TIRANË- Vendimmarrja e gjyqtarit të seancës paraprake për dosjen “Partizani” po duket si një  mision i pamundur në Gjykatën e Posaçme. Edhe këtë të martë seanca u shty. Avokati i njërit prej të pandehurve nuk u paraqit, pasi ndodhej në një proces paralel po në këtë gjykatë.

Seanca ishte parashikuar në orën 14.00, por avokati Sokol Hazizi i cili mbron biznesmenin Fatmir Bektashi, nuk u shkëput nga seanca e dosjes “Plumbi i artë” që kishte nisur që në orën 10-të paradites, megjithëse u prit rreth 60 minuta nga prokurorët, gjykata dhe avokatët e tjerë.

Në këto kushte gjyqtarja Flojera Davidhi vendosi ta shtyjë seancën për të premten e 18 prillit në orën 09:30 ku pritet të dëgjohen prokurorët dhe gjykata të japë vendimin.

Të pandehur në aferën Partizani janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë. Prej 24 tetorit të vitit 2024, gati 6 muaj tashmë, seanca vetëm është shtyrë përmes makinacioneve të ndryshme. Në dy herët e fundit avokatët, një herë i Malltezit e më tej i të pandehurit XHimi Begeja paraqitën raporte mjekësore si të sëmurë.

Dërgimi në gjyq i dosjes do të ishte përballja e parë reale e Berishës dhe Malltezit me drejtësinë shqiptare. Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion pasiv, masë të cilën e ka ankimuar në Gjykatën e Lartë. Dhëndri i tij Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Po këtë të martë edhe gjykata e lartë shtyu për në 22 prill shqyrtimin e rekursit për masat e sigurisë për Berishën pasiv dhe dhëndrin e tij Malltezit.

Nga privatizimi i klubit sportiv ku përfitues ishte dhëndri i Berishës, u ndërtuan të paktën 19 kulla pallatesh.  Me Berishën e Malltezin të pandehur janë edhe bashkëpunëtorët e tyre, biznesmeni Fatmir Bektashi, i pandehur për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”. Akuza e “pastrimit të parave” i është komunikuar edhe ortakut të Malltezit, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan', si dhe Andia Pustinës, financieres që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.

Shqetësimin për zvarritjen e seancave e ngriti një ditë më parë edhe kreu i SPAK, Altin Dumani. Gjatë raportimit para KLP, Dumani tha se zvarritja e seancave paraprake po kthehet në shqetësim, ndërsa theksoi se rrezikohen edhe afatet e paraburgimit.

Dosja 'Partizani', të pandehurit:
-Sali Berisha, ish kryeministër – akuzohet për “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, me Jamarbër Malltezin parashikuar nga neni 260 e 25 i Kodit Penal.
-Jamarbër Malltezi – dhëndri i ish-kryeministrit – akuzohet për  “Korrupsioni pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin e ish Kryeministrit, ka arritur të marrë përfitimet e parregullta! Akuzohet dhe për “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 paragrafi i dytë i Kodit Penal
-Fatmir Bektashi - Ndërtuesi akuzohet  “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'
-Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'
-Andia Pustina - Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash'