Urgjenca e re në ‘QSUT’ 44 ditë pa shërbim për shkak të zjarrit, Albana Fico largohet nga drejtimi! Alma Cani emërohet drejtoresha e re

TIRANË- Pas kaosit të krijuar nga mosfunksionimi i Urgjencës së re në QSUT prej 44 ditësh, drejtoresha e Qendrës Spitalore Albana Fico është larguar nga detyra. Ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me motivet e largimit, ndërsa siç edhe ka raportuar Report Tv, situata me urgjencat prej 1 muaji e gjysmë është kaotike, pjesa më e madhe e të cilave janë shpërndarë drejt Spitalit të Traumës dhe Sanatoriumit.

Gjatë kësaj kohe, nuk u deklarua marrja e asnjë mase për menaxhimin pa vonesa të pacientëve që kanë nevojë urgjente për ndihmë. Në emisionin “Përballje”, Report Tv solli të premten rastin e një gruaje, e cila fillimisht dërgohet në urgjencën e re të QSUT-së e më pas u përcoll për në urgjenca të spitaleve të tjera, duke bërë që ta marrë shërbimin me vonesë.

Si ky rast janë me dhjetëra në ditë, të cilët përballen me vonesa në marrjen e shërbimeve duke rrezikuar edhe shëndetin e tyre.

Kryetare e Komisionit të Shëndetësisë Zheni Gjergji shkruan në rrjetet sociale se largimi i drejtoreshës së QSUT-së nga detyra është një masë gjysmake e qeverisë për shfaqje, ndërsa paralajmëroi se opozita do ta kërkojë deri në fund të vërtetën për këtë rast dhe çdo abuzim që është bërë në këtë sektor jetik. Drejtoreshë e re e QSUT-së do të jetë Alma Cani, deri më tani nëndrejtoreshë e Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”. Në prezantimin e drejtoreshës së re, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçi, tha se vënia në punë e urgjencës do të jetë detyra e parë e saj.

Situata kaotike me urgjencat vijon që prej datës 11 shkurt kur në katin -1 në Urgjencën e re të QSUT-së ra zjarr, për shkaqe që po hetohen nga prokuroria e Tiranës e që dyshohet se lidhen me keqfunksionimin e baterive.

Organi i akuzës së kryeqytetit i nisi hetimet më 2 mars, duke sekuestruar edhe dosjen e tenderit për ndërtimin e urgjencës, një investim me vlerë rreth 17 milionë euro. Albana Fico u emërua drejtoreshë e Qendrës Spitalore Universitare (QSUT) më 2 dhjetor 2021, ndërsa më parë ka drejtuar Institutin e Shëndetit Publik

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:24
Ministrja Koçi prezanton në QSUT drejtoreshën e re Alma Cani: Prioritet, zgjidhja problemit të Urgjencës

Ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka prezantuar sot me stafin drejtoreshën e re të QSUT-së Alma Cani, e cila u emërua në këtë detyrë pas largimit të Albana Ficos.

Prioritet kryesor në punën e drejtoreshës së re sipas ministres do të jetë zgjidhja e urgjencës së spitalit qendrorë pas rënies së zjarrit.

‘Drejtoresha e re që sapo është emëruar e QSUT-së Alma Cani. Një doktoreshë që po ashtu ka një profesion të nderuar dhe ka vite që ushtron profesionin në Qendrën Rajonale Spitalore “Shefqet Ndroqi”. Tashmë do ti bashkohet ekipit të QSUT-së.  Zgjidhja e urgjencës së spitalit qendrorë pas rënies së zjarrit, është pika e parë në rendin e ditës në menaxhimin e punës dhe në axhendën e punës së drejtoreshës së re.’- tha ministrja Koçiu.

Gazetarja: Kjo do të thotë që nuk ka mundur Fico ta vërë në punë urgjencën?

‘Kjo nuk do të thotë asgjë, kjo do të thotë që puna do të vazhdojë, nuk do të ndalet. Punët e mira do të vijojnë për Shëndetësinë. Sa më shpejtë do të vihet në funksion urgjenca e re, jemi duke punuar intensivisht, ashtu siç e theksova pika e parë në rendin e ditës në axhendën e punës së drejtoreshës së re do të jetë pikërisht rehabilitimi dhe kthimi në normalitet, por dua ta theksoj që nuk është ndalur në asnjë moment shërbimi ndaj qytetarëve, shërbimi po merret në të gjitha strukturat spitalore. Duke treguar edhe njëherë që sa mirë kemi bërë që kemi investuar dhe kemi shërbime që ofrohen edhe në qendrën spitalore “Shefqet Ndroqi” edhe tek Trauma, gjithashtu edhe në urgjencën e QSUT-së puna po vijon normalisht.. në pjesën që është dëmtuar zjarri e po punojmë intensivisht.’- tha Koçiu.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

'Daily Mail': Shqipëria, perla e fshehur që premton bukurinë e një lokacioni pa turma vizitorësh

'Daily Mail': Shqipëria, perla e fshehur që premton bukurinë e një lokacioni pa turma vizitorësh