TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ -Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi në mbledhjen e djeshme fillimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe të renditjes së kandidatëve për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Po ashtu, u miratuan edhe ekspertët për vlerësimin e nivelit të zotërimit të gjuhëve të huaja, të deklaruara nga kandidatët e lejuar për vendet vakante si dhe kalendarin e intervistave me kandidatët e lejuar për vendet vakante.
Në vijim të mbledhjes, me miratimin e këtyre vendimeve, KED zhvilloi proceset e relatimit të procedurave të ndjekura deri më tani për vlerësimin e kandidaturave për vendin vakant të Inspektorit të lartë të Drejtësisë, si edhe zhvilloi intervistat, sipas ligjit, me kandidatët e lejuar për këtë vend vakant Artur Metani, Eris Hysi, Joana Asimi Sorraj, Lindita Troja, Sokol Stojani.
Zhvillimi i intervistave të kandidatëve të lejuar për kandidim, u krye në sallën e mbledhjeve të KED, në prani të anëtarëve të Këshillit, Avokatit të Popullit dhe përfaqësuesit të Presidentit të Republikës, në rolin e vëzhguesit.
Kandidatët paraqitën platformën e tyre mbi vizionin, objektivat dhe sfidat e lidhura me ushtrimin e kompetencave të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe organizimin, funksionimin e drejtimin e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, si dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED.