U deportuan nga Greqia/ 24 shqiptarë dërgohen në karantinën e Durrësit, njëri shfaqi simptomat e COVID-19

1 / 6
2 / 6
3 / 6
4 / 6
5 / 6
6 / 6
22 Mars 2020, 12:38

GJIROKASTËR - Një grup prej 24 shqiptarët të deportuar nga Greqia, me të mbërritur në pikën kufitare të Kakavijës, janë dërguar në karantinën e ngritur në Durrës tek Konvaleshenca (Shtëpia e Pushimit të Ministrisë së Mbrojtjes), pasi njëri prej tyre ka shfaqur shenja klinike të koronavirusit.

47-vjeçari nga Shqipëria e Mesme u deportua mbrëmë nga shteti fqinj së bashku me 23 shqiptarë të tjerë, të cilët kanë qenë të burgosur disa ditorë dhe kanë rezultuar me shkelje procedurale në Greqi.

Në pikën kufitare në Shqipëri atyre iu bë kontroll nga inspektorët e Kujdesit Shëndetësor në Gjirokastër, ku 47-vjeçari ka ngjallur dyshime të forta si i prekur me COVID-19, pasi kishte shenja klinike të sëmundjes. Në kushtet kur ai kishte udhëtuar së bashku me 23 shqiptarë të tjerë, autoritetet shëndetësore morën masat në bashkëpunimin me ato të rendit, duke i dërguar të 23 shqiptarët në qendrën e karantinës në Durrës.

Po ashtu, në orët e para të mëngjesit të sotëm, pala greke ka deportuar edhe 32 shqiptarë të tjerë për shkelje procedurale, por nga kontrollet e kryera, asnjëri prej tyre nuk ka pasur shenja klinike që të bëjnë të dyshosh se ka të prekur me koronavirus.

Greqia është shtet i prekur me COVID19.