Viktor Meier (Viktor Majer) ishte zviceran, lindur në 1929 në Winterthur afër Zürich-ut. Ai filloi të merrej me zhvillimet në Europën Juglindore dhe sidomos me ato në Jugosllavi që në vitet 50-të. Shkollimin e lartë do ta niste në kryeqytetin e kantonit të Zürich-ut, në Gallen-in e Shenjtë (Sankt Gallen), të cilin e kishte fare afër dhe do t’i vijonte studimet në Beograd për ekonominë dhe shkencat sociale. Gradën e Doktorit, Master siç i thonë sot, e mori pikërisht këtu me temën “Sistemi i ri ekonomik jugosllav”. Me pak fjalë Majer u formua shumë herët si njohës i Ballkanit, i Jugosllavisë veçanërisht dhe me mendësi që nuk kishin asnjë përputhje të paktën me doktrinën e Enver Hoxhës në Shqipëri.
Me përkushtim për gadishullin e quajtur “fuçi baroti”, fillimisht ai punoi pranë të përditshmes zvicerane “Neue Zürcher Zeitung”. Nga moti 1975 deri në fund të vitit 1993 qe korrespondent për Ballkanin i të përditshmes gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Këtu edhe bëri emër kontinental. Prej kësaj gazete u ngulit edhe në kujtesën e shqiptarëve. Viktor Majer ishte njeri i drejtë dhe nuk e duronte dot arrogancën serbe për të komanduar gadishullin.