A ka ndryshuar qëndrimi i Francës karshi Kosovës ndër vite?

A ka ndryshuar qëndrimi i Francës karshi Kosovës ndër vite?

Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Kërkesa e fundit e Francës që në veri të Kosovës të mbahen sa më shpejt zgjedhje të reja dhe thirrja e Parisit që Prishtina të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të rrugës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kanë ngritur zëra se francezët janë kundër Kosovës, apo se po ia mbajnë anën Serbisë.

Disa e kanë rikujtuar edhe kërkesën që pati bërë Franca për ta lidhur liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian, me hyrjen në fuqi të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS).

Ambasadori i parë i Kosovës në Francë, Muhamedin Kullashi, nuk pajtohet me këto pikëvështrime. Por, redaktori për Evropën i Radios Evropa e Lirë, Rikard Jozwiak, beson se Franca nuk po i shfrytëzon të gjitha kapacitetet që ka për t’i ndihmuar Kosovës.

“Kthesa e madhe” e Francës ndaj Kosovës

Nëpërmjet një komunikate, më 23 prill, Presidenca e Francës ka theksuar se mbështetja e Parisit për pavarësinë e Kosovës dhe për integrimin evropian të vendit, mbetet e palëkundur.

Edhe Kullashi, dikur profesor i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës dhe më pas në Universitetin Parisi 8, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuancat e vogla, ndryshe në krahasim me vendet tjera perëndimore, për ndonjë problem konkret, nuk nënkuptojnë ndryshim të qëndrimit shtetëror.

“Edhe amerikanët, edhe britanikët, i kanë afërsisht kërkesat e njëjta lidhur me zgjidhjen e problemeve që i ka Kosova”, është shprehur ai, duke insistuar se vendet perëndimore koordinohen para çdo veprimi të madh.

Duke i komentuar zërat që e afrojnë Francën me Serbinë, Kullashi ka thënë se ndonëse të dyja vendet kanë kultivuar tradicionalisht marrëdhënie të mira, kthesa e madhe është bërë kur Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ka intervenuar kundër objektivave të ushtrisë jugosllave, më 1999.

Kullashi ka thënë se që nga takimet që ka pasur më 1999 me presidentin e atëhershëm francez, Jacques Chirac, e ka parë vendosmërinë e Francës për t’i ndihmuar Kosovës, teksa ka pohuar se atmosferë e njëjtë ka vazhduar në Paris edhe gjatë viteve 2008-2016, kur shërbente si ambasador në Francë.

Franca ka qenë ndër vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa, sipas Kullashit, rrjeti diplomatik francez i ka ndihmuar shumë Kosovës me njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Si shembull konkret, ai ka përmendur ndihmën e Francës në integrimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Diplomatët francezë e kanë kuptuar presionin që ka bërë Rusia te 10 vende afrikane, që të mos e votojnë anëtarësimin e Kosovës. Pas një kërkese që presidenti François Hollande ua ka dërguar shefave të shteteve që kanë shprehur rezerva, të gjitha janë pajtuar për anëtarësim të Kosovës”, ka thënë Kullashi, autor i dy librave për marrëdhëniet e Kosovës me Francën.

Si mbështetje shumë të madhe për Kosovën, Kullashi e ka përmendur edhe kontributin e Francës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 2010 konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ai ka thënë se ekspertë të lartë juridikë francezë përgatitën një raport prej 70 faqesh për të mbrojtur rastin e Kosovës./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Sot Dita e Dëshmorëve, nderohen të rënët në luftë për atdheun

Sot Dita e Dëshmorëve, nderohen të rënët në luftë për atdheun