Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar ndaj deklaratave të senatorit amerikan Bernie Sanders, lidhur me investimin turistik në Zvërnec.

Përmes një postim në rrjetin social X, Sanders kritikoi projektin e resortit luksoz të lidhur me Jared Kushner (dhëndrin e Presidentit Donald Trump), duke pretenduar se mbi 100 mijë qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër tij dhe se ai përfaqëson një rast të “oligarkisë globale”, ku interesat private përplasen me interesin publik.

Pas këtij reagimi, Balla i është kundërpërgjigjur senatorit amerikan, duke e akuzuar për përfshirje në një fushatë dezinformimi.

“Mos e përdorni Shqipërinë si mish për top për të goditur kundërshtarin tuaj politik. Kjo është një fushatë dezinformimi ku përfshihet Irani dhe aktorë të tjerë malinjë, me përmbajtje antisemitike”, shkroi Balla në reagimin e tij.

Debati vjen në një kohë kur projekti i investimit në zonën e Zvërnecit vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike dhe politike, duke ngjallur reagime si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, përfaqësues të qeverisë shqiptare kanë mbrojtur projektin si një investim strategjik për zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së zonës.


Lajmi kryesor:

Zvërneci/ Rama i përgjigjet senatorit demokrat Sanders: Shqipëria s'është sfond për betejat politike të huaja