Urbanistika: Asnjë ndërtim në qendër

DURRES (1/12/2000) Durrësi ka tre muaj pa KRT. Mbledhja e fundit e Këshillit të Rregullimit të Territorit daton me të shtunën e fundit të muajit gusht. Më pas fushata elektorale dhe situata paszgjedhore e kanë pushuar ekzistencën e këtij komisioni që funksionon pranë Bashkisë së Durrësit. Me përfundimin e mandatit të Këshillit Bashkiak të kaluar edhe KRT-ja pushoi së ekzistuari. Por, megjithëse ka më shumë se 1 muaj që Këshilli i ri Bashkiak ka nisur aktivitetin e tij, KRT ende nuk është zgjedhur prej tyre. Kjo për shkakun se në mbledhjen e dytë të Këshillit, grupi i këshilltarëve socialistë e kundërshtoi KRT-në e paraqitur nga kryebashkiaku Hoti. Në këto kushte, me dhjetëra kërkesa nga pronarë trojesh si dhe firma ndërtimi kanë depozituar kërkesat e tyre në Bashkinë e Durrësit pa mundur të marrin asnjë përgjigje për t'i ndezur dritën jeshile punimeve të paraqitura nëpër projekte gjithashtu të depozituara në këtë Bashki. Shefja e zyrës së Urbanistikës, Lida Miraj, thotë se është grumbulluar mjaft material, por nuk mund të marrë dot përgjigje pa miratuar njerëzit që do të vendosin për ndërtimet që do të bëhen në qytetin e Durrësit, gjatë këtyre 3 viteve të ardhshme. "Shpresoj, shton ajo, se në mbledhjen që do të zhvillohet të premten, do të marrë fund edhe ky problem dhe t'i hapet rrugë institucionale funksionimit të KRT-së së re". Shefja e urbanistikës gjithashtu sqaron se pas institucionalizimit të këtij komisioni ajo ka përgatitur një material, me të cilin do të njohë pjesëtarët me problematikën e ndërtimeve në qytetin e Durrësit. Sipas Miraj, janë dëmtuar rëndë mjaft nga zonat me traditë urbanistike në qytetin bregdetar siç janë qendra e qytetit, zonat pranë vendeve arkeologjike, dhe të tjera. Madje, Miraj ka bërë edhe deklaratën, sipas të cilës në qendrën e Durrësit nuk do të miratohen më leje ndërtimi për të ruajtur atë trashëgimi urbanistike që ka mbetur pa u dëmtuar. Kjo ka sjellë jo pak reagime nga ana e pronarëve të tokave apo nga firmat e ndërtimit që kanë rënë në marrëveshje me pronarët e tokave për të ngritur në këto zona, ku apartamentet më pas kanë çmime të kripura.

//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

'25 prilli, ditë e zezë në historinë e demokracisë së Shqipërisë'