Shkolla 'Servete Maçi', mbledh artistët, përurohet salla e koncerteve 'Avni Mula' nën notat e muzikës së vetë 93-vjeçarit

0/8
29 Maj 2020, 18:01

Shkolla 'Servete Maçi', mbledh artistët, përurohet salla e koncerteve 'Avni Mula' nën notat e muzikës së vetë 93-vjeçarit

Në shkollën 9-vjeçare“Servete Maçi”, sot është hapur një sallë moderne koncertesh me emrin “Avni Mula”. Në ceremoninë e përurimit të saj, notat e para në pianon e sallës u luajtën nga kompozitori i shquar 93-vjeçar, Avni Mula,i shoqëruar nga vajza e tij, sopranoja me famë botërore, Inva Mula.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kjo sallë, ku do të mësojnë talentet e së nesërmes,është një pasuri jo vetëm për shkollën, por për gjithë komunitetin e Tiranës.

“Është vërtet bekim shumë i madh sot që, në këtë hapësirë kaq të vogël, janë mbledhur kaq shumë artistë e kaq shumë talente. Për shkak të pandemisë nuk e mbushnim dot sallën, por doja shumë që, teksa Avni Mula, një nga pasuritë më të mëdha të kombit tonë, i afrohet 93 viteve, ne i kushtojmë këtë sallë fantastike muzike”, tha ai.

Veliaj shprehu bindjen se këto mjedise do të jenë frymëzim për fëmijët, që t’i përkushtohen artit dhe të ecin përpara, duke na bërë të gjithëve krenarë.

“Salla e koncerteve dhe hapësirat e tjera të shkollës, auditori, salla e ekspozitave, biblioteka dhe palestra, janë projektuar për t’u përdorur nga komuniteti pas mësimit. “Por, asgjë nuk ka vlerë nëse nuk mbushet me shpirt njeriu. Prandaj, do të hartojmë një program me Invën, Avniun, drejtoreshën e shkollës dhe talentet që kemi, për të pasur çdo javë aktivitete cilësore të denja jo vetëm për emrin Avni Mula, por edhe për një komunitet, i cili më shumë se kurrë, ka nevojë për më pak politikë, më pak sherre, e më shumë muzikë, art dhe kulturë”, tha kryebashkiaku.

Kompozitori Avni Mula e krahasoi sallën e re, ku do të ulen talentet e kryeqytetit, të ngjashme me atë të shkollave më të mira në Rusi, ku edhe ka studiuar shumë vite më parë.

“Ju falenderoj shumë, është nder për familjen Mula. E gjithë familja jonë i është përkushtuar artit dhe një sallë e re në Tiranë më ngazëllen, më jep shpresë se këtu në Shqipëri nuk do mbarojë asnjëherë ‘kuzhina’ e bukur e talenteve. Dëshira jonë është që kjo të vazhdohet dhe mos të mbarojë asnjëherë”, tha Inva Mula e pranishme në përurim.

Inva Mula nënvizoi se hapja e kësaj salle koncertesh në Shqipërinë tonë të vogël, në një kohë kur kudo në botë ato po mbyllen, është një shembull tepër pozitiv.

Shkolla 9-vjeçare ”Servete Maçi”, ndodhet në Rrugën e Dibrës. E ndërtuar që në vitin 1950, shkolla u rindërtua nga e para vitin që kaloi me hapësira shumë herë më të mëdha dhe me infrastrukturë moderne.