Akuzat e PD-së për Xhaçkën, reagojnë Forcat Ajrore: S'ka shpërndorim fondesh e njerëzish! Ministrja ka udhëtuar vetëm 4 herë në një vit në qarqe të ndryshme

Akuzave të PD-së se ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka udhëtuar 22 herë vetëm në 2 muaj në qarkun e Dibrës, Forca Ajrore i kanë hedhur poshtë duke thënë se Xhaçka në të gjithë vitin ka udhëtuar me helikopter vetëm 4 herë dhe në qarqet Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër. 

Forca Ajrore shprehen se ministrja Xhaçka jo vetëm nuk ka shpërdoruar fondet dhe njerëzit e saj për arsye politike por në kushtet e një viti të vështirë si pasojë e pandemisë, ka treguar përgjegjshmëri kundrejt qytetarëve duke përdorur me shumë kujdes e pa asnjë abuzim kapacitetet e saj njerëzore dhe financiare.

Në reagim, FA thekson se edhe pse ligji i njeh të drejtën e plotë të përdorë mjetet e Forcës Ajrore në çdo kohë e për çdo detyrë Ministres së Mbrojtjes, ajo e ka përdorur këtë të drejtë ligjore vetëm 4 herë në një vit për të udhëtuar drejt qarqeve, qarqe ku ndodhen edhe detashmentet rajonale te mbrojtjes së Forcave të Armatosura.

Më tej sqarojnë se gjatë muajve të fundit janë kryer 338 fluturime. Nga të cilat vetëm 9 kanë pasur si destinacion qarkun e Dibrës dhe jo 22, siç pretendon PD, nga të cilat, 4 kanë qenë për emergjenca mjekësore ajrore dhe pjesa tjetër emergjenca civile dhe trajnim rutinë i pilotëve të Forcës Ajrore. Sipas reagimit 329 fluturime të tjera kanë pasur si destinacion Kukësin, Tropojën, Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Elbasanin, Kuçovën, Beratin, Korçën, Gjirokastrën, Vlorën, Sarandën, Fierin dhe Tiranën.

"Ditët e fundit Forca Ajrore e Republikës së Shqipërisë është përballur me një sulm të pabazë nga përfaqësues të një subjekti politik, të cilët akuzojnë për keqpërdorim të misionit dhe të mjeteve të Forcës Ajrore.

Mes informacioneve të përdorura në mbështetje të këtyre akuzave, përfaqësues të këtij subjekti kanë bërë publike edhe një listë fluturimesh në një qark të Republikës së Shqipërisë, edhe pse nxjerrja e informacioneve të tilla, shumë prej të cilave janë të klasifikuara për shkak të cënimit të sigurisë së FA, përbën një vepër penale që ndëshkohet me ligj.

Në rastin konkret, në funksion të detyrimit të saj ligjor për transparencë e për të informuar qytetarët, të cilët me të drejtë meritojnë të dinë të vërtetën rreth këtyre akuzave, deklarojmë me përgjegjësi të plotë që informacioni i përcjellë në media nga subjekti politik është i pasaktë, qoftë përsa i përket datave të fluturimeve, qoftë përsa i përket destinacioneve, qoftë përsa i përket asyeve e qoftë përsa i përket personave që kanë udhëtuar në bordin e mjeteve të Forcës Ajrore.

Është pjesë e misionit të Forcës Ajrore, që të sigurojë kapacitetet e nevojshme për vëzhgimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërise, të mbështesë operacionet luftarake e jo luftarake, ato të kërkim shpëtimit si dhe të realizojë komandim - kontrollin e mjeteve ajrore në hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë.

Për më tepër, është detyrë e saj funksionale të mbajë në gatishmëri mjetet dhe efektivët, të garantojë fluturimet dhe kontrollin e hapësirës ajrore, transportin për nevoja të FA, emergjencat civile, emergjencat mjekësore ajrore dhe asistencën përmes fluturimeve për Presidentin e Republikës, Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit, Ministrin e Mbrojtjes dhe Shefin e Shtabit tëPërgjithshem të FA.

Ne respekt të opinionit publik sqarojmë se: Çdo pilot operacional i FAj, sipas standardeve të NATO-s ka detyrimin të kryejë minimalisht 120 orë fluturimi në vit, për të njohur terrenin, ushtruar detyrën dhe njohuritë si pilot, dhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e mjeteve ajrore. Ky detyrim respektohet në mënyrë rigoroze përmes fluturimeve stërvitore dhe detyrave funksionale,  çdo ditë e çdo javë në qytete të ndryshme të vendit, siç ka ndodhur dhe do të ndodhëpërsa kohë ky është një standard i NATO dhe si i tillë aplikohet në çdo vend anëtar të aleancës!

  Në përputhje me misionin dhe detyrat e Forcës Ajrore, gjatë muajve të fundit janë kryer 338 fluturime. Nga të cilat vetëm 9 kanë pasur si destinacionqarkun e Dibrës. E përsërisim, vetëm 9 dhe jo 22, siç pretendon subjekti politik, nga të cilat, 4 kanë qenë për emergjenca mjekësore ajrore dhe pjesa tjetër emergjenca civile dhe trajnim rutinë i pilotëve të Forces Ajrore. 329 fluturime të tjera kanë pasur si destinacion Kukësin, Tropojën, Shkodrën, Lezhën, Mirditën, Elbasanin, Kucovën, Beratin, Korçën, Gjirokastrën, Vlorën, Sarandën, Fierin dhe Tiranën.

Theksojmë se përgjatëgjithë vitit 2020, Ministrja e Mbrojtjes, edhe pse ligji i njeh të drejtën e plotë të përdorë mjetet e Forcës Ajrore në çdo kohë e për çdo detyrë, e ka përdorur këtë të drejtë ligjore vetëm 4 herë në një vit, për të udhëtuar drejt qarqeve Shkodër, Dibër dhe Gjirokastër, qarqe ku ndodhen edhe detashmentet rajonale te mbrojtjes së Forcave të Armatosura.Këto 338 fluturime përbëjnë vetëm 22% të planit vjetor dhe të zërit buxhetor të parashikuar për fluturimet stërvitore! Nëse do të përdornim matematikën e subjektit politik, për vetëm 338 fluturimet që janë kryer, vlera financiare do të kishte qenë plot 15 herë më e madhe se sa i tërë buxheti vjetor i FAj për zërin fluturime stërvitore, i cili aktualisht është 78% i parealizuar. 

Forca Ajrore jo vetëm nuk ka shpërdoruar fondet dhe njerëzit e saj për arsye politike por në kushtet e një viti të vështirë si pasojë e pandemisë, ka treguar përgjegjshmëri kundrejt qytetarëve duke përdorur me shumë kujdes e pa asnjë abuzim kapacitetet e saj njerëzore dhe financiare. Përdorimi dhe përbaltja e efektivëve të FA në emër të luftës politike është e papranueshme. Forcat e Armatosura janë sot institucioni që gëzon besimin e qytetarëve shqiptarë dhe kjo është arritur pikërisht falë ndaljes së abuzimeve dhe shpërdorimeve që e kishin goditur aq rëndë reputacionin e tij gjatë dekadave të tranzicionit", shkruan FA. 

B.K.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman

Ndërron jetë në moshën 82 vjeçare ish-senatori Joe Lieberman