68 të vrarë në 2018, si lidhen vrasjet me krimet për drogë, zbuloni ku renditemi në rajon

68 të vrarë në 2018, si lidhen vrasjet me krimet për drogë, zbuloni ku renditemi në rajon

Në Shqipëri, në vitin 2018 humbën jetën nga vrasjet e qëllimshme 68 persona, nga të vilët 53 ishin burra dhe 15 ishin femra, sipas të dhënave që janë publikuar nga Instituti i Statistikave.  Numri ishte më i lartë sesa autorët e vrasjeve me dashje, që ishin gjithsej 60, për shkak se një person mund të ketë shkaktuar më shumë se një viktimë, siç ishte rasti i masakrës së Selenicës që vrau 8 të afërm në verë të vitit të kaluar.

Në raport me një vit më parë, numri  i viktimave që kanë humbur jetën nga vrasjet ka mbetur i pandryshuar në 68, por në 2017-n kishte më pak femra të vrara (12) dhe më shumë meshkuj (56).

INSTAT i raporton të dhënat e detajuara, për numrin e të dëmtuarve sipas veprave penale dhe gjinisë, që nga viti 2015.

Nga të dhënat rezulton se numri më i lartë i viktimave nga vrasjet ishte në vitin 2016, me 99 të tillë, nga të cilët 82 ishin meshkuj. Kjo periudhë përkon me masivizimin e kultvimit të kanabisit në vend, ku siç është pranuar zyrtarisht kishte rreth 2,000 plantacione të mbjella. Të dhënat e INSTAT tregojnë se ka një lidhje të drejtë mes  vrasjeve dhe veprave penale të evidentuara për drogë. Një tjetër tabelë e INSTAT nxjerr në pah se në 2016-n kemi dhe numrin më të lartë të krimeve në fushën e drogës, me rreth 3,200 të tilla, nga rreth 2,000 që ishte mesatarja e viteve të tjera.

Edhe 2019-a nuk ka nisur mbarë, ku vetëm javën e kaluar u shënuan katër vrasje në vend.

Deri në fund të vitit 2017, në vend kishte 992 të burgosur për vrasje, nga të cilët 18 ishin femra. Në raport me 2015-n, kur në bursi ishin 1470 persona për vrasje, numri i tyre ka rënë me 32%, kryesisht për shkak të amnistive të kryera.

Ndërsa numri i të burgosurve për krimet e drogës, në 2017-n ishte rreth 1600, duke “zënë” burgjet shqiptare, teksa përbënte gati 30% të totalit të të burgosurve në vend.

Në raport me popullsinë, në 2018-n, Shqipëria rezulton me rreth 2.5 vrasje për 100 mijë banorë. Sipas të dhënave të Zyrës Kundër Drogave dhe Krimeve të Kombeve të Bashkuara (UNODC), që i referohen vitit 2016, në rajon, Shqipëria është e dyta për nga numri më i lartë i vrasjeve në raport me popullsinë. I pari është Mali i Zi (4.34), më pas vjen Shqipëria, pastaj Kosova (1.6) Maqedonia (1.59), Serbia (1.39), Bosnja (1.28).

Në Europë vrasjet më të mëdha shënohen në ish vendet e Bashkimit Sovjetik, Rusia (10.8 vrasje për 100 mijë banorë),  Ukrania (6.3), Turqi (4.3). Në vendet e Europës Perëndimore, ky tregues luhatet në rreth 1 vrasje për 100 mijë banorë. Shtetet ku ndodhin më pak vrasje janë Sllovenia, Islanda, Norvegjia etj.

Në botë, rekord për vrasjet e qëllimshme mbajnë shtete si Venezuela (56.5), Brazili (29.5), Kolumbia, me 25.5 vrasje për 100 mijë banorë, Meksika (19.3) etj, me dy të fundit që njihen për kartelet e fuqishme që kanë në fushën e drogës./ Monitor


Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Partia e Mitsotakis kandidon Fredi Belerin për eurodeputet, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Veliaj me strukturat e PS-së në Kavajë: Sot fillojmë maratonën për zgjedhjet e ardhshme, do fitojmë 5-0! Sulmet non stop ndaj Tiranës, të planifikuara

Veliaj me strukturat e PS-së në Kavajë: Sot fillojmë maratonën për zgjedhjet e ardhshme, do fitojmë 5-0! Sulmet non stop ndaj Tiranës, të planifikuara