Aktori citon Dostojevskin “Sa më e thellë dhimbja, aq më pranë shpresa” Xhino Musollari: Zbatoni rregullat

Aktori Xhino Musollari përmes një videomesazhi bën apel për të gjithë shqiptarët, që të qëndrojnë në shtëpi këtë periudhë, sepse nuk kanë në duar vetëm jetën e tyre, por edhe të njerëzve përreth. Ndërsa, uron që pasi të përfundojë e gjithë kjo, njerëzit të reflektojnë për të qenë njerëz më të mirë.

“Gjatë këtyre ditëve të vetizolimit kam arritur në përfundim, që e vetmja gjë që ka vlerë, por që nuk ka çmim është koha. Rutina e përditshme, shpeshherë vjedh kohë nga ambienti familjar edhe nga vatra e ngrohtë familjare, prandaj sugjeroj që këto ditë t’i shikojmë si një bekim edhe këtë kohë të vjedhur t’ia rikthejmë sërisht familjes sonë”, thotë aktori, duke shtuar që të kalojmë më shumë kohë më gjyshërit, prindërit dhe të afërmit e tjerë.

“Është shumë e rëndësishme për çdo qytetar që të zbatojë me rigorozitet rregulluat për mospërhapjen e këtij virusi të ri. Secili prej nesh s’ka në dorë vetëm shëndetin vetjak, por edhe të dikujt tjetër. Le të përfitojmë nga kjo edhe të tregojmë vlerat humane që na karakterizojnë. Është shumë më e thjeshtë të parandalojmë se të ndalojmë”,  vijon artisti, i cili sugjeron që në këto ditë të vështira, lëngate globale, secili prej nesh të bëjë lutje ndaj Zotit për më shumë forcë, durim dhe kurajë.

“Le të shërbejë e gjithë kjo periudhë për veten tonë, sepse një ditë e gjithë kjo do të mbarë, por në momentin që kjo të ketë mbaruar ne do të nxjerrim mësime të thella, që nesër të dimë të jemi njerëz më të mirë, të dimë të falim, të themi faleminderit, të tolerojmë më tepër edhe të jemi më zemërmirë.

Së fundmi, do të doja që ta mbyllja me një shprehje të autorit tim të preferuar, Fjodor Dostojevskit, “Sa më errët të jetë nata, aq më të shndritshëm janë yjet. Edhe sa më e thellë të jetë dhimbja, aq më pranë është Zoti, aq më pranë është shpresa”, përfundon artisti.


Lajmi kryesor:

Të mësojmë si vallëzohet me shiun! Artistët shpresëdhënës me mesazhet e tyre: Qëndrimi në shtëpi sfidë, por do ia dalim!


/r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë