Krujë- Policia e Krujës arreston shoferin 21-vjeçar që shkaktoi mbrëmjen e djeshme (14 mars) aksidentimin me pasojë vdekjen e një këmbësori, ngjarje e ndodhur në autostradën Thumanë-Laç.

I arrestuari është Fabjan Tuci, i cili drejtonte mjetin e tij tip “Audi” në momentin fatal. 

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme për aksidentin e ndodhur në autostradën Thumanë-Lezhë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë arrestuan drejtuesin e automjetit shtetasin F. T., 21 vjeç, pasi ka aksidentuar këmbësorin K. S., 45 vjeç, i cili për pasojë humbi jetën”, njoftoi policia vendore sot (15 mars).

Edhe pse ndërhyrja e policisë dhe ambulancës ka qenë e menjëhershëm, fatkeqësisht këmbësori 45-vjeçar ka humbur jetën në vend.

Pas shoqërimit, drejtuesi i mjetit u arrestua ditën e sotme, në përfundim të procedurave paraprake hetimore.