Zbulohet ditari sekret i Enver Hoxhës

1 / 19
2 / 19
3 / 19
4 / 19
5 / 19
6 / 19
7 / 19
8 / 19
9 / 19
10 / 19
11 / 19
12 / 19
13 / 19
14 / 19
15 / 19
16 / 19
17 / 19
18 / 19
19 / 19
21 Gusht 2020, 08:00

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari i Enver Hoxhës, i cili ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza për ngjarjet e zhvilluara në Çekosllavaki nga janari i vitit 1968 e deri në datën 21 gusht të atij viti, ku trupat sovjetike së bashkë me ato të katër vëndeve të tjera të Traktatit të Varshavës, (Gjermania Lindore, Polonia, Hungaria dhe Bullgaria), kryen agresionin ushtarak, duke pushtuar Çekosllovakinë. Të gjitha shënimet e panjohura të udhëheqësit të Shqipërisë komuniste lidhur me ngjarjet në Çekosllovaki, nga qëndrimi i shteteve të tjera të Europës Lindore, pjesë të “Traktatit të Varshavës”, ndaj atij agresioni, akuzat ndaj Çausheskut, Josif Broz Titos, etj., komentet dhe akuzat ndaj SHBA-së, shkrimet e Enverit në gazetën “Zëri i Popullit” për të gjitha ato ngjarje, e deri te porositë që ai i dha Haxhi Lleshit për homologun e tij bullgar!

“Revizionistët sovjetikë, polakë, gjermanë, hungarezë dhe bullgarë, hynë nga të katër anët e kufijve të Çekosllovakisë dhe, për tërë natën, deri në mëngjes, pushtuan Pragën, kapën radion, rrethuan godinën e qeverisë, të Komitetit Qendror, të Parlamentit, të presidentit dhe nuk u dëgjua asnjë pushkë. Jo vetëm kaq, po krerët revizionistë çekosllovakë dhanë urdhër që ushtri e popull “të rrinë urtë dhe qetë”, sipas “traditës së karakterit të tyre”. Sa për ndihmën e Rumanisë, në bazë të traktatit, nuk është nevoja të zgjatemi: Revizionistët rumunë e kanë bërë në brekë dhe shpejt do të qelbet dynjaja. Natyrisht jemi akoma në momentet e para dhe patjetër ngjarjet do të zhvillohen. Revizionistët sovjetikë bënë një akt të dëshpëruar, vdekjeprurës për ta. Ata u diskredituan nga të katër anët, edhe te miqtë e tyre revizionistë, pse shumica e tyre nuk janë dakord me këtë akt brutal me pasoja të rënda për ta. Por revizionistët sovjetikë këtë veprim të dëshpëruar nuk e bënë nga malli, por nga halli, u erdhi thika në grykë. Sigurisht në gjirin e udhëheqjes revizioniste sovjetike, do të ketë ndryshime, do të ketë kurbanë. Kush janë ata? Do të shohim. Kush do të mbetet? Ushtarakët duhet të kenë gisht në këto ngjarje dhe ka mbisunduar pikëpamja e tyre. I tërë ky zhvillim do të acarojë gjendjen ndërkombëtare dhe ka mundësi që të alarmohet opinioni revizionisto-kapitalist. Do të thellohen kontradiktat, do të turbullohen ujërat në kënetën e qelbur të bashkekzistencës paqësore dhe aleanca ruso-amerikane në mos të çara, do të pësojë të gërvishtura serioze. Opinioni botëror, frika, dyshimet do të luajnë rolin e tyre. Revizionistët nga janë e nga s’janë, do të bëhen fërtele me njëri-tjetrin, lesh e li, më keq se ç’janë bërë”. Kështu shkruante në mes të tjerash në ditarin e tij të datës 21 gusht 1968, udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha, lidhur me ngjarjen e ndodhur në mëngjezin e asaj dite, kur Bashkimit Sovjetik nën drejtimin e Leonid Brezhnjevit, së bashku me forcat ushtarake të katër vëndeve të tjera të “Traktatit të Varshavës”, (Gjermania Lindore, Polonia, Bullgaria dhe Hungaria), kreu agresionin ushtarak ndaj Çekosllavakisë, duke futur tanket deri në qendër të Pragës. Kjo ngjarje, u konsiderua dhe ishte më e rënda në të gjithë Europën Lindore, pas asaj të ndodhur në Hungari në vitin 1956, ku po trupat sovjetike, ndërhynë për të shuar atë që ata e etiketuan si “Kundërrevolucioni hungarez”. Siç do të shohim edhe nga ditari i Enver Hoxhës, pushtimi i Çekosllovakisë nga trupat ruse dhe aleatët e saj të “Traktatit të Varshavës”, nuk mund të mos alarmonte edhe regjimin komunist të Shqipërisë, pasi Tirana zyrtare i trembej një “efekti domino”, siç kishte ndodhur jo rrallë në histori me ngjarje të tilla. Por frika dhe paniku që përshiu Enver Hoxhën dhe të gjithë udhëheqjen e lartë komuniste të Tiranës në atë kohë, nga një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik dhe vëndet e tjera të “Traktatit të Varshëvës”, duket se fare pak, apo aspak nuk ka zënë vënd në ditarin e Enverit?! Pasi në atë kohë regjimi komunist u vu në një alarm të madh, duke filluar që nga Ushtria që kaloi në “gatishëmri nr.1”, (si në gjëndje lufte), por u mobilizuan edhe forcat vullnetare e rezerviste, të cilat morrën pjesë në stërvitje të madha që filluan asokohe nga njësitë më të mëdha të ushtrisë shqiptare, siç ishin Korpuset. Po kështu edhe popullsia civile të fshatrave dhe qyteteve, i’u nështrua alarmeve ajrore apo toksore (duke dhënë sinjal me sirena apo çanga), duke i futur ata në strehime nëntoksore (tunelet) që ndodheshin brenda, apo në periferi të qyteteve. Por e gjitha kjo, ishte vetëm ana e dukshme dhe fare normale për një vënd si Shqipëria komuniste e asaj kohe, pasi në të njëjtën situatë u ndodhen dhe vepruan pak a shumë dhe vëndet fqinje, si Jugosllavia etj. Ndërsa ajo që njihet pak, është frika që pushtoi Enver Hoxhën dhe regjimin komunist, nga një lëvizje që mund të ndodhte nga brenda vëndit. Kjo gjë vihet re dhe konfirmohet veç të tjerash edhe nga një numër i madh dokumentash arkivore, (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku Ministria e Punëve të Brendëshme dhe Sigurimi i Shtetit, informojnë Komitetin Qëndror të PPSH-së dhe udhëheqësit kryesor të saj, Enver Hoxhën, Hysni Kapon, Ramiz Alinë, Mehmet Shehun etj., me raporte, relacione, informacione etj., ku tema kryesore është: “Mbi situatën dhe gjëndjen në vënd pas ngjarjeve të Çekosllovakisë”. Në të gjitha ato dokumente që mbajën siglën “Tepër sekret”, i bëhet me ditur udhëheqjes së lartë, se: “njerzit dhe kryesisht elementi reaksionar, është gjallëruar pas ngjarjeve të Çekosllovakisë dhe….”. Kjo gjë bëri që Enver Hoxha dhe regjimi komunist nga njëra anë të “shtërngonte rradhët” dhe “të rriste vigjëlencën”, gjë e cila konsistoi në arrestime, burgosje e internime në masë në të gjitha rrethet e vëndit, dhe po kështu nga ana tjetër, “të lëshonte pak pe”, në atë që tashmë njihet si “peridha e liberalizmit”, e cila nuk ishte jetëgjatë dhe do të “lulëzonte” deri aty nga fillimi i vitit 1973, kur Enver Hoxha filloi goditjen ndaj Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizion dhe “Grupit liberal në Art e Kulturë”, me në krye Fadil Paçramin e Todi Lubonjën.