30 viktima! 14 raste të reja me COVID në 3 qytete, vatër e re në Krujë, 9 të shëruar në 24 orët e fundit (VIDEO)

TIRANE - Shënohet viktima e parë në mesin e të prekurve me koronavirus nga vatra më e rrezikshme e përhapjes së COVID në fasorinerinë e këtij qyteti. 52-vjeçari, i cili vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese, ndërroi jetë në Spitalin Infektiv pas 8 ditëve në reanimacion i intubuar, duke shënuar viktimën e 30 në Shqipëri.

14 raste të reja me COVID janë identifikuar gjatë 267 testimeve të kryera në 24 orët e fundit, duke e çuar në 750 numrin e të prekurve nga 7758 teste në total.

Kruja vijon të jetë zonë e nxehtë, pasi këtë të martë është zbuluar një vatër e re në një tjetër fasoneri që ishte hapur dhe punonte me staf të reduktuar, ku është prekur një punonjës. Ndërsa katër të infektuar janë kontakte të punonjësve nga 5 fasoneritë e tjera që kanë raste me COVID.  Kryeqyteti shënoi 7 raste të reja. “Bulevardi i Ri, 'Fresku' dhe 'Astiri' janë tre vatrat e nxehta në Tiranë, ndërsa në të gjithë vendin janë mbi 100 vatra aktive.

Pyetjes së Report Tv se pas 19 raste tek 313-a, a ka të prekur në burgun 302 në Tirana, drejtoresha e ISHP-së, iu përgjigj: "Dy të burgosur kanë qenë në paraburgim dhe janë transferuar",  tha Albana Fico

9 janë të shëruarit në 24 orë, duke e çuar në 431 numrin e të shëruarve në total, sërish një shifër më e lartë se e  të infektuarve aktivë, që janë 289. Gjithashtu një lajm i mirë vjen për fëmijët dhe për gratë shtatzëna të prekura me COVID.

“Ndërkohë 11 fëmijë nga 30 të prekur, e kanë fituar betejën pa asnjë simptomë. Nga 4 gra shtatzënë që kanë qenë të prekur, 3 janë shëruar. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 27 të shtruar, 3 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 5 pacientë të shtruar, 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje më të rënduar.  Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 32 pacientë”, tha Fico.

Një infermiere në fshatin Prekal të Postribës dhe vajza e një gruaja të identifikuar dje me COVID-19 janë dy rastet e vetme pozitive në Shkodër gjatë 24 orëve të fundit.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive dhe e shërimeve, është si vijon:
 

ISHP-ja thekson se pavarësisht luhatjeve në numra ditorë situata vazhdon të jetë e kontrolluar. "Tregues për këtë janë numri i qëndrueshëm i shtrimeve në spitale dhe numri i ulët i qytetarëve që kanë pasur nevojë për frymarrje të drejtuar. Që kjo situatë të vazhdojë të jetë e kontrolluar dhe në kushtet e lehtësimit të disa masave, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë të respektojnë masat e vendosura, të respektohet distancimi fizik dhe ruajtja e higjienës personale. Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40" tha Dr. Albana Fico.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:08
1 mjeke dhe 2 infermiere në 24 orët e fundit/ Manastirliu: Shërohet rreth 90% e stafeve

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, nëpërmjet një postimi në faqen e saj në Facebook, ka ndarë lajmin e mirë se 1 mjeke dhe 2 infermiere janë shëruar nga COVID-19, pas testit konfirmues. Gati 90% e stafit mjekësor i prekur nga COVID19 janë tashmë plotësisht të shëruar. Në total deri tani janë shëruar 53 personel shëndetësor. "Më gëzon pa masë lajmi se gati 90% e stafit mjekësor i prekur nga COVID19 është plotësisht i shëruar nga ky armik i rrezikshëm. 1 mjeke dhe 2 infermiere janë shëruar nga COVID19, mes 9 të shëruarve të 24 orëve të fundit" thotë ministrja.

Ora 12:40
Të infektuar me COVID, ISHP jep lajmin e mirë për fëmijët dhe gratë shtatzëna (VIDEO)

Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico u shpreh se deri tani 11 fëmijë kanë arritur që të fitojnë betejën me COVID-in nga 30 që janë prekur në total. "Fëmijët nuk preken në forma të rëndë, nuk kemi pasur në spital, kemi 11 të shëruar nga 30 që kanë rezultuar pozitivë" tha ajo. Gjithashtu një lajm i mirë edhe për gratë shtatzëna. "Nga 4 gra shtatzënë që kanë qenë të prekur, 3 janë shëruar".

Fico është pyetur edhe për testet serologjike dhe nëse do t'i bëjnë edhe gazetarët? "Testet serologjike vijojnë në bazë të një kampionimi të gjerë për personelin në përfundim do u bëjmë me dije. Testet serologjike janë të rëndësishme për të kuptuar imunitetin ose gjendjen e kundërtrupave në popullatë, pa diskutim jemi të interesuar situatën e popullatës dhe grupeve të caktuara" tha ajo.

Ora 11:33
5 të infektuar në Krujë, njëri nga një vatër e re nga një fasoneri që vijonte punën

Në 24 orët e fundit në Krujë u regjistruan 5 të prekur me COVID. Report Tv mëson se të prekurit janë 3 nga Fushë Kruja dhe 2 nga Kruja. 4 nga të infektuarit janë kontakte të mëparshme, ndërsa një rast, është nga një vatër e re nga një fasoneri në Krujë që ishte hapur dhe punonte me staf të reduktuar.

Gazetari i Report Tv në Krujë Julian Shota raporton se në këtë fasoneri që vijonte punën me 4-5 punëtorë, njëri prej tyre rezultoi i prekur me COVID. Ndërkohë që edhe viktima e 30-të që u shënua sot, me inicialet S.B. ishte infektuar nga fasoneritë. Numri i fasonerive ku ka të prekur deri tani shkon në 6 në Krujë dhe Fushë Krujë. 

Ora 11:19
2 raste të reja në Shkodër nga 29 teste të kryera/ Infektohet infermierja dhe vajza e gruas që u konfirmua dje pozitiv (VIDEO)

Dy raste pozitive janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 në qytetin e Shkodrës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se pas analizave janë konfirmuar pozitiv një infermiere në fshatin Prekal të njësisë administrative të Postribës. Për shkak të kontakteve me personat e njohur infermierja mund të ketë marrë virusin. Ndërkohë, rasti tjetër është person kontakti, vajza e gruas e cila u konfirmua me COVID-19, ditën e djeshme. Në total, gjatë 24 orëve të fundit, janë kryer 29 teste, nga të cilat 2 rezultuan pozitiv.

Ora 10:09
Shënohet viktima e 30-të nga COVID-19 në Shqipëri/ Humb jetën 52-vjeçari, person kontakti nga të infektuarit në fasoneri

Koronavirusi ka marrë një tjetër jetë! Mëngjesin e sotëm ndërroi jetë një 52-vjeçar nga Kruja me iniciale S. B. i cili qëndroi për 8 ditë në reanimacion i intubuar në spitalin infektiv. Mësohet se ai vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese. Burime për Report Tv bëjnë me dije është person kontakti nga të infektuarit në fasoneri. 

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Vicidoli: 28/04/2020 12:12

    Vec Doktor Bitisha parandaloi koronen.Edvin Mafia don me dek popullin e vet me u pasurue vec per vedi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Nëse SPAK-ut i rruhet për Ilirin dhe Monikën, ka 11 banjo tek një vilë në Gji të Lalëzit

Nëse SPAK-ut i rruhet për Ilirin dhe Monikën, ka 11 banjo tek një vilë në Gji të Lalëzit