Memorie.al publikon për herë të parë dokumente tepër sekrete të Departamentit amerikan të Shtetit, të cilat hedhin dritë mbi veprimtarinë diplomatike të SHBA-ës në Asamblenë e Përgjithëshme të OKB-së në 1948-ën, për të ndaluar qeverinë komuniste të Tiranës të kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, në ndërhyrjen e saj në punët e brendshme të Greqisë dhe ndihmat ushtarake që ajo i jepte gueriljeve komuniste të gjeneralit Markos Vafjadhis. Si dhe notat e protestës që Tirana zyrtare paraqiste pranë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara ku ajo ankohej se po ndërhynin në punët e brendëshme të saj.
Për pesë vjet me rradhë, nga 1945-sa e deri në ‘49-ën, kohë në të cilën zgjati lufta civile në Greqi e cila u zhvillua ndërmjet forcave qeveritare (ELLAS) të kryeministrit Caldaris dhe atyre guerilje partizane komuniste (EAM) të komanduara nga gjenerali Markos Vafjadhis), qeveria komuniste e Tiranës e kryesuar prej Enver Hoxhës, jo vetëm që u përzie në punët e brendshme të Greqisë, por ajo i dha një përkrahje dhe ndihmë të madhe forcave komuniste greke të gjeneralit Markos, të cilat konsistonin në: teknikë e pajisje ushtarake, ushqime, veshmbathje etj. Jo vetëm kaq, por gjatë atyre pesë viteve, territori shqiptar dhe portet e saja u bënë bazat kryesore ku shkarkoheshin me mijra ton mallra ushqimore dhe teknikë luftarake, që vinin këtu nëpërmjet vëndeve komuniste të Europës Lindore, të kryesura prej Bashkimit Sovjetik.