10 blofet e Ilir Metës me ‘dorëheqjet’ në 5 vite, a duhet marrë më seriozisht dhe si u kthye reforma në drejtësi në dramë për Presidentin  

10 blofet e Ilir Metës me ‘dorëheqjet’ në 5 vite, a duhet marrë më seriozisht dhe si u kthye reforma në drejtësi në dramë për Presidentin  

Presidenti Ilir Meta

Miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi duket se është kthyer në dramën më të madhe politike për Ilir Metën. Që në korrik të vitit 2016 dhe deri më sot, Ilir Meta ka paralajmëruar të paktën 10 herë dhënien e dorëheqjes si kryetar Kuvendi dhe më pas si President, kryesisht për shkak të reformës në drejtësi. Javën e dytë dhe të tretë të muajit korrik 2016, Ilir Meta kërcënoi disa herë me dorëheqje si kryetar Kuvendi, nëse reforma në drejtësi, nuk do të votohej me konsensusin e Partisë Demokratike. 

Në fakt, siç rezultoi mè vonë, dorëheqja ishte një pretekst për të bllokuar ndryshimet kushtetuese, pasi disa muaj më pas, Meta votoi pa PD-në ligjet bazë të reformës, pa zhurmë. 

“Jam i bindur që rruga më e mirë do të jetë ndërtimi i një qeverie ekspertësh, e cila pas miratimit të reformës e çon vendin në zgjedhje demokratike dhe të pakontestuara nga askush. Unë personalisht jam gati që duke nisur nga ky moment të jap dorëheqjen si kryetar Kuvendi në qoftë se kjo i shërben kompromisit”, tha Meta në 18 korrik 2016, tre ditë para miratimit të ndryshimeve kushtetuese me 140 vota në Parlament. 

Ishte koha kur Meta luftonte në prapaskenë kundër reformës në drejtësi, para se të dilte publikisht, duke u bashkuar në një front me Sali Berishën, të cilët e konsiderojnë reformën si një komplot ndërkombëtar. Kushtëzimet dhe ‘spërdredhjet’ politike të Metës, angazhuan përfaqësuesit ndërkombëtar, të cilët shtuan presionin, duke kontaktuar individualisht secilin deputet. 

Në 11 prill 2017, vetëm dy javë pasi ishte zgjedhur President, Ilir Meta u shpreh se “Nëse sot do të duhet posti i presidentit të ardhshëm për të pasur një zgjidhje, unë përsëri do ta jap dorëheqjen dhe nuk ka asnjë problem, as për mua dhe as për LSI-në, sikurse e ka rikonfirmuar kryetari i ri”. 

Në 16 qershor të vitit 2017, ende pa marrë detyrën si President, Ilir Meta foli për dorëheqje. Meta tha se “Unë jap edhe dorëheqjen nga President, mjafton që LSI të fitojë dhe të jetë Vasili kryeministër”. Paralajmërimi ishte thjeshtë një shashkë elektorale. 

Në 18 shkurt të vitit 2018, Meta, në kuadër të luftës me qeverinë, tha se ishte gati për çdo skenar, duke përfshirë edhe dorëheqjen, për të marrë drejtimin e popullit, për të shkarkuar qeverinë.

“Po e bëj të qartë, jam gati për çdo skenar. Ata le të vazhdojnë, unë do t’u jap përgjigje shembullore”, paralajmëroi Meta. 

Në 20 mars 2019, Meta u shpreh se “Jam i përgatitur të lë mandatin dhe deri të sakrifikohem si Salvador Allende, për të mos lejuar instalimin e një junte ushtarake”. Meta i referohej ecurisë së reformës në drejtësi dhe sinjaleve të mazhorancës, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale edhe pa PD-LSI-në. Edhe ky paralajmërim ishte një blof politik. 

Në 29 maj 2019, Meta paralajmëroi edhe një herë se ishte gati të ofronte mandatin e tij si President, për zgjidhjen e krizës politike. Tashmë loja me dorëheqje ishte bërë e zakonshme. 
Në datën 1 gusht 2019, Meta hodhi edhe një herë idenë e dorëheqjes si President, me kusht që në vend të tij të emërohej Rexhep Mejdani.

“Në rast se kërkon kryeministri të lërë edhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar me 13 tetor para qytetarëve, por vetëm me një kusht, që në këtë zyrë të vijë një njeri me shumë integritet i cili ka qenë në këtë zyrë dhe ka provuar se mbrojtja e interesit kombëtar dhe publik është mbi çdo gjë tjetër dhe nuk e ha shantazhin dhe presionin siç është profesor Rexhep Meidani”. 

Në 10 tetor 2019, Ilir Meta deklaroi se “Nëse Komisioni i Venecias më bind se kam shkelur Kushtetutën, jap dorëheqjen”, duke iu referuar dekretit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe shpalljes së një date tjetër, 13 tetorit 2019, për mbajtjen e zgjedhjeve, datë të cilën nuk e njohur askush, madje as vetë Lulzim Basha. Venecia e konsideroi si të paligjshme këtë lëvizje, e megjithatë Meta nuk e mbajti fjalën. 

Në 25 nëntor të vitit 2019, Meta paralajmëroi edhe një herë dorëheqjen, madje edhe largimin nga politika.

“...o të largohem edhe unë nga politike, madje edhe nga Tirana por jo jashtë shtetit, do iki t’ju pres për rafting andej”. 

Në 21 maj 2020, Meta foli sërish ndërprerje të mandatit si President.

“Këtë krizë e zgjidh vetë populli shqiptar. Edhe presidenti, të ndërpritet mandati dhe të votohet nga populli dhe të gjithë të respektojnë vullnetin e sovranit. Unë jam gati të bëj edhe zgjidhje të tjera, por duhet të jenë gati edhe të ca burra që presidenti ti çojë në zyra, të drejtojnë qeverinë dhe të çojnë vendin në zgjedhje”. 

Për herë të fundit, Ilir Meta e ka përsëritur paralajmërimin e dorëheqjes tre ditë më parë.

“Nëse Rama fiton 71 mandate pa prekur votën unë jap dorëheqjen dhe kaloj në opozitë. Nëse në 25 prill do preket qoftë edhe një votë do t’i pritet dora në mes të sheshit Skënderbej qoftë Monika Kryemadhit, qoftë Bashës, qoftë Ramës”, tha Meta.

Paralajmërimet e zakonshme të Metës për t’u dorëhequr janë kamufluar me alibi dhe situata të ndryshme, por që të gjitha përkojnë me kohën e hartimit, miratimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Era: 04/03/2021 14:30

    Keto jane perpelitjet e fundit te Metes. Ne do i japim shansin e fundit qe ai te dorhiqet. Por do thote se mandati i mbaron ne 2022 si gjithmone. Vota e shqipetareve do jete per Edi Ramen dhe Partine Socialiste. Duam drejtesi, qetesi, zhvillim... Shqiperia eshte e sigurte vetem me Ramen qe u ben barricade llafeve mafioze Meta- Berisha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet