15 vite në internim, Lekë Tasi rrëfen “Grabjanin rrëzë kodrave”

Kush harron të shkuarën, rrezikon ta përsërisë atë. Kësaj here “Letërsia, si vend kujtese” nën moderimin e gazetares Fatmira Nikolli sjell autorin Lekë Tasi për të promovuar librin e tij, “Grabjani rrëzë kodrave” dhe për të diskutuar në një panel mbi përjetimet personale në fshatin famëkeq të Grabjanit. Vet autori i librit, piktori Lekë Tasi teksa rrëfen se përse e ka shkruar këtë ditar shprehet se në të nuk sjell vetëm vuajtjet e tij edhe të familjes së tij në diktaturë apo dënimet, internimet e torturat çnjerëzore, por ndalet tek rëndësia, që duhet të zërë kujtesa historike tek brezat që vijnë.

“Ka qenë relativisht e lehtë, sepse ishte e freskët, nëse do ta kisha lënë edhe pak ashtu siç e kam zakon për shumë gjëra, do të ishte zbehur. Ndërsa, mua më nxitën njerëzit, Petro Zheji, që të shkruaja këtë kapitull të jetës sime, që e kalova në të gjallë. Duhet t’ju them se nëse sot vete në dyqan edhe merr çfarë të duash, atëherë ishte torturë që të blejë gjërat më vitale. Edhe bukën. Kam vrarë kokën duke pritur në radhë”, shprehet piktori Lekë Tasi.

Ende edhe sot, 30 vite pas rënies së regjimit komunist, në moshën 90-vjeçare Lekë Tasi rrëfen frikën më të madhe, që kishte asokohe, kur jetonte në Grabjan, por edhe dëshirën e tij të madhe për të thënë të vërtetën pa mllefe.

“Frikë kisha nga e nesërmja. A do të mjaftonte paga që merrja, pasi ndonjëherë ulej në minimale? E kisha këtë frikë. Grabjani ishte një përqendrim edhe vendasish edhe të ardhurish me dëshirë, edhe ish- të internuarish. Ishte një kaleidoskop nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, kishte njerëz të mirë edhe të dobët”.

Lekë Tasi u rekomandon të rinjve, që të formohen duke njohur të shkuarën, edhe jo duke e harruar atë.
“Të rinjve do t’u rekomandoja që ta lexonin këtë libër, sepse janë shumë të zënë me vogëlima. Është një libër që mund të formojë ndonjë-farë njohje të së kaluarës siç ka qenë. Por është shkruar pa mërzinë e ankimeve të shpeshta, që kanë këta libra të kësaj literature”.

Lekë Tasi studioi violonçel. Fillimisht ka punuar si celist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës , por u pushua për motive politike. Gjatë viteve 1975-1990 u internua nga sistemi familjarisht në Grabjan të Lushnjës. Me kthimin e tij në Tiranë pas internimit në vitin 1990, ai rifilloi të pikturojë dhe shkruajë.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Lufta në Izrael, bastisje të reja në Rafah: Tre të vdekur! Media izraelite: Pushtimi afër

Lufta në Izrael, bastisje të reja në Rafah: Tre të vdekur! Media izraelite: Pushtimi afër