Preng Gjini, është personi që fatmirësisht i ka shpëtuar një atentati të mirëorganizuar nga dora kriminale në Tiranë. Një sasi ende e papërcaktuar nga forcat e policisë, ka shqyer tërësisht pjesën e motorit dhe kabinës së automjetit, duke dëmtuar rëndë Preng Gjinin, që ishte i vetëm në makinë dhe po udhëtonte mbi urën e Nisharakut në kryeqytet.
Shpërthimi i makinës detyrimisht ka sjellë dhe dëmtimin e dy makinave të tjera, që ndodheshin shumë pranë. Preng Gjini është vëllai i Armando ose Tonin Gjinit nga qyteti i Rrëshenit, i cili mbeti i vrarë në 12 ngusht 2019. Armando Gjini, i kishte shpëtuar më parë dhe një atentati me tritol, pasi fatmirësisht ka mundur ta pikasë në kohë lëndën eksplozive. Ndërkohë një vit pas vrasjes së Armando Gjinit, në Tiranë organizohet një atentat akoma dhe më i sofistikuar ndaj vëllait të tij, Preng Gjini.Ky I fundit po udhëtonte në një zonë shumë pranë rezidencës ushtarake Turke në Tiranë, zonë e cila ka qenë e populluar me kalimtarë, kur mjeti i tij ka shpërthyer shumë fort, duke dëmtuar plotësisht makinën. Policia e Tiranës thotë se ngjarja dyshohet se ka lidhje me hakmarrjen në qytetin e Rrëshenit dhe trafikun e drogës, pasi vëllai i Preng Gjinit, Armando, konsiderohej dhe është arrestuar nga prokuroria si ushtari i Met Kananit, të arrestuar si trafikant droge në Turqi. Për më tepër kjo ngjarje lidhet edhe me sagën e hakmarjeve mes dy fiseve Gjini dhe Reçi në Rrëshen, ku jo më larg se disa muaj më parë Kanstriot Reçi, mbeti i vrarë me snajper.