A1Report zbulon fotot e të 4-tit
në pranga për avionin e Divjakës

A1Report zbulon fotot e të 4-tit<br />në pranga për avionin e Divjakës
TIRANE - A1 Report publikon foto eksluzive në një oaz droge të ndihmësit të korrierit të drogës që do trafikohej me avion nga plazhi i Divjakës për në Leçe, në Itali. Kleviol Ahmetaj, duket në foto duke pozuar mes drogës dhe me një armë pistoletë në dorë. 

Drogë me shumicë dhe armë! Kjo duket të jetë jeta e Klevion Ahmetajt, ndihmësit të korrierit të drogës së destinuar për t’u trafikuar nga plazhi I Divjakës për në Leçe të Italisë. 

A1Report publikon fotot ekzluzive prej një baroni droge të Ahmetajt, me armën dhe drogën që e shoqëron në çdo moment. Në foton e parë ai duket në ambjentet e një dhome, ku përgatit dhe paketon marijuanën. 

Ndërsa në foton e dytë duket se është duke tymosur marijuanë në ambjentet e një lokali, ku nuk e ka problem të nxjerrë dhe të mbajë pistoletën në një ambjent të dukshëm, ku ka edhe klientë të tjerë. Fotot tregojnë për aktivitetin e vazhdueshëm kriminal të Ahmetajt me paketimin dhe shpërndarjen e marijuanës, si edhe rrezikshërinë e tij në kushtet e mbajtjes së armëve pa leje dhe i dehur nga konsumi i marijuanës. 

Ahmetaj u arrestua pasditen e të mërkurës në Lushnjë, nga skuadrat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale. Arrestimi erdhi pas një mandati të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi gjurmët e gishtërinjve të tij në pakot e drogës së sekuestruar në plazhin e Divjakës në 10 maj. Ahmetaj, akuzohet se bashkë me Aurel Pupen, po nga Lushnja, kanë paketuar dhe ndihmuar Bajramajn të dërgojë drogën në plazh.

Nga këtu, droga do të merrej me avionin tip Piper, nga piloti italian Giorgo Riformato. Piloti bëri një ulje të pafat duke dëmtuar rrotën e parë të avionit, çka bëri që të ngecte në rërën e plazhit të Divjakës, pa e ngarkuar drogën që do e dërgonte në Leçe. 

Për trafikimin e mbetur në tentativë të rreth 460 kg marijuanë, janë aktualisht 4 të arrestuar ndërsa hetimet e krimeve të rënda vijojnë.

Kleviol Ahmetaj me logo
Kleviol Ahmetaj me logo
(Në foto: I arrestuari i katërt, Kleviol Ahmetaj i cili bëri paketimin e drogës) Foto të tjera

BIE NË “RRJETË” I KATËRTI, PAKETOI DROGËN E DIVJAKËS

Kur janë mbushur 26 ditë nga kapja e avionin italian në zonën e Divjakës, i cili kishte parashikuar të ngarkohej me drogë dhe më pas të udhëtonte në drejtim të Italisë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar në 4 numrin e person të arrestuar për këtë çështje.

Policia e Fierit gjatë orës 22:30 të mbrëmjes së djeshme ka arrestuar në banesën e tij shtetasin Kleviol Ahmetaj, i proceduar penalisht dhe arrestuar në 2008 për akuzën e përdhunimit të një minoreneje. Identifikimi i Kleviol Ahmetaj nga sa mësohet është bërë nëpërmjet gjurmëve të gishtave që janë gjetur në pakot e lëndës narkotike të sekuestruar në pyllin e Divjakës. Pas arrestimit në Lushnjë, Ahmetaj është shoqëruar në admbientet e Drejtorisë së Fierit, ku pritet që ditën e sotme të transportohet në drejtim të Tiranës, për të dhënë llogari tek prokurorët e Krimeve të Rënda. Tashmë numri i personave të shpallur në kërkim shkon në 3, ndërkohë në pranga për çështjen e trafikut të drogës me avion, kanë rënë shtetasit Sajmir Bajrami, Giorgio Riformato, Aurel Pupa dhe Kleviol Ahmetaj.

Ish-agjenti në kërkim
Mes tre personave të tjerë, dyshohet se ndodhet dhe një shtetas, që ka shërbyer më parë si agjent i antidrogës në Drejtorinë e Policisë së Fierit dhe që dyshohet se ka lidhje farefisnore me Sajmir Bajramin. Të kontaktuar në telefon burime pranë kësaj drejtorie thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se ky informacion nuk është i vërtetë dhe se nuk ka asnjë agjent apo ish-agjent të antidrogës që të jetë implikuar në trafikun e drogës me avion nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Pavarësisht kësaj i mbetet Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të zbardhur të vërtetën e përfshirjes ose jo të një ish-efektivi policie në këtë rrjet trafiku droge.

Verifikime për “Agronin”
Mësohet se katër personat e shpallur në kërkim janë nga zona jugore e vendit, ndërkohë që për sa i përket emrit “Agron” që Sajmir Bajrami ka përmendur në dëshminë e tij, burimet thonë se janë verifikuar disa persona me të njëjtin emër në zonën e Fushë-Krujës, por askush s’ka pasur lidhje me këtë ngjarje. Hetimet e prokurorisë tregojnë se lënda narkotike është blerë në Lazarat dhe më pas është paketuar në një magazinë në Lushnjë. Për këtë ngjarje ndodhen në pranga Sajmir Bajrami, piloti Italian Giorgio Riformato dhe shtetasi nga Lushnja Aurel Pupa.

Pyetja e Riformatos
Teksa është njohur me vendimin e Apelit për të qëndruar në masën e sigurisë “Arrest në burg”, piloti Giorgio Riformato në 2 qershor i shoqëruar dhe nga dy efektivë të Policisë së Shtetit është nxjerrë nga ambientet e gjykatës, duke u futur në zyrat e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Për rreth 2 orë e 30 minuta Giorgio Riformato, i dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve në bashkëpunim”, është pyetur në ambientet e prokurorisë nga një Oficer i Policisë Gjyqësore dhe njëri prej zv/drejtuesve të prokurorisë. Mësohet se në minutat e para të pyetjes së Giorgio Riformato ka asistuar dhe avokati i tij mbrojtjës Ramazan Topuzi, i cili më pas është larguar.

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet

Një shesh në Tiranë do të mbajë emrin e Dr. Florit, ja ku ndodhet