke qëndruar në parametra ekstremisht normalë dhe të shëndetshëm, është një arritje vërtet shumë e suksesshme. Dhe raste të tilla unë kam pa fund dhe jam shumë e lumtur që kam arritur të kthej buzëqeshjen te disa vajza, te disa gra apo te disa femra të cilat vërtet kishin nevojë të ndiheshin njerëz.

Çfarë do të doje të ndryshoje?

Për mua formimi është gjëja kryesore. Pra një person që drejton një qendër të tillë, nuk mendoj se një qendër mund ta drejtojë kushdo, mund të jetë një menaxher shumë i mirë, por profesionistët që punojnë në atë qendër, që merren me shëndetin kryesisht të këtyre personave, natyrisht duhet të jenë njerëz të certifikuar, njerëz të diplomuar, njerëz të shkolluar, njerëz të cilët duhet të kenë një përgjegjësi për punën që bëjnë. Pra, le të mos i kthehen ndoshta reklamave të tepërta. Unë jam shumë ekstremisht pro njerëzve që bëjnë një punë reale dhe një punë të bazuar në fakte dhe në shkencë. Ndërsa në rastet kur ne kemi një publicitet të jashtëzakonshëm, fryrje shumë, marrje imazhesh nga interneti, dhe shfaqja e tyre në publik sikur janë personazhet e tyre natyrisht kjo është e dëmshme për shoqërinë pasi njerëzit mund të gabojnë dhe mund të bëjnë një përzgjedhje që nuk është ajo e duhura.

Cila është nisma juaj personale?

Në vitin 2019 kam menduar surpriza pa fund për gratë pjesëmarrëse në eventet e “Albanian Exellence”, duke i dhuruar atyre ndoshta mundësinë për të qenë pranë “Life Style Medicine”, pranë asaj që të gjithë kanë nevojë, çdo trup, sado i shëndoshë, i dobët, i shëndetshëm, me problematika. Të jemi afër tyre duke u dhënë këshillat e duhura lidhur mbi mënyrën se si ato duhet të ushqehen, se si duhet të trajtohen, se si duhet të qëndrojnë në formë shëndetësore të mirë në mënyrë që të kenë dhe një performancë fantastike fizike dhe mendore.