Ndërtimi ka nevojë dhe për femrat

1 / 5
2 / 5
3 / 5
4 / 5
5 / 5
30 Mars 2018, 14:22

“Femrat janë arkitektet e vërteta të shoqërisë” –Harriet Beecher Stowe, shkrimtare dhe aktiviste në fushën e mbrojtjes të së drejtave ndaj grave. Shumë është folur dhe shkruar për pozitën e grave në shoqëri jo vetëm si nëna, bashkëshorte të devotshme dhe timoniere të familjes, por edhe si gra të suksesshme, të forta, që kanë ecur shumë lart në karrierë. Është fakt që roli i femrave në pozicionet drejtuese përmirëson marrjen e vendimeve.

Po si janë të pozicionuara ato në drejtim të arsimimit e punësimit të tyre, dhe a ka diferenca gjinore në këtë drejtim në shoqërinë tonë?

Në fushën e barazisë gjinore ka patur ndryshime të mëdha vit pas vit, por ato më të rëndësishmet dhe me më shumë impakt startojnë prej vitit 2006 e në vijim. Janë ratifikuar shumë dokumenta të rëndësishëm ndërkombëtare, të cilat pa diskutim kanë përmirësuar kuadrin ligjor për promovimin e barazisë gjinore dhe kanë përmirësuar ndjeshëm pozitën e grave.

E pyetur nëse ndërtimi është vetëm për burrat, Ermelinda Nezaj Drejtuesja e Burimeve Njerëzore pranë ManeTCI përgjigjet:

Sikurse G.D Anderson ka thënë: “Feminizëm nuk do të thotë që gratë të bëhen më të forta. Gratë nga vetë natyra ashtu janë - të forta. Puna është të ndryshojmë mënyrën se si bota e percepton atë forcë.” E parë në këtë këndvështrim, gratë janë një forcë dhe potencial po aq i madh sa edhe burrat, edhe në fusha të tilla “të rëndomta” e të vështira si ndërtimi. Në këtë kuadër, ne përpiqemi t’i inkurajojmë më shumë gratë që të punojnë në industrinë e ndërtimit, pasi kjo fushë ka nevojë për kapacitetin, potencialin dhe aftësitë e grave.