Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit organizuan minikampionatin e basketbollit me rastin “Ditës Kombëtare të Sportit në Katar”

Kryebashkiaku Veliaj gjatë eventit

1 / 5

Kryebashkiaku Veliaj me ambasadorin e Katarit

2 / 5

Kryebashkiaku Veliaj

3 / 5

Kryebashkiaku Veliaj me ambasadorin e Katarit

4 / 5

Kryebashkiaku Veliaj me ambasadorin e Katarit

5 / 5
12 Shkurt 2019, 20:37

Me rastin e “Ditës Kombëtare të Sportit në Katar”, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit në vendin tonë organizuan në mjediset e Parkut Olimpik “Feti Borova” mini-kampionatin e basketbollit, me pjesëmarrjen e ekipeve të ndryshme të kryeqytetit. Këtij organizimi sportiv iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, të cilët nxitën të rinjtë që të merren sa më shumë me sport, si mënyra më e mirë për t’u bërë jo vetëm qytetarë më të mirë, por edhe për bërë një jetë të shëndetshme.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi Katarin për mbështetjen që jep në një sërë projektesh zhvillimore në Shqipëri dhe në mënyrë të veçantë në Tiranë. “Jam shumë entuziast kur shoh çuna e goca që luajnë bashkë dhe që, edhe dinë të fitojnë, por edhe dinë të humbasin sepse jeta ka edhe fitore, edhe humbje. Rëndësi ka jo sa herë rrëzohemi, por sa herë ngrihemi, që të vazhdojmë lojën prapë dhe të dalim me sukses edhe në jetë, edhe në sport. Unë dua t’i falenderoj me gjithë zemër prindërit, mësuesit, trajnerët, edukatorët që na janë bashkuar në këtë organizim fantastik”, tha ai.

Ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri falenderoi Bashkinë e Tiranës për bashkëpunimin që ka treguar për organizimin e aktiviteteve me rastin e kësaj dite, që siç tha ai është tepër e rëndësishme për Katarin. “Në emër të Zotit, mëshiruesit, mëshirëbërësit, ju faleminderit për mbështetjen dhe pjesëmarrjen tuaj në aktivitetin e ditës së sportit të Katarit. Kjo ditë është e shënuar në shtetin e Katarit dhe është vetëm për sport. Lartësia e mirë e shtetit të Katarit ka caktuar datën 12 shkurt si Ditën e Sportit, ku administrata e shtetit e merr pushim dhe praktikojnë sportin. Sporti është shumë i shëndetshëm për trupin dhe fizikun e njeriut, prandaj në Katar festohet; kjo është hera e parë që festohet në Shqipëri dhe shpresojmë që të vazhdojmë edhe vitet e tjera”, tha ambasadori Al-Marri.

Nga ana e tij, kryebashkiaku Veliaj lajmëroi gjithashtu se një ditë e tillë kushtuar sportit do të organizohet edhe në Tiranë, ndërsa theksoi se ky bashkëpunim të shërbejë edhe për të forcuar më tej marrëdhëniet mes Dohas dhe Tiranës. “Ka ardhur koha që edhe ne në Tiranë të kemi një ditë sportive. Dua të falenderoj të gjithë miqtë që kanë bashkëpunuar me ne sot, t’u uroj të gjithëve një fillim të mbarë të një tradite të bukur që është Dita e Sportit, edhe në Tiranë, që duam ta bëjmë çdo 12 shkurt me ambasadën dhe miqtë e sportit në qytetin tonë. Mezi pres që edhe marrëdhëniet midis Tiranës dhe Dohas të forcohen më shumë. Kemi shumë për të mësuar nga njëri-tjetri dhe ndonjëherë nuk ka nevojë të shpikim rrotën, kur shohim se si një bashki tjetër model siç është Bashkia e Dohas, ka bërë shumë përparim”, nënvizoi Veliaj.

Ai shprehu mirënjohjen për Fondacionin e Katarit dhe gjithë ata që punojnë me Fondacionin e Katarit në Tiranë, duke bërë një punë të mrekullueshme jo vetëm në bamirësi, por edhe në kurse edukuese, trajnimi, gjuhë të huaja, kompjutera dhe tani më në fund, edhe në sport. Kryebashkiaku dha lajmin e mirë se bashkëpunimi me Katarin do vazhdojë edhe me disa projekte të tjera në infrastrukturën arsimore në Tiranë.

“Bashkë më Ambasadën e Katarit kemi marrë përsipër të rregullojmë 2-3 shkolla në Tiranë, t’i sjellim në një nivel shumë më të lartë modernizimi. Shkolla e parë do jetë “Jeronim De Rada”, ku për herë të parë po i vëmë rëndësi jo vetëm klasave, por edhe vendeve ku luajmë, ku merremi me sport, ku kemi aktivitete fizike, sepse karakteri i një njeriu mësohet kur është në skuadër, jo vetëm kur lexon libra e mëson përmendësh, por kur i praktikon dijet e karakterin e vet në skuadrën e tij të zemrës, me shokët e shoqet me të cilët do kalojë gjithë jetën”, përfundoi Veliaj.