"Më drejtoi një herë armën...hidhe armën, ndal". Këto janë fjalët e efektivit të policisë së Tiranës që qëlloi të shumëkërkuarin Orges Bilbili duke e plagosur, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar pas thirrjes. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pasditen e sotme takoi efektivin hero, që ndoqi dhe plagosi duke neutralizuar Bilbilin, që kërkohet për disa ngjarje kriminale, vrasje dhe atentate në Lushnje.

Më pas ministri vizitoi në spital qytetaren me inicialet M.P. e cila u plagos rastësisht, pasi ishte në vendin e ngjarjes në atë moment paraditen e sotme te zona e Xhamllikut. 'Erdha të jap këtë tufë lule që kjo ditë të mos kalojë si ditë e keqe kujtese, të gjithë kujdesin e mjekëve e ke këtu. E ka thënë Zoti që ka kaluar me kaq dhe uroj ta kalosh shpejt" i tha ministri. Vajza që mbeti e plagosur u shpreh se "s'e mora vesh ca ishte". Ndërsa zëvendësdrejtori për Sigurinë Publike, Dhimitraq Ziu, referuar vajzës që mbeti e plagosur gabimisht tha se "ka shpëtuar jetën e një tjetri që e ka shtyrë".

Për ministrin e Brendshëm policia tregoi zgjuarsi, vigjilence, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. "Një kombinim rrethanash solli, që gjatë një përplasje të rrezikshme mes Policisë së Shtetit dhe një personi me shumë rekorde kriminale, ku u përdorën armët e zjarrit, të arrihej të neutralizohej në gjendje të plagosur dhe të arrestohej një ndër personat më të kërkuar në vend. Fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit.

Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, me respekt takova edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, të cilët sot dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilence, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë" tha Lleshaj.