Kanabis me çanta shkolle nga Saranda në Greqi, zbulohet koka e grupit dhe lidhja me zyrtarin e spitalit e futbollistin (VIDEO)

Një megaoperacion ndërkombëtar antidrogë u zhvillua dje në disa qytete të Shqipërisë, në vijim të hetimeve 10 mujore mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke, që në total në këtë periudhë kanë vënë në pranga 61 persona, shqiptarë dhe të huaj mes të cilëve grekë, rusë dhe rumunë. Dje në Sarandë, policia ka bërë 14 arrestime, mes të cilëve edhe personin që dyshohet se është koka e grupit. Ai është Kledi Sadushi, një i sapoliruar nga burgjet në Greqi (një muaj më parë). Bashkë me të, u arrestuan edhe zv.drejtori i Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj, dhe futbollisti i ekipit të "Delvinës", Ardian Xhibro. Gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno zbulon se trafiku i drogës bëhej në sasi të vogla (15-60 kg), duke futur kanabisin në çanta shkolle, dhe duke e trafikuar në këmbë nga Saranda përmes kufirit të gjelbër drejt Greqisë.

Nga hetimet e nisura në shtator 2018 nga Krimet e Rënda, pas një vizite që vetë zv.drejtuesi i Prokurorisë, Anton Martini bëri në Greqi, është zbuluar se kreu i grupi  Kledi Sadushi, që njihet edhe me noftën "Kosta", është personi që siguronte drogën në qytete të ndryshme. Më tej ai mbante kontakte me zv.drejtorin e Spitalit të Sarandës dhe futbollistin. Burime nga prokuroria për gazetarin Qyno, zbardhin edhe rolet konkrete të tyre. Florenc Llanaj dhe Adrian Xhibro gjenin personat që do trafikonin drogën me çanta shpine në Greqi, kryesisht nga Memaliaj,Tepelena, Fieri dhe Elbasani. Kledi Sadushi sapo ishte liruar nga qelia në Greqi ka mbërritur në Korçë, ku sërish ka nisur organizimin e trafikut të drogës. Një ditë para se të arrestohej, "Kosta" kishte udhëtuar drejt Fushë-Krujës për të marrë një sasi kanabisi që do ta trafikonte më tej në Greqi, por shitësit nuk ja kishin siguruar akoma.

26 urdhër arreste janë lëshuar në total ditën e djeshme me vendim të Gjykatës për Krime të Rënda, 14 prej të cilave janë ekzekutuar, pas operacioneve masive të policisë dhe kontrolleve të rreth 30 banesave në disa qytete. 14 të arrestuarit janë nga Saranda, Vlora, Gjirokastra, Tirana, Korça dhe Gramshi. Ata akuzohen për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga Organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”

Dy grave, nga Saranda dhe Kuçova, u është ndaluar dalja jashtë Shqipërisë, dhe janë në masë "detyrim paraqitje. Ndërkohë, katër persona që aktualisht ndodhen në burg për vepra të tjera penale, do të hetohen edhe për përfshirjen në këtë grup kriminal. Në kërkim janë 6 persona.

Mega Operacioni është i koduar “Brezi i gjelbër”, për shkak se grupi kriminal bënte trafikun e kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër. Banda shfrytëzonte lidhje me kriminelë në Shqipëri dhe në Greqi, dhe lënda narkotike transportohej kryesisht nga Igumenica në Greqi, më tej me automjete drejt Athinës, ku bëhej edhe shpërndarja e kanabisit. Hetimi ndaj grupit kriminal vijon ku aktualisht Prokuroria është në fazën e verifikimit të aseteve të tyre kriminale.

Në total, që nga vitit 2018 kur ka nisur hetimi, këtij grupi kriminal i janë zbuluar 15 raste të trafikut të drogës. 

11 raste të drogës janë evidentuar në Greqi, ku janë arrestuar shqiptarë, grekë, rumunë, dhe bie në sy edhe prangosja e dy grave, njëra më 15 janar 2019, dhe tjetra më 21 janar 2019 sërish në Igumenicë, të dyja me banim në Sarandë.

Një tjetër grua e përshirë është vënë në pranga më 12 shkurt 2019. Ajo është me shtetësi ruse me banim në Greqi ku u ndalua me 36 kg kanabis.

4 raste të tjera janë zbuluar në Shqipëri. Drogë në Sarandë në nëntor 2018, në Durrës në dhjetor, në Fier sërish në dhjetor, dhe rasti më i fundit më 26 mars 2019 në Gostim të Cërrikut ku u vunë në pranga 3 shqiptarë.

Në 10 muajt e hetimeve, në total janë sekuestruar mbi 1 ton kanabis, mbi 1 kg heroinë e kokainë, lëndë narkotike çokollatë, armatime, 25 automjete, dhe sasi të konsiderueshme vlerash monetare.

Tetë nga të arrestuarit:  Klejdi Sadushi – Koka e grupit / Florenc Llanaj -  Nëndrejtori i Spitalit të Sarandës / Adrian Xhibro - Futbollist i Delvinës, Petrit Nanaj, Edvin Xhibro, Mikel Jorgji, Odise Ymeri dhe Armando Zholi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:41
Nëndrejtori trafikant i Spitalit Sarandë, djali i themeluesit të PS-së në Sarandë, 'dështoi' dy herë të kryesojë FRESSH-in /FOTO

1557227000_florencllanaj001.jpg

Nëndrejtori i Spitalit të Sarandës, Florenc Llanaj, është mes grupit të të arrestuarve në një operacion masiv të forcave speciale të policisë dje në Sarandë dhe disa qytete. Ai është vënë në pranga si pjesë e grupit kriminal që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria në Greqi.

Ende nuk është përcaktuar roli i tij, por nga hetimet e kryera në 10 muaj në bashkëpunim me autoritetet greke, zv/drejtori i spitalit dyshohet së është zbuluar nga biseda telefonike të cilat janë përgjuar nga Prokuroria për Krime të Rënda. Nga këto përgjime, Llanaj rezulton të jetë anëtar aktiv i bandës së trafikut të kanabisit, përgjithësisht përmes kufirit të gjelbër nga Igumenica.

Florenc Llanaj është djali i ish-deputetit të Partisë Socialiste, Astrit Llanaj banues në Sarandë.

Florenc Llanaj prej vitit 2012 ka punuar si financier në Bashkinë e Sarandës në sektorin e arsimit. Ka kandiduar 2 herë për kryetar të FRESSH në Sarandë dhe nuk ka fituar. Ka mbaruar për ekonomi në Fakultetin e Tiranës. Babai i tij Astrit Llanaj ka qenë themelues i Partisë Socialiste në Sarandë dhe deputet në vitet 1997-2001.

Më pas Astrit Llanaj emërohet prefekt ne Gjirokastër dhe më pas drejtor i Hidrocentralit të Bistricës. Më pas me ardhjen e Partisë Socialiste në pushtet, në vitin 2014 bëhet drejtor i Zyrës Arsimore në Sarandë derisa doli në pension një vit më parë.

I biri i tij i arrestuari Florenc Llanaj është pjesë aktive e PS në Sarande. Prej pak kohesh është emëruar zëvendësdrejtor ekonomik në Spitalin e Sarandës.

Ora 12:31
Futbollisti trafikant me lokal 10 m2 dhe i mbytur me borxhe, 'ujku' në shpinë dhe e shkuara e trishtë (FOTOT)

 

Adrian Xhibro është futbollist. Ai është mbrojtës që aktivizohet me ekipin e Delvinës, në grupin B të kategorisë së Dytë.

Xhibro, ka qenë pjesë e skuadrave si Butrinti, Albpetroli dhe së fundmi Delvina.

Xhibro është 31 vjeç nga Saranda. Ai u arrestua dje në kuadër të megaoperacionit të trafikut ndërkombëtar të drogës nga Shqipëria në Greqi.

Ka mbaruar gjimnazin "Adem Sheme" dhe jeton në Sarandë.

Ka një tatuazh me ujk në shpinë.

Në profilin e tij në Facebook ka foto familjare, por nuk mungojnë edhe fotot që shfaqin pasionin dhe profesionin e tij, futbollin...edhe pse këto foto nuk janë të shumta.

Xhibro ka edhe një lokal 10 metër katror në lagjen numër 1 në qytetin e Sarandës, një lokal i vogël lagjeje që mbledh kryesisht burrat që konsumojnë alkool. Futbollisti, nga sa mëson Shqiptarja.com, njohej si një person problematik, dhe me shumë borxhe ndaj të tjerëve.

Ora 11:30
'Policia, mos lëviz'/ Si u rrethua Saranda, dalin pamjet e arrestimit të 14 personave (VIDEO)
Ora 11:24
Nëndrejtori i Spitalit të Sarandës dhe futbollisti në pranga, zbardhen emrat e disa të arrestuarve

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta mëson emrat e 8 prej personave të arrestuar në megaoperacionin ndërkobmëtar të trafikut të drogës "Brezi i Gjelbër"

EMRAT

Florenc Llanaj, nëndrejtori i Spitalit të Sarandës

Adrian Xhibro - Futbollist i Delvinës

Klejdi Sadushi - Sapo kishte dalë nga burgu në Greqi, njihej edhe me emrin Kosta

Petrit Nanaj 

Edvin Xhibro

Mikel Jorgji

Odise Ymeri

Armando Zholi

Ora 11:14
Goditja e trafikut të drogës, zbulohet emri i prokurorit të pezulluar që doli nga përgjimet

Policia e Shtetit njoftoi sot se në kuadër të operacionit që solli dje arrestimin e 14 personave u zbulua si i përfshirë në një rast korrupsioni edhe prokurori i Gjirokastrës Spartak Çoçoli. Pas zbulimit të emrit të tij nga përgjimet ai u pezullua dhe u shoqërua për t'u marrë në pyetje duke u proceduar. Spartak Çoçoli u mor në pyetje nën dyshimet për korrupsion, ndërsa u la nga gjykata me masë sigurimi “detyrim paraqitje”.

"Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër). Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” deklaroi policia.

Por për cfarë cështje bëhet fjalë? Bëhet fjalë për një automjet të bllokuar me vendim prokurorie, dhe për ta çliruar nga sekuestroja, prokurori Çoçoli dyshohet se kishte marrë 20 mijë lekë. Pas kontrollit efektivët e policisë nuk gjetën as para, dhe asgjë të dyshimtë. Disa orë pas shoqërimit, prokurori u la i lirë.

Ora 11:10
Deklarata e PLOTË e policisë dhe Prokurorisë për megaoperacionin 'Brezi i Gjelbër'

Drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu doli në një konferencë për mediat ku dha detajet e megaoperacionit, hetimet që nga vitit 2018 dhe arrestimet e fundit, mars 2009 dhe ditën e djeshme në Sarandë. 

DEKLARATA

Mega Operacioni ndërkombëtar antidrogë “Brezi i gjelbër”

Jemi sot këtu së bashku me Prokurorin e Krimeve të Rënda për të bërë prezent për median dhe publikun një Mega- operacion ndërkombëtar, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në datë 6 maj 2019, në funksion të hetimit të procedimit penal Nr.173, të vitit 2018, Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, dhe në bashkëpunim me Agjenci të tjera ligjzbatuese në vend, në bashkëpunim të ngushtë mes Njësisë për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në DHQ dhe Autoriteteve Policore Greke, Sektorin Antidrogë, Athinë, si dhe falë koordinimit nga Qendra për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore SELEC, Rumani, pas një hetimi pro-aktiv përgjatë një harku kohor 10 mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit, dhe këmbim informacioni e korrespodence me agjenci ligjzbatuese brenda e jashtë vendit, u finalizua operacioni i koduar “Brezi i gjelbër”.

Në operacion u përshinë  Forcat e Njësive Operacionale, forcat policore FNSH si dhe ato të Drejtorive Vendore të Policive Vlorë, Gjirokastër, Fier, Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Sarandë. Gjatë operacionit u  goditën anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale.

Gjatë fazës së hetimeve 10 mujore në bashkëpunim me autoritetet policore greke janë zhvilluar operacione në Shqipëri dhe në Greqi, konkretisht:

Rastet në Greqi:

1. Në datë 06.10.2018, në Igumenicë, u sekuestruan 76 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të eksportuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestuan në flagrancë  tre shtetas shqiptarë:

K. L., banues në Berat., A.K., banues në Sarandë, A. Z., banues në Berat dhe D.B., banues në Sarandë;

2. Më datë 06.12.2018 në rrugën Filiatis - Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan 76.7 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të eksportuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër;

3. Më datë 13.12.2018 në rrugën Tamastas në Igumenicë, Greqi, u sekuestruan 44.5 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër;

4. Më datë 23.12.2018 në Athinë, është sekuestruar sasi prej 34 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të eksportuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestuan shtetasit grek  S. P.,  banues në Greqi dhe D. P., lindur në Rumani dhe banues në Greqi;

5. Më datë 15.01.2019, në Smerto, Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 35.1 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa të eksportuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestua shtetasja shqiptare K. M., banuese në Sarandë;

6. Më datë 21.01.2019 në Sajadhe, Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 22.5 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis Sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe u arrestua shtetasi shqiptare L. R., banuese në Sarandë;

7. Më datë 05.02.2019 në Igumenicë, Greqi u sekuestrua sasia prej 21.1 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa, të trafikuara nga Shqipëria nëpërmjet kufirit të gjelbër dhe janë arrestuar shtetasit shqiptarë Xh. H., banues në Korçë dhe Xh. B., banues në Korçë.

8. Më datë 07.02.2019 në Athinë janë arrestuar shtetasit shqiptar dhe dy shtetas grekë: T. H., banues në Tiranë, A.B., banues në Tiranë, S. T., banues në Delvinë, D. Zh., banues në Delvinë dhe u sekuestruan 249 gr. kokainë, 59,5 gr. Cannabis Sativa, 31 gr. pluhur i bardhë i panjohur, 8 780 Euro, etj;

9. Në datë 05.02.2019 në Igumenicë, Greqi është arrestuar një shtetas shqiptar dhe një grek: A. T., lindur në Shkodër dhe banues në Greqi dhe S. K., banues në Greqi, si dhe u sekuestruan 32,4 kg Cannabis sativa;

10. Më datë 12.02.2019 në Athinë u arrestua shtetasja ruse, I. K., lindur në Rusi dhe banuese në Greqi, u sekuestruan 36 kg Cannabis Sativa;

11. Më datë 23.03.2019 në Igumenicë, Greqi u arrestua shtetasi grek P. D, banues në Greqi si dhe u sekuestruan 66 kg Cannabis sativa;

Rastet në Shqipëri:

1. Më datë 24.11.2018 në Sarandë u arrestuan 3 shtetas shqiptarë  E. K., banues në Tepelenë, S. Ç., banues në Tepelenë, A. P., banues në Tepelenë, si dhe u sekuestrua sasia prej  32.3 kg Cannabis sativa;

2. Më datë 16.12.2018 në Durrës, u arrestuan 3 shtetasit A. C., banues në Tepelenë, E. K, banues në Tepelenë, M. A., banues në Durrës, si dhe u sekuestrua sasia prej 202 kg  Cannabis Sativa;

3. Më datë 19.12.2018 në Fier u arrestua shtetasi K. Z., banues në Zall Herr, Tiranë, si dhe u sekuestrua sasia prej 20 kg Cannabis Sativa;

4. Më datë 26.03.2019 në Gostim, Cërrik u arrestuan 3 shtetas shqiptarë Xh. S., banues në Mallakastër, A. T., banues në Fier, J. S., banues në Mallakastër, si dhe u sekuestrua sasia prej 28,6 kg Cannabis Sativa.

Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër). Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Deklaratë e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”. 

Në kuadër të këtij hetimi u bashkëpunua me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër, dhe më datë 22 dhe 23 janar 2019 u goditën 6  anëtarë të grupeve të skeduara kriminale, shtetasit:

·        I. K., banues në Tiranë;

·        D. N., banues në Memaliaj;

·        A. C., banues në Memaliaj;

·        D. N., banues në Memaliaj;

·        A. I., banues në Memaliaj;

·        E.H., banues në Tiranë.

Këta shtetas janë akuzuar për veprat penale “Vjedhje me dhunë”, “Vjedhje me armë” në bashkëpunim.

Në vijim të këtij procedimi, në datë 6 maj 2019, në zbatim të vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, janë ekzekutuar vendimet penale për caktim masash sigurimi “Arrest në burg” për 26 shtetas si dhe masat e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shteti” dhe “Detyrimi për t`u paraqitur në policinë gjyqësore” për 2 shtetase.

Gjatë  operacionit ku angazhuan qindra forca policie u kapën dhe u  ndaluan 14 shtetas si dhe janë ushtruar rreth 30 kontrolle banesash dhe ambientesh të tjera.

Ekzekutimet e vendimeve janë bërë për të arrestuarit e mëposhtëm, të cilët akuzohen për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ”Trafikim i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga Organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, konkretisht:

·        P. N.,  banues në Sarandë;

·        M. J., banues në Sarandë;

·        O. Y., banues në Sarandë;

·        B.Y., banues në Vlorë;

·        A. H., banues në Gjirokastër;

·        E. Ll., banues në Fier;

·        T. L., banues në Gjirokastër;

·        E. Xh., banues në Sarandë;

·        M. M., banues ne Tiranë;

·        K. S., banues në Korçë;

·        F. Ll., banues në Sarandë;

·        A. Xh., banues në Sarandë;

·        A. Zh., banues në Sarandë;

·        D. Xh. banues në Gramsh.

U ekzekutuan 2 masa të sigurimit personal “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetaset:

·        J. J, banuese në Sarandë;

·        S. H, banues në Kuçovë.

U ekzekutuan 4 masa të sigurimit personal “Arrest në burg”, për shtetasit e mëposhtëm, pasi në momentin e daljes së masave të sigurisë këta shtetas ndodhen të arrestuar në burg:

·        K. Z., banues në Tiranë.

·        E. H., banues në Tepelenë.

·        D. N., banues Tepelenë.

·        A. C., banues në Tepelenë.

Gjithashtu u shpallën në kërkim dhe 6 shtetas të tjerë.

Në tërësinë e këtij operacioni në mënyrë të përmbledhur janë arrestuar, ndaluar 61 shtetas shqiptar dhe të huaj.

Gjatë kontrolleve  në operacionet e zhvilluara janë sekuestruar:

·        mbi 1 ton lëndë narkotike Cannabis sativa;

·        1 kg 23 gr. lëndë narkotike heroinë e kokainë;

·        sasi lëndë narkotike çokollatë;

·        10 peshore elektronike;

·        sasi fishekësh luftarak;

·        78 telefona celularë;

·        25 automjete të ndryshme;

·        sasi të konsiderueshme vlerash monetare si euro, dollarë dhe lekë.

Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet për të zbardhur rolin dhe aktivitetin e tyre apo personave të tjerë të lidhur me ta.

Ne i sigurojmë qytetarët se do të vazhdojmë të jemi të angazhuar për të garantuar qetësi, rend e siguri, duke goditur me ashpërsinë e forcës së ligjit çdo individ të përfshirë në aktivitet kriminal. Operacioni “Forca e Ligjit” vazhdon

G.M./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilo: 07/05/2019 20:31

    Bravo na ngeli "doktoresha" e LSI pa lek.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre ish drejtori i UKT dhe IMT (AKUZAT + EMRAT)

SPAK lëshon 9 urdhër-arreste për ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, mes tyre ish drejtori i UKT dhe IMT (AKUZAT + EMRAT)