Modelja shqiptare Xhesika Berberi u rindërton shtëpinë dy familjeve nga Ndroqi dhe Picalla, Veliaj: Mirënjohës

1 / 6
2 / 6
3 / 6
4 / 6
5 / 6
6 / 6
20 Shtator 2020, 14:47

Dhjetë muaj më parë, nënë Metja, e cila jeton së bashku me djalin e saj Oltin, humbi shtëpinë në tërmetin tragjik të 26 nëntorit dhe për ca kohë, u detyrua të jetojë në çadër.

Sot, kjo familje nga Petrela, mori çelësat e shtëpisë së re, e rindërtuar falë nismës së suksesshme të dy modeleve të njohura shqiptare, Xhesika Berberi dhe Adrola Dushi, të cilat përmes një faqeje online mblodhën fondet e nevojshme për t’iu ardhur në ndihmë të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Edhe shtëpia e Nuri Çekirrit nga Ndroqi u rindërtua nga e njëjta nismë dhe u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe modelja shqiptare Xhesika Berberi.

“Olti i ka shërbyer shtetit shqiptar si ushtar 7 vjet, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, por i vetëm nuk ia dilte dot. Metja, nëna e tij, e ka kaluar jetën me shumë sakrifica. Ndaj, besoj se bashkimi bën fuqinë. Shteti bën sa mundet, por edhe shteti ka limite. Kur shteti nuk i bën të gjitha gjërat vetë, kërkon ndihmë nga shoqëria, nga njerëzit e famshëm, nga ata që kanë mundësi, nga njerëz që frymëzojnë të tjerët. Falë Xhesikës, Adrola Dushit dhe gjithë artistëve të tjerë, që kanë reputacion, në vend që ta përdorin reputacionin për më shumë vanitet, për Instagram e Facebook, vendosën që këtë reputacion ta shfrytëzojnë për t’i bërë shtëpinë edhe Nuriut. Ndaj, e kam zemrën plot me mirënjohje për ta. Ne do ta bëjmë punën tonë, jemi në një fazë ku kemi 1 mijë shtëpi të porositura, por çdo njeri që na heq një pjesë të barrës, na jep një dorë”, tha Veliaj.