Sulm me gurë qendrës shëndetësore në Elbasan, ndalohet autori! Balla: Motivim i pastër politik e nxitur nga gjuha e urrejtjes ndaj bluzave të bardha! Bardhi: Lojë politike me histori të rremë

Qendra Shëndetësore në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan ka rënë pre akteve vandale, ku një person ka qëlluar me gurë duke thyer disa nga xhamat e dritareve të saj. Kjo qendër kishte vetëm 2 muaj që ishte rikonstruktuar dhe i ofron shërbim 7 mijë banorëve, ndërsa policia ka ndaluar autorin që ka dhunuar goditën dhe ka vendosur procedim në gjendje të lirë ndja tij. Sipas policisë autori A.B., banues në Elbasan, rreth orës 12:00 , ka goditur me gurë dritaret duke thyer xhamat  e Qëndrës Shëndetësore, ndërsa në vendin e ngjarjes janë disa xhama thyer, copat e të cilit ndodhen ende aty si dhe një gur i madh që është përdorur nga ai.

Në lidhje me këtë akt vandal, ka reaguar edhe deputeti Taulant Balla, i cili i ka cilësuar këto sulme si të frymëzuar nga nxitjet dashakeqe të politikës kundër bluzave të bardha.

Balla duke e konsideruar  dhunimin e kësaj qendre shëndetësore si sulm të paprecedentë, ka bërë thirrje që opozita të ndal sulmet dashakeqe ndaj bluzave të bardha, pasi nxisin sulme të tilla dhe se qendrat shëndetësore janë të të gjithëve, pa dallim partie.

"Mjaftojnë thirrjet e 2-3 politikanëve, personifikim i së keqes që të motivojnë njerëz të papërgjegjshëm, të cilët marrin guximin dhe godasin me gurë qendrën shëndetësore e cila u vjen në ndihmë të gjithë banorëve të kësaj zone. Janë më shumë se 7 mijë banorë që marrin shërbim këtu. E rikonstruktuar tërësisht sipas të gjitha standardeve, vetëm dy muaj më parë, persona të papërgjegjshëm marrin guximin të godasin këtë godinë e cila është në shërbim të të gjithëve pa dallim partie. Nuk e di ku e gjejnë guximin të godasin mbi institucionet e shëndetit publik. Prandaj, i bëj thirrje Lulzim Bashës, Ilir Metës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit të heqin dorë nga balta kundër bluzave të bardha në këto ditë të vështira. Janë mjekët, infermierët, i gjithë stafi spitalor që po bëjnë një punë të shkëlqyer në përballje me këtë armik i cili po godet të gjithë botën.Thirrjet, që motivojnë personat e papërgjegjshëm, me histori morgjesh dhe fshehje të numrit të të vdekurve, duhet të ndalen. Ne jemi Shqipëri dhe Shqipëria ka zakone të përcjelles dhe nderimit të të vdekurve dhe sipas zakonit në Shqipëri nuk mund të fshihen të vdekurit, por jemi të gjithë bashkë për t'i nderuar dhe për të ngushëlluar familjet. Por, akte si ky që ka ndodhur në Elbasan, ku motivimi i poshtër dhe i pisët politik, çon në goditjen e qendrave shëndetësore është i papranueshëm", tha Balla.

Në të njëjtën linjë ka qenë edhe reagimi i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila e konsideron këtë ngjarje si të nxitur nga gjuha e urrejtjes. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i PD, ku përmes Gazmend Bardhit i ka cilësuar  akuzat e Ballës si një lojë politike me jetën e shqiptarëve. Sipas Bardhit, sulmi i qendrës shëndetësore është një histori e rremë për të hequr vëmendjen nga problemi i vërtetë siç ai e quan, që është fshehja e viktimave të COVID-19 nga qeveria.   

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:37
Copa xhami të shpërndara, pamjet nga dëmtimi i qendrës shëndetësore në Elbasan (VIDEO)

Qendra Shëndetësore  në lagjen "Skëndëbej" në Elbasan u dhunua ditën e sotme nga një person, i cili është arrestuar, ndërsa sipas policisë ka qenë i dehur. Në vendin e ngjarjes janë disa xhama thyer, copat e të cilit ndodhen ende aty si dhe një gur i madh  cili është përdorur nga autori.

 

Ora 15:49
'Sulmi ndaj qendrës shëndetësore ka pasur motiv politik'/ Bardhi- Ballës: Lojë politike për të krijuar një histori të rremë kundër Bashës

Akuzat e socialistëve se sulmi ndaj qendrës shëndetësore në Elbasan ka pasur motivim politik, demokratët e quajnë një lojë politike me jetën e shqiptarëve. Nga selia blu është numri 2 i PD-së, Gazment Bardhi i cili i ka kthyer përgjigje Taulant Ballës.

Sipas Bardhit, sulmi i qendrës shëndetësore është një histori e rremë për të hequr vëmendjen nga problemi i vërtetë siç ai e quan, që është fshehja e viktimave të COVID-19 nga qeveria. Ai i ka ribërë thirrje Prokurorisë që të nis hetimet.

"Edhe një herë Rama vazhdon të luajë politikisht me jetën e shqiptarëve. Ai dërgoi Taulant Ballën për të krijuar një histori të re të rreme për të sulmuar Lulzim Bashën, sepse ende nuk ka një përgjigje për fshehjen e numrit të vdekjeve të shkaktuara nga pandemia. Edi Rama vetëm po përpiqet të largojë vëmendjen e qytetarëve nga vonesa e pajustifikuar në zbardhjen e së vërtetës. Ne përsërisim thirrjen ndaj prokurorisë të nisë hetimet për fshehjen dhe manipulimin e të dhënave për numrin e të vdekurve nga covid19. Kjo nuk është një çështje politike, por është një çështje thelbësore për të gjithë shqiptarët. Populli shqiptar e ka aftësinë të mos bjerë pre e manipulimeve të Edi Ramës", shkruan Bardhi.

Qendra Shëndetësore në lagjen "Skëndërbej" në Elbasan ra sot pre e sulmit vandal ku një person ka qëlluar me gurë duke i thyer disa nga xhamat e dritareve të saj. Lidhur me këtë reagoi numri 2 i PS-së, Taulant Balla i cili i cili i ka cilësuar këto sulme si të frymëzuar nga nxitjet dashakeqe të politikës kundër bluzave të bardha. 

Ora 15:41
Sulm me gurë qendrës shëndetësore/  Manastirliu: E nxitur nga gjuha e urrejtjes që përdoret ndaj bluzave të bardha

Në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e sotme në Elbasan, ku u sulmua me gurë një nga Qendra Shëndetësore në këtë qytet, ka ardhur edhe reagimi i ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Përmes një postimi në Facebook ministrja e konsideron këtë ngjarje si të nxitur nga gjuha e urrejtjes.

"Gurët e hedhur sot mbi qendrën shëndetësore në Lagjen Skënderbej në Elbasan, të cilën vetëm pak muaj më parë e rindërtuam me standardet më të mira pas braktisjes prej 4 dekadash, janë një akt agresioni kundër institucioneve jetëshpëtuese, të frymëzuar prej gjuhës së palogjikshme të urrejtjes, që po përdoret këto kohë kundër bluzave të bardha.

Dënoj me forcë këtë akt të dhunshëm, dhe mbështes me forcë punën e çdo mjeku e infermieri që shërben me përkushtim në këto kohë të vështira, në çdo cep të Shqipërisë.

Bluzat e bardha meritojnë mirënjohjen tonë dhe jo dhunën verbale të kujt ka humbur busullën ka shkruar Manastirliu.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • meri: 21/11/2020 16:14

    SKANDAL....,gjeja me e ulte qe mund te bej nji qenie njerzore,ç'do njeri nga Ne,ka nevoje per perkujdesje shendetesore ,nga momenti qe lindim ,e deri ne vdekje.Ky personi mund te ket para,dhe vete e kurohet ne privat por,ç'far borzhi i kan bonoret e tjere qe nuk munden,dhe kan paguar nga taksat e tye per kete qender shendetesore?...,mua me vjen keq qe,ligjet jan shume te buta....,dhe ky personi do te shkoje ne shtepi shume shpejte.

    Përgjigju
  • Shaban: 21/11/2020 15:01

    Nxirreni me emer e surrat kush ka demtuar. Vereni te pastroje halete dhe kanalet derisa te paguaje demin.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Nuk jam krenar!' Rama fton Mark Markun në podcast e i kërkon ndjesë publike për ironinë me emrin e tij

'Nuk jam krenar!' Rama fton Mark Markun në podcast e i kërkon ndjesë publike për ironinë me emrin e tij