Përmirësim infrastrukture edhe në zonat rurale, kopësht me kushte më të mira për fëmijët e Vaqarrit

1 / 5
2 / 5
3 / 5
4 / 5
5 / 5
21 Shtator 2019, 15:16

Krahas përmirësimit të situatës me çerdhet dhe kopshtet në qytet, Bashkia e Tiranës ka nisur nga puna për përmirësimin e infrastrkturës edhe në zonat rurale. Ajo ka rikonstruktuar godinën e ish-shkollës së vjetër të ndërtuar 40 vjet më parë në Vaqarr, e cila do të shërbejë si kopësht modern, duke plotësuar nevojat e gjithë komunitetit. Pasi inspektoi punimet, së bashku me deputeten e PS, Blerina Gjylameti, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se në këtë mandat të dytë fokusi do të jetë tek ofrimi njësoj i shërbimeve edhe në fshat.

Mund të jemi në Bllok, mund të jemi diku në një nga lagjet më të mira të Tiranës, te Bregu i Lumit, ku prapë kemi kopshte shumë të mira, apo në Kodër-Kamëz, ku po mbaron kopshti i ri, por në fakt jemi në Vaqarr, çka sinjalizon një fillim të ri të punës për kopshte dhe çerdhe në zonat rurale. Fakti që 50-60 fëmijë janë këtu, do të thotë se 50-60 fëmijë janë më pak në turnet e dyta në shkollat, kopshtet dhe çerdhet e Kombinatit. Ndaj, e gjithë dëshira jonë është që këtë mandat të dytë të fokusojmë më shumë shërbimin në fshat. Duhet të shkojnë shërbimet aty ku janë njerëzit, kështu që ulim dyndjen dhe turnet e dyta në qytet”, theksoi ai.