28 shkurti afati i fundit për të përfituar nga rindërtimi/ Dy dokumentet e vetme që nevojiten

TIRANË- Qytetarët të cilëve u është dëmtuar banesa nga tërmeti, duhet të nxitojnë pranë njësive administrative gjer më 28 shkurt, për të plotësuar formularin online, përmes të cilit përfitojnë nga programi i rindërtimit, më vonë do të jetë e pamundur. 

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti theksoi se aplikimi në portal pranë njësive administrative është e vetmja mënyrë se si qytetarët e prekur nga tërmeti do të mund të bëhen pjesë e programit të rindërtimit. “E vetmja mënyrë sesi qytetarët do të mund të bëhen pjesë e programit të rindërtimit është duke aplikuar në këtë portal. Më vonë do jetë e pamundur që qytetarët të përfitojnë, duke qenë se njësitë administrative nuk do kenë të mundur të mbledhin të dhënat e tyre në lidhje me strukturën familjare apo me banesën e dëmtuar”, u shpreh ajo. Ruseti inspektoi sot procesin e aplikimit në Kombinat, ku janë hapur 6 sportele, prej ku theksoi se procesi përfundon në fund të këtij muaji.

“Ky proces është hapur në datën 29 janar dhe përfundon në datën 28 shkurt. Duam t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve, të cilët janë prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor, se pavarësisht nivelit të dëmit që ata kanë pasur, t’i drejtohen 27 njësive administrative të Bashkisë së Tiranës për të plotësuar formularin online, për t’u bërë pjesë e përfitimit nga programi i rindërtimit”, sqaroi Ruseti.

Pranë sporteleve të hapura në të gjitha njësitë administrative, qytetarët mund të raportojnë që nga dëmet më të lehta, deri tek ato që kanë të bëjnë me rindërtimin nga e para të banesës së tyre.

“Kjo nënkupton se raportimin nga dëmet më të lehta deri te rindërtimi i shtëpisë nga e para, apo bërjen pjesë të qytetarëve nga rindërtimi i lagjeve të reja. Të gjitha njësitë tona administrative janë në gatishmëri për t’ju pritur. Kemi shtuar sportelet, aktualisht në Kombinat kemi arritur në 6 sportele, për të lehtësuar gjithë procedurën dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që të bëjnë aplikimin në mënyrën më të shpejtë e më korrekte të mundshme”, deklaroi nënkryetarja e bashkisë.

Ruseti sqaroi procedurën e thjeshtëzuar sesi qytetarët mund të aplikojnë për të përfituar nga ky program. “I vetmi dokument që duhet të keni në momentin e aplikimit është vetëm karta e identitetit dhe akti i verifikimi, të cilën nëse nuk e ka individi, një kopje të saj e ka patjetër njësia administrative ku do aplikoni, si dhe certifikata e pronësisë së banesës apo çfarëdo lloj dokumenti tjetër i cili vërteton pronësinë e banesës së dëmtuar nga tërmeti i datës 26 nëntor”, deklaroi ajo.

B.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Ju duket i drejtë ndëshkimi deri edhe me burg për shkelësit e rregullave gjatë emergjencës së koronavirusit?

Komento