'Aferat korruptive të një kryeministri', Fatos Klosi tregon detaje 'përvëluese' nga dosja amerikane

'Aferat korruptive të një kryeministri', Fatos Klosi  tregon detaje 'përvëluese' nga dosja amerikane

Pak ditë më parë ish-kreu i SHISH-sit, Fatos Klosi foli për një dosje ende të pa hapur të një kryeministri duke zgjuar shumë interes. Çfarë fshihet brenda asaj dosjeje që pritet të hapet nga organet e reja të drejtësisë?

Fatos Klosi lë të nënkuptohet se është një dosje përvëluese, kur thotë se nuk mund të flasë më shumë hë për hë… Ai u qëndron besnik parimeve të fshehtësisë kur është fjala për marrëveshjet e lidhura me partnerët tanë strategjikë, marrëdhënie që sipas tij jo vetëm duhen ruajtur, por edhe duhen konsoliduar e forcuar në vijimësi për të mirën e Shqipërisë, por edhe të paqes e stabilitetit në vend dhe në rajon.

Vetëm dy ditë më parë Fatos Klosi tha se kur ka qenë kreu i SHIK ka pasur informacione shumë të rëndësishme që flisnin për aferat korruptive të një kryeministri. Duke qenë një situatë e paparashikuar nga ligjet e vendit, ai tha se kishte mbetur në rrethana të vështira. Klosi shtoi se nuk e kishte informuar kryeministrin në fjalë për situatën, ndonëse kishte pyetur amerikanët qe ia kishin sjellë informacionin.

Duke theksuar se kishte punuar me tre kryeministra të ndryshëm, Klosi tha që informacioni i ishte dëguar presidentit, që i kishte thënë shprehimisht “po unë ça ta bëj këtë”. Klosi përfundoi me fjalët: “Është një rast që nuk është parashikuar gjëkundi në ligjet tona. Në qoftë se mendohet se është i korruptuar kryeministri është skandal, nuk shtrohet problemi çfarë bën SHIK-u. Shteti nuk i ka parashikuar këto gjëra”.

-Zoti Klosi, dy ditë më parë ju jeni shprehur se kur keni qenë drejtues i SHISH, amerikanët ju kanë vënë në dispozicion një dosje me afera korruptive të një kryeministri. Mund të na thoni ndonjë detaj për çfarë bëhet fjalë konkretisht?
– Dhe aq sa thashë, ndoshta thashë shumë, pasi bëhet fjalë për një bashkëpunim me partnerët kryesorë të Shërbimit, dhe nuk është në traditën e punëve të mira, që aspekte të bashkëpunimeve midis Shërbimeve të bëhen publike, edhe se ka kaluar shumë kohë nga ngjarja.

-Ju thatë se bëhej fjalë për një rast që nuk e parashikonte ligji. Cila është ajo vepër që lidhet me korrupsionin dhe nuk e parashikon ligji?
– Problemi nuk ka qenë kaq i thjeshtë. Ligji për Shik-un është një ligj kuadër, që jep vetëm parimet e përgjithshme të detyrave, të lidhjeve me institucione nga ku varet, të mënyrës së përcaktimit të prioriteteve të punës, të kufizimeve të detyruara në trajtimin e subjekteve  dhe të organizimit të brendshëm të Shërbimit. Kur u hartua ligji i ri i Shërbimit, që u realizua me ndihmën e madhe të partnerëve amerikanë, as që mund të mendohej që kupola e Shtetit të ishte ndonjëherë subjekt i Shërbimit, prandaj problemi nuk ishte i thjeshtë.

-Si vepruat pasi u njohët me rastin?  
– Ju thashë pak më parë, edhe kaq sa kam thënë në publik është shumë.

-Në çfarë viti ju ka ardhur kjo dosje, cila ishte biseda që patët me presidentin Meidani, dhe a mund të hapet sot një dosje  e tillë, duke qenë se kryeministrat e asaj kohe i kemi ende gjallë?
– Ky është një nga problemet e Sistemit të ri të Drejtësisë.

-A kanë amerikanët dosje për politikanët shqiptarë?
– Sigurisht, ata janë fuqi botërore dhe përpiqen të dinë gjithçka që munden për armiqtë, por dhe për miqtë e tyre. Informacionet për integritetin e partnerëve të rëndësishëm, janë të domosdoshme për zgjedhjen e mënyrës së bashkëpunimit me ta.

-Cilat janë veprat që politikanët janë më shumë të përfshirë?
– Unë sot di, aq sa lexohet dhe shihet në media. Natyrisht, një filtrim i logjikshëm i këtij informacioni është i domosdoshëm. Vepra më e përhapur e paligjshme midis politikanëve është përfitimi i paligjshëm, apo shkurt, korrupsioni.  Shpresoj që Sistemi i ri i drejtësisë do vërë gishtin mbi këtë fenomen, për ta minimizuar, por dhe për të ndarë politikanët e ndershëm nga ata të korruptuar.

-Me bërjen e drejtësisë së re, mund të shpresojmë se do të ketë fakte të papublikuara që ndërkombëtarët do të vënë në dispozicion të prokurorëve?
– Besoj se do ketë./ Dita

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Thoni lamtumirë një personi... Çfarë thonë yjet për ju sot

Thoni lamtumirë një personi... Çfarë thonë yjet për ju sot