Gazetari turk i DW, Alican Uludağ, është arrestuar në Turqi, pasi akuzohet për fjalë fyese në rrjetet sociale ndaj Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan.

Sipas mediave të huaja, arrestimi i tij erdhi pas një vendimi të Zyrës së Prokurorit Publik të Stambollit dhe është pritur me reagime të ashpra nga politikanët dhe organizatat profesionale.

Alican Uludağ u ndalua dje pas një kontrolli në shtëpinë e tij në Ankara. Ai u soll në Stamboll nga Ankaraja me rrugë tokësore për t'u marrë në pyetje dhe pritet të japë deklaratën e tij sot në Gjykatën e Çaglayanit.

Mësohet se hetimi kundër Uludağ po zhvillohet nga zyra e prokurorit të krimeve të terrorizmit.

Arsyet e dhëna për urdhrin e ndalimit ishin raporti në lajme i Uludağ për lirimin e anëtarëve të ISIS-it që planifikuan sulmin në aeroportin Atatürk të Stambollit, si dhe postimet e tij në rrjetein social ‘X’.

Uludağ përballet me akuza për “fyerje të Presidentit”, “denigrim të Kombit Turk, Republikës së Turqisë dhe institucioneve e organeve të Shtetit” dhe “shpërndarje publike të informacionit mashtrues për publikun”.

Drejtoresha e përgjithshme e Deutsche Welle, Barbara Massing, kërkoi lirimin e tij, duke e cilësuar arrestimin si “një akt të qëllimshëm frikësimi.”

Grupi Reporters Without Borders e konsideron Turqinë si një nga vendet më represive për gazetarët, duke theksuar se shumica e mediave janë nën kontrollin e qeverisë.

Sipas Turkish Journalists Syndicate, të paktën 14 gazetarë ose punonjës të medias ndodhen aktualisht në burg.

Ndërkohë kreu i Partisë Republikane Popullore (CHP), Özgür Özel, foli mbrëmë në telefon me gruan e Alican Uludağ, Kıymet Uludağ. Kreu i CHP-së, Özel, tha se ndalimi i Alican Uludağ ishte "i papajtueshëm me ligjin dhe se ata do ta ndiqnin nga afër çështjen".