Shefi 'djall' i kuzhinës merr vëmendjen e të gjithëve me Fake News

0/6
7 Dhjetor 2019, 18:40

Fake news-i (lajmi i rremë në Shqipëri) gjen vend në mediat online për të rritur klikimet dhe për të marrë vëmendjen (jo reale) të ndjekësve.

Në shumë raste personazhet e njohur të spektaklit dhe televizionit kritikojnë mediat kur ato i bëjnë pjesë në lajmet që publikojnë, me argumentet se modifikohen informacionet duke sjellë anën më të keqe të tyre dhe duke gjurmuar gjithmonë scoop-et.

Por kësaj radhe është një situatë komplet ndryshe, ku vetë personazhi i njohur ka përhapur një Fake News për të qenë në qendër të vëmendjes.

Renato Mekolli kuzhinieri i njohur me origjinë shqiptare që jetonte në Athinë, e rriti edhe më shumë famën në emisionin "Hell's Kitchen", ku shfaq sjellje shumë të rrepta me pjesëmarrësit e garës, siç dhe vetë formati i programit e do.

Para disa ditësh vetë kuzhinieri "djall' përhapi lajmin se kishte dhënë dorëheqjen nga emisioni që drejtonte.

Më pas në të gjitha mediat qarkulloi lajmi se Renato ishte larguar edhe pse nuk dihej ende shkaku se pse kishte ndodhur.

Madje edhe median në të cilën transmetohet emisioni, "Top Channel", lajmi u publikua.

Më pas Renato publikoi në Instagram një foto ku shkruante "No Coment", duke rritur akoma dhe më shumë pikëpyetjet në kokën e audiencës.

Mbrëmjen e djeshme vetëm pak orë para fillimit të emisionit, kuzhinieri fajësonte fansat e tij dhe kritikat e shumta të tyre për largimin nga "Hell's Kitchen".

Nuk e kuptoj si mund të ma kërkoni të rikthehem, jeni ju ata që nuk më keni dashur dhe më keni sharë çdo herë në Hell’s Kitchen!”, shprehej Renato në postimin e tij.

Kuzhinieri i njohur përhapi një lajm të rremë vetëm për të qenë për pak kohë në qendër të publikut, pasi mbrëmjen e djeshme ai ishte në emision si çdo herë tjetër.

Ky është rasti ideal se si vipat luajnë me audiencën që i ndjek, të cilët janë fansa të emisioneve të tyre.

Ndoshta Renato Mekolli ka dashur të sigurohet se sa është dashuria që ka publiku për të e se sa do ta kërkojnë, duke i futur të gjitha mediat në grackë, pasi ishte vetë ai, "burimi kryesor i infomacionit" që konfirmoi largimin (e rremë).