Tirana me një muze të ri, shtëpia e Ismail Kadaresë hapet për publikun

Pallati ku është hapur Muzeu Kadare

1 / 6

Erion Veliaj gjatë hapjes së Muzeut Kadare

2 / 6

Vizitoret ne hapjen e Muzeut Kadare

3 / 6

Erion Veliaj dhe Pirro Milkani

4 / 6

Vizitoret ne hapjen e Muzeut Kadare

5 / 6

Ministrja e Kulturës Elva Margariti

6 / 6
25 Maj 2019, 15:59

Nga sot, qytetarët, por edhe vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, kanë një destinacion më shumë për të vizituar në kryeqytet. Falë projektit të Bashkisë së Tiranës udhëhequr nga arkitektja Elizabeta Terragni, shtëpia ku jetoi dhe punoi për shumë vite për të shkruar disa nga veprat e tij më të njohura letrare gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare, është kthyer në një muze.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ministrja e Kulturës, Elva Margariti, regjisori Piro Milkani, ambasadorë e mjaft personalitete të fushës së artit dhe të letrave, morën pjesë në hapjen e apartamentit që pasqyron jetën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare gjatë periudhës totalitare.

“Shprehja e Ismailit se gjithmonë ka kohë që njeriu të bëjë diçka të dobishme për vendin e tij, është fantastike. Në njëfarë mënyre gjetëm kohë, në shumë punë që ka qyteti, të bëjmë diçka të dobishme për vendin tonë, jo diçka ekskluzive të Tiranës, por diçka që lartëson, por edhe që hap një dritare për një nga figurat më emblematike, një nga markat më të njohura ‘Made in Albania’, që është Ismail Kadare, Helena dhe familja e tyre, si dhe vepra që ka buruar nga kjo shtëpi”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se kjo ndërtesë do të kthehet në një destinacion për turistët. “Ne duam që ky muze të jetë patjetër një në dhjetë gjërat që shihet në Tiranë, pas Bunkerit, Shtëpisë me gjethe, sheshit, institucionet tona të kultit, Muzeu Kombëtar, Opera e Baletit”, u shpreh ai.

Brenda apartamentit, ekspozimi ndahet midis dokumenteve origjinale, objekteve, librave dhe mobilieve, si dhe hapësira ku mund të marrësh njohuri për veprën e shkrimtarit, në formën e një këndi leximi.