DOKUMENTET/ Debati në 1954 midis 'babait' të trashëgimisë dhe krerëve komunistë për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar te godina e Kuvendit Popullor

0/7
20 Maj 2020, 22:51

Kërkesa për ndërtimin e një “shtëpie” të re për aktorët e Teatrit Kombëtar daton që në vitin 1954, kur është bërë edhe një debat i madh midis “babait” të trashëgimisë kulturore shqiptare, Gani Strazimiri dhe krerëve komunistë, që nga Josif Pashko, Spiro Koleka e deri te kryeministri Mehmet Shehu. Për shkak të materialeve të dobëta me të cilat ishte ndërtuar kjo godinë, e cila në kohën e pushtimit italian kishte shërbyer si një ndërtesë “dopolavoro” për argëtimin e ushtarëve italianë, me jetëgjatësi jo më shumë se 15 vjet, udhëheqja e asaj kohe kërkonte të gjente patjetër një godinë të re teatri, e cila do të ishte e përshtatshme për shfaqje.

Në vitin 1954 Ministria e Industrisë dhe Ndërtimit ka një korrespondencë me Drejtorinë e Teatrit Popullor ku shpreh mendimin që teatri të transferohet tek salla e Kuvendit Popullor sepse nuk përmbush kushtet. Pikërisht atë vit ka pasur mjaft debate mes Gani Strazimirit ,  i cili sot është personaliteti më i lartë i trashëgimisë kulturore shqiptare, madhe edhe Instituti i Monumenteve të Kulturës mban emrin e tij - dhe ish-kryeministrit të asaj kohe, Mehmet Shehut, Josif Pashkos etj, për ta zhvendosur Teatrin Kombëtar te godina e Kuvendit Popullor, meqë ndërtesa që në atë kohë nuk ofronte më siguri dhe se çdo rikonstruksion i saj do të ishte shpenzim i tepërt.
Historia për zhvendosjen e Teatrit Kombëtar, që atëherë quhej Teatri Popullor, duket se ka nisur nga një shkresë e datës 15.06.1954 e drejtorit Foto Stamo drejtuar ministrit të Industrisë dhe Ndërtimit, Spiro Koleka, ku e vinte në dijeni për problemet me dyshemenë dhe me ngrohjen që kishte godina ekzistuese. Duke e cilësuar si të pamundur vendosjen e shfaqjeve, ai kërkonte gjetjen e një vendi tjetër për teatër. Madje, Foto Stamo vinte në duke edhe një fakt tjetër shokues kur thotë: “…skena jonë nuk është aspak e përshtatshme për punë gjatë dimrit, për arsye se është shumë ftohtë. Vitin e kaluar janë sëmurë vazhdimisht artistët dhe jemi detyruar herë pas here të pezullojmë çfaqjet”.

Pikërisht këtu futët në skenë arkitekti dhe inxhinieri Gani Strazimiri, të cilit me sa duket pushteti i atëhershëm e kishte caktuar për vlerësimin e godinës së teatrit dhe gjetjen e një mundësie të re për ta zhvendosur. Në një letër të gjatë drejtuar ministrit Spiro Koleka, Gani Strazimiri rendit disa variante për zhvendosjen e Teatrit Popullor. Në një variant ai shprehet: “Kino-Puntorit t’i ndërrohet skena për opera e balet në mënyrë definitive dhe salla ku asht sot Kuvendi Popular të rikthehet për teatër dramë”. Një variant tjetër ishte: “Salla ku është sot Kuvendi Popullor të adaptohet për skenë opere e baleti dhe Kino-Puntori t’adaptohet për Kuvend Popullor do të nevojitesh një fond prej rreth 8.000.000”.

Zhvendosja e teatrit drejt godinës së Kuvendit Popullor del qartë edhe nga një komunikim i datës 16/9/1954 mes Josif Pashkos dhe kryeministrit Mehmet Shehu, ku flitej për mundësinë për zhvendosjen e Kuvendit në një godinë tjetër dhe vendosjen aty të teatrit. Për më tepër, në këto letra thuhet se godina ku është aktualisht Kuvendi Popullor është projektuar edhe si Teatër, prandaj zhvendosja aty do ishte e përshtatshme. “Teatri ku sot asht Kuvendi Popullor asht projektue dhe ndërtue si Teatër. Shtesat që na mejtojmë t’i bëjmë (tu e zmadhue skenën) nuk do ish i drejtë me që na po i prishim qëllimin e nji teatri që asht komplet”, thuhet në letër e shkruar nga arkitekti i njohur.

Për arsye ekonomie të kohës, por edhe të vëmendjes së shtetit të asaj kohe në sektorë të tjerë, teatri nuk u zhvendos kurrë, duke ngrënë miliona e miliona lekë për rikonstruksione të vazhdueshme, ndonëse gjendja mbeti po njësoj.

Gani Strazimiri është shkolluar në Torino të Italisë e më pas i diplomuar në Bashkimin Sovjetik për "Arkitekturë", është projektues i një sërë ndërtimeve ambicioze të kohës si kompleksi i Pallateve "Shallvare" dhe "Agimi" në Tiranë. Më pas si drejtor i Institutit te Monumenteve te Kulturës dha një kontribut te rëndësishëm në ruajtjen e vlerave arkitekturore te traditës shqiptare, duke shpëtuar nga shkatërrimi veç te tjerash edhe një numër te rëndësishëm objektesh fetare në vitin 1967. Në nderim te tij, Instituti i Monumenteve të Kulturës mori emrin "Gani Strazimiri".