Dy artistë napolitanë në kryeministri, tentojnë të çmitizojnë Perëndimin (VIDEO+FOTO)

Skulptorët italianë Emiliano Perino dhe Luca Vele çelin në Qendrën për Hapje edhe Dialog, ekspozitën “Premtime perëndimore” nën kurimin e Gaetano Centrone-s dhe Genti Gjikolës. Artistët nëpërmjet gazetave, duke përdorur karta pesta-n në 30 vepra arti trajtojnë disa nga tematikat më tensionuese të shoqërisë së sotme, politike edhe sociale, për luftërat dhe paqen.  Për kamerën e “ReportTV” kuratorët edhe artistët zbulojnë ëndrrat e mëdha të luksit dhe mirëqenies së botës perëndimore, si premtime të rreme dhe të pamenduara.

“Titulli që kam zgjedhur “Premtime perëndimore” lidhet edhe me ato që janë punët e tyre më të rëndësishme. “West” janë premtimet e shoqërisë perëndimore, që është e veshur me mitin e një  epërsie, e një ngjyrosjeje. Edhe nëse duam ta ndjekim mirëqenin, deri në nivelet që nxitemi. Mirëpo këto premtime gjatë 10-vjeçarit të fundit janë zbehur, duke krijuar një krizë të madhe që këta artistë kanë ditur ta interpretojnë”, thotë kuratori Gaetano Centrone.

Ndërsa kuratori i Qendrës për Hapje edhe Dialog, Genti Gjikola, ndalet më gjerësisht tek teknikat dhe tematikat, që këta artist eksplorojnë gjatë punës së tyre

“Nuk është hera e parë që këta dy artistë vijnë në Shqipëri. M’u duk shumë interesante afërsia gjeografike në të cilën ne jemi, ndërsa mënyra e shprehjes ishte e ndryshme nga ajo që ne njohim. Hapi i tyre i parë drejt të qenit artist bashkëkohor është që të shprehen drejt një teknike të re, që janë brumë letre të përzier me ngjitës, të cilët lihen edhe thahen, duke i dhënë formë këtij materiali papier mache, edhe pastaj mes skulpturës dhe pikturës shprehen plotësisht. Janë të cilët janë pro jetës dhe zhvillimeve natyrale të jetës, kundër torturave të kafshëve apo përdorjes së tyre, si objekte luksi, janë pro ekologjisë, pro një jete të pastër edhe pro një jete bio, duke i bërë jehonë traditës së lashtë arkeologjike” , thotë ndër të tjera kuratori Genti Gjikola.

Dy artistët italianë nga Napoli janë bërë pjesë e panoramës ndërkombëtare në vitin 1999, duke u bërë pjesë e Bienales së Venecias me “Lëkurë elefanti”, e cila është ekspozuar  në COD, ndërsa më Shqipëri Perino & Vele kanë qenë protagonist të ekspozitës “Onufri”

“Le të themi se vepra “Lëkurë elefanti” ka disa pika të forta edhe nga ana teknike, përsa i përket punës së Perino & Vele.  Ata kanë përdorur edhe karta-pesta (teknikë që lejon përdorimin e gazetave) për të realizuar këtë vepër, por edhe skulptura të tjera. Karta pesta është marrë në rajonin e tyre, në Napoli për të krijuar personazhet e grazhdit. Kështu është një formë artizanale shekullore, të cilën ata e kanë ripropozuar. Për të bërë këtë kanë përdorur gazeta italiane si “Corriere dello sport”, “La repubblica”, gazeta që kanë dhe gradacione të ndryshme ngjyrash.  E falë kësaj arrijnë të krijojnë larmishmëri ngjyrash. “Lëkura e elefantit” është pikërisht simboli i epërsisë, bojatisjes, dëshirës për të imponuar shoqërinë perëndimore.  Pastaj mbërrihet tek kjo kafshë e mrekullueshme, në të cilën janë mbështetur dy kolltuqe prej hekuri, të cilat nuk janë aspak komod për t’u ulur, e kështu të bëjnë të reflektosh rreth kësaj parehatie që krijojnë. Kjo është një skulpturë, sipër së cilës mund të ecësh apo mund të ulesh. Kështu gjatë krijimit ka ndjekur një koncept mjaft avangardë”, shprehet kuratori italian Gaetano Centrone.

Artistët na rrëfejnë se prej 25 vitesh ata bashkëpunojnë së bashku, sepse kanë ndarë me njëri-tjetrin këndvështrime të ngjashme për artin
“Ne punojmë së bashku prej ’94-ës. Jemi njohur në Liceun Artistik të Beneventos, kemi qenë në një klasë dhe pasioni për artin bashkëkohor na lidhi edhe më shumë.  Të dy që në atë periudhë frymëzoheshim nga artistët bashkëkohorë, e kështu që miqësia zgjati edhe pas shkollës, pasi këndvështrimi ynë për artin ishte i ngjashëm. Kur punët tona ishin individuale ne udhëtonim së bashku për t’u treguar punën tonë kuratorëve, të cilët nuk arrinin të dallonin punët e njërit nga të tjetrit, sepse praktikisht punët ishin shumë të ngjashme. E kështu disa persona të fushës na këshilluan të nisnim të krijonim disa punë me katër duar. Dhe kështu nisi rrugëtimi artistik i Perino & Vele”, thotë skulptori Emiliano Perino.

Skulptori Luca Vele na rrëfen edhe arsyet, se përse veprat e tyre vijnë nën titullin “Premtime perëndimore”, në kryeministri.

“Sepse, kur erdhën shqiptarët tek ne, ata na tregonin si të thuash “ëndrrën italiane”, ëndrrën e Perëndimit, por ne duam të themi se premtimet janë të tilla. Pra nuk është “ar çdo gjë që shkëlqen”, kështu që le të themi se janë bërë dhe vepra jo të mira edhe Perëndimi është edhe i tillë. Kjo ka të bëjë për shembull me dëmet ekologjike, luftërat. Në shumë punë kemi trajtuar edhe tematikën e torturave në Luftë. Në fillim mbi njerëzit e pastaj mbi kafshët.  Ndonjëherë, duke denoncuar në mënyrë ironike e herë të tjera në mënyrë dramatike. Pra si të thuash shpalosim edhe këtë anë të Perëndimit, duke thënë se nuk është çdo gjë kaq e bukur”, shprehet artisti Luca Vele.

Ndërsa, kuratori italian teksa thotë se artistët shqiptarë janë protagonist në skenën ndërkombëtare, ndalet dhe tek arti i kryeministrit Edi Rama

“Me siguri që ai është një protagonist. E kam parë ndërsa mori pjesë në Bienale 2 vite më parë, por mbi të gjitha ajo çka dua të them është se Shqipëria prodhon artistë realisht interesant. Disa prej tyre janë protagonistë, e duke jetuar edhe në vende të tjera kanë më shumë mundësi të marrin pjesë në vente shumë të rëndësishme. Por ka edhe të tjerë që vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri e që janë aktiv e po aq interesant. Kurioziteti, aftësi interpretimi ,origjinalitet, këto janë karakteristika që e bëjnë një artist të jetë realisht artist, dhe këtu ka shumë të tillë. E kam vënë re edhe në Bienalen e Venecias, se artistët shqiptarë janë shumë interesantë dhe kanë gjithmonë diçka për të thënë, ata nuk janë autoreferencialë dhe kjo është shumë e rëndësishme. Arti i kryeministrit shqiptar me siguri që bie në sy. Ai ripërdor disa elementë që vijnë nga kultura dhe background-i i tij, duke u dhënë një interpretim unik e duke i propozuar në një mënyrë interesante. Jemi realisht kurioz të shikojmë se çfarë do të bëjë gjatë viteve të ardhshme, sepse sigurisht që emri i tij ngjall kureshtje për atë që do të ndodhë”, shprehet Gaetano Centrone.

Ekspozita do të qëndrojë hapur nga data 19 shtator-31 tetor 2019 në Qendrën për Hapje edhe Dialog.

 

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Bulqizë/ Ishte duke riparuar një defekt, elektricistin e zë korrenti, mbetet i plagosur

Bulqizë/ Ishte duke riparuar një defekt, elektricistin e zë korrenti, mbetet i plagosur