Albert Janku: Arsyet që rrënuan
“tempullin” e Operës dhe Baletit

Albert Janku: Arsyet që rrënuan<br />“tempullin” e Operës dhe Baletit
Ripërtëritja, rigjallërimi dhe vazhdimësia e shumë fenomeneve që shfaqen në natyrë dhe shoqëri mund të ndodhë edhe me lindjen, shfaqjen dhe pasurimin e ideve të reja që marrin jetë dhe zhvillohen në mendësinë dhe ndërgjegjen e njerëzve që i përkushtohen krijmtarisë në art. Në mes njerëzve me këto aftësi janë edhe koreografët në baletin klasik dhe modern, krijues të një gjinie të ndryshme nga gjinitë e tjera të artit por që shpesh disa nga ata me idetë e tyre siç kemi thënë ndikojnë edhe në rigjallërimin dhe rilindjen e baleteve të sistemit klasik dhe romantik.

Pasuria dhe arritjet e veprave të baletit tonë kombëtar trashëguar nga brezat e artistëve që iu kushtuan kësaj gjinie për shumë dekada është lënda nga mund të ringjallen dhe të rilindin edhe tek ne më të shndritshme në ide të reja baletet e autorëve të sotëm. Vepra këto që mungojnë prej kohësh të jenë jo vetëm në repertorin aktiv të TKOB-së, por edhe vazhdimëri e një epoke të re në zhvillimin e baletit e cila mbështetet në lëndën e një plantacioni ku janë rritur dhe lulëzojnë përherë veprat e artistëve të shquar.

Mosgjallërimi me ide por edhe me vepra të reja nga autorët tanë të sotëm të repertorit të baletit ka sjellë që skena jonë këto kohë t’i ngjajë një kuzhine e cila servir një menu me asortimente të huaja shpesh të kopjuara por që e integruar në këtë mënyrë, asaj i mungon krejtësisht identiteti i produktit dhe fytyrës kombëtare. Kjo i ngjan një proçesi sterilizues i cili ka ndodhur për arsye krejtësisht subjektive e cila ka ndikuar tek artistët tanë t’i ngjajnë në këtë periudhë globale kohore specieve shterpë që nuk lindin dot më.
 
Historia e zhvillimit nga 1950-1990
Dihet gjithashtu që veprat origjinale të krijuara nga autorë të huaj në periudhën klasike dhe romantike në botë janë vënë në skenën tonë që nga vitit 1950 deri në vitin 1966, ndërsa vepra me karakter kombëtar filluan të lulëzojnë nga viti 1963 deri në vitin 1986. Vepra e repertorit klasik dhe romantik të parealizuara më parë tek ne morën prioritet pas vitit 1990, ndërsa ato me karakter kombëtar gjatë kësaj kohe nuk janë më shumë se dy të tilla.

Skena e TKOB mori shkëlqimin e plotë kur rifilloi të shfaqte veprat klasike, romantike dhe bashkohore. Brezat e edukuar me sistemin klasik të kërcimit me të ngjarë kjo gjë iu kthyen praktikimit të dijeve të vërteta që për shumë kohë qenë të detyruar t’i linin mënjanë ngaqë iu ishte dashur të përballeshin me obskurantizmin e një lloj inkuzicioni të paimagjinueshëm gjatë viteve 1966-1988.

Gjatë kësaj periudhe jo të vogël (1966-1988), çuditërisht ndodhi mrekullia që autorët më në zë të baletit tonë iu përkushtuan krijimit të veprave kombëtare. Kjo periudhë vuri në provë talentin e tyre për të krijuar në një rrafsh të panjohur i cili ndikoi shumë për daljen në pah të aftësive të mëdha krijuese të koreografëve tanë të paharruar Panajot Kanaçi, Agron Aliaj e të tjerë që duke u përballur jo rrallë me vështirësi të mëdha realizuan një repertor të gjerë me vepra kombëtare.

Si pa u ndjerë, ajo kohë na afroi një eksperiencë që i ngjan një shkolle të vërtetë e cila në fillimin e saj të vështirë u ndesh me një frenim dhe hap mbrapa jo pa pasoja. Por artistët e talentuar ditën të dilnin nga kjo gjendje e të fitojnë mbi mediokritetin, duke krijuar më të mundshmen dhe më të bukurën atmosferë për lulëzimin e baletit kombëtar. Periudhë kjo e cila mund të quhet fillimi dhe konsolidimi i shkollës kombëtare shqiptare të baletit, në sajë të protagonizmit dhe talentit të këtyre autorëve që ndikuan shumë me origjinalitetin e tyre t’i japin një fizionomi të veçantë kërcimit tonë klasik dhe bashkohor.

Pas vitit 1990, u zgjerua numri i vënieve në skenë të baleteve klasike, romantike dhe moderne. Një punë të madhe dhe shumë profesionale bëri Agron Aliaj dhe ekipi i tij për vënien në skenë të këtyre baleteve dhe njëkohësisht krijimin nga ai të veprave origjinale si: “Romeo e Zhuljeta” të Prokofjevit, “Katedrale e Parisit” me muzikë të Koçantes dhe njëkohësisht krijimin e një baleti kombëtar me muzikë të Gjon Simonit mbi jetën e Migjenit. Kontributi dhe arti i tij gjatë atyre viteve është i krahasueshëm me atë që pati bërë ai edhe në kohën kur krijonte veprat kombëtare dhe koreografitë e shumta koncertore për më shumë se njëzet vite (1968-1988). Ai ishte dhe mbetet ylli që shndrit me një shkëlqim të veçantë në mes të yjeve të tjerë.

Ku janë koreografët që erdhën pas Agron Aliaj
Në të njëjtën kohë së bashku me Agronin pas vitit 1990 një brez tjetër u afrua dhe filloi të aktivizohej në krijmtari me shumë pasion dhe dëshirë për të kontribuar me tematika disi më të ndryshme kur në horizont tashmë nuk kishte re të zeza që të pengonin idetë e reja me tabutë e së kaluarës.

Kur Agron Aliaj ishte në kulmin e krijmtarisë së tij në skenën e T.K.O.B-së këta aktorë të rinj përjetësonin tema dhe ide në punimet e tyre si të ishin një rrjedhë e re uji që shumë shpejt do t’i bashkohej lumit të traditës dhe sëbashku me atë do të pasuronte me një parcelë të re plantacionin që e lulëzuan me veprat e tyre P. Kanaçi, S. Selimi, G. Kaceli e të tjerë autorë të paharruar.

Këta krijues të rinj ishin në pjekuri dhe të arritur si koreografë kur u afruan në trupën e baletit dhe realizuan veprat e tyre të cilat nga viti në vit e zhvilluan më tek cilësinë e krijimit të tillë si: Pëllumb Agalliu, Arian Sukniqi që kishin provuar të vinin me sukses vepra të plota baleti, Enada Hoxha po ashtu, Manjola Hasani e cila para se të largohej nga trupa e baletit krijoi për skenën e teatrit. Afër tyre qëndruan dhe ndihmuan miq të sinqertë dhe partner të tyre. Ndërkohë A.Aliaj u angazhua të rivinte në skenë baletet e tij të realizuara kohë më parë. Balete këto të cilat afruan në Teatër publikun e moshës së re të njihej me këto vlera të vyera.
Pëllumbi, Ariani, Enada, Manjola dhe ndihmësat e tyre, artistë të trupës dhe solistë të saj trashëgimtarë të denjë të traditës së afërt realizuan me shumë sukses “Carmina Burana”, “Defne e Kloe”, “Suitë nga Debysi”, “La traviata”, “Shopen”, “Zorba”, “Rituali i jetës”, “Ëndrra e një nate vere”, “Historia e një kënge” dhe njësi të tjera kroeografike që me dinjitet arritën lartësi të admirueshme në nivelin artistike. I. Kerni u ftua nga drejtoria e

Teatrit në fundet e viteve 2009 deri në 2011 të vinte në skenë baletet klasike me koreografi të autorëve të huaj.
Ajo që vihet re në ndërhyrjen e parë në këto krijime është rëndësia dhe cilësimi që i kanë dhënë koreografët trajtimit të thellë të ideve dhe jo subjektit, ideve që kanë zgjedhur të zhvillojnë, gjithmonë në një mënyrë dhe shprehje të re ku forma e zgjedhur porsi grafika sot në artet pamore të sjellë përmbajtjen e idesë deri në skutat e saj më të thella, të mbushur me larminë e figuracioneve të shfaqura në simbole që I shkojnë për shtat artit të kërcimit e cila gjuhë dhe mjet shprehës ka hapin, lëvizjen në hapësirë dhe kohë, të kushtëzuar nga graviteti tokësor që nuk lejon t’i shkëputësh kërcimtarët nga toka në lartësi të mëdha për t’u shndërruar krejtësisht në ëngjëj por vetëm të ngjajnë si ato dhe të shprehen si ata, të pakufizuar në plastikë, në lëhtësi dhe magji, arritje kjo më e re që ka ndihmuar koreografët prej kohësh të krijojnë vepra të shquara bashkohore.

Në një farë mënyrë koreografët janë përpjekur të gjejnë përgjigjen e duhur në shprehjet e tyre duke tërhequr vëmendjen e shikuesve dhe duke prezantuar performancat para tyre me këtë lloj kompozimi në vallëzim, si mjetin më të përshtatshëm e të ri për tematikën e zgjedhur. Këto aftësi të autorëve për t’u shprehur kësisoj sigurisht që ato do të donin ta gjenin po ashtu tek sjellja e publikut, tek reagimi i duhur i spektatorit ndaj asaj që kanë krijuar ata në një vepër të shfaqur. Spektatori nuk vjen në shfaqje vetëm të marrë kënaqsi artistike, ai në njëfarë mënyrë edhe ndikohet që të mbajë një qëndrim dhe ndoshta të gjykojë për atë që sheh e që i serviret.
baleti
   Ilir Kerni me balerinen e njohur kroate Edina Pličanić


Mungesa e kritikës rrezikon vlerat
Reagimi i kritikës dhe spektatorit ndaj një shfaqjeje të krijuar në kohë të shkuara ose sot duhet parë si qëllim për të përshëndetur meritat e një krijmtarie apo të një autori. Ndjeshmëria kur shikon një shfaqje duhet të jetë përtej asaj që shikojmë dhe përjetojmë nga emocionet që përfitojmë nga kënaqësia e një çasti e më shumë të tilla në sallë. Me qetësi duhet kontrolluar durimi për të analizuar gjërat më në thellësi, pa qëllim denigrimi por për të inkurajuar atë që është e mirë dhe mos inkurajuar atë që nuk vlen.

Qëndrimet kritike shpeshherë gjykohen me apo jo të drejtë nëse vijnë nga qëllime të mbrapshta apo keqdashëse, nganjëherë thuhet se vijnë nga mediokriteti dhe mosdija. Të kritikosh është një farë guximi por edhe ky duhet të jetë i matur mirë që argumentet të jenë të besueshme.

Tek ne kjo frymë prej 4 vitesh mungon pothuaj fare e pasqyruar në median e shkruar dhe atë televizive përveç përgojimeve në rrjetet sociale. Arti i baletit zë vendin më të vogël në gjithë publicitetin dhe panelet televizive që për çdo ditë trumbeton “të mëdhenjtë” e “pashtershëm” të gjinive të tjera. Jo vetëm traditës së kësaj gjinie arti nuk i vihet rëndësi fare por çudia më e madhe është prezantimi i mjaft artistëve të kësaj fushe që punojnë jashtë vendit (në mes tyre dhe anonimë) që kanë PUSHTUAR me demek skenat e botës që nga Ballkani në Kaliforni, nga Dubai në Australi e Japoni, që kanë vënë në garë disa stacione televizive të thonë çudira të pabesueshme dhe lënë një mënjanë krijuesit dhe interpretuesit e talentuar që vazhdojnë prej vitesh aktivitetin në Shqipëri.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është vetëm kjo që u tha më lart, unë do të përqendrohem në atë çka krijohet sot në skenën tonë që interpretohet dhe kërcehet të jetë dinjitoze dhe të shprehë forma dhe stile, epoka dhe mënyra nga më të vjetrat dhe më të rejat të krijuara edhe nga autorët tanë, nga brezi i ri dhe i tanishëm i koreografisë në mënyrë që qëndrimet kritike të jenë sa më positive dhe kurajozë për të lartësuar vazhdimësinë e këtij arti të bukur.

Por, fatkeqësisht qëndrimi kritik akoma vazhdon të mbetet po ashtu siç është vepruar më parë. Problemet, të metat, niveli artistik i veprave dhe interpretimit dhe çdo gjë tjetër mbeten brenda mureve hermetike të Teatrit dhe opinionisteve të preferuar me njohuri të përcipta në këtë gjini. Në vend të pasqyrimit të saj në mediat marramendëse nga njohës profesionistë, ka ndodhur e kundërta, është zvogëluar aq shumë ky rreth saqë angazhimin për analiza dhe qëndrime ndaj veprave të baletit botohen sipas preferencave të mediave të shkruara dhe atyre vizive. Ndërsa të diplomuarit e shumtë me titullin koreograf në shkollat tona të larta dhe artistë të shquar të kësaj gjinie janë strukur dhe harruar në mes spektatorëve si duartrokitës të zakonshëm.

Kjo ndodh ndoshta edhe se autorë shkrimesh me përvojë dhe pa përvojë nuk po përballen me krijmtari origjinale të autorëve tanë, vepra të tilla mungojnë ose koreografë të diplomuar në Universitetin e Arteve që janë me qindra nuk po gjejnë hapësirë për të punuar dhe krijuar. Aftësitë e tyre u është mundësuar t’i shfaqin në evente pa rëndësi në copa të vogla kërcimi që ngjajnë me njëri-tjetrin porsi kushërinj të parë. Ndodh që mjeshtra me përvojë dhe të afirmuar vënë në skenë vepra të repertorit botëror dhe shkohet deri aty sa vënia në skenë e këtyre shfaqjeve reklamohet së është koreografi e tyre por “sipas filan koreografi të huaj e vënë në skenë vite ose shekuj më parë.” Me një fjalë, vepra origjinale kaq të rëndësishme për zhvillimin e koreografisë tek ne mungojnë dhe mundësia e vetme për të pasur një repertor qenka vetëm trashëgimnia e autorëve klasikë/romantikë e cila është e pranueshme por që nuk është vetëm kjo zgjidhja.
 
Mungojnë veprat e reja dhe origjinale
Ku janë veprat e reja? Ku janë krijimet origjinale? Ku janë qindra koreografë të diplomuar në shkollat tona që Cv-të e tyre i kanë mbushur me specializime, workshop-e deri mastera dhe profesorë të asociuar në studio e trupa baleti kudo në botë?

Pse nuk shohim krijimet e tyre dhe interpretimet e tyre këtu e kudo? Kush i afron atyre skenat e Tiranës që mendoj se nuk është një e vetme ajo e TKOB-së. Ka dhe të tjera si ajo e Universitetit të Arteve, ai kombëtar i dramës dhe eksperimentali, pse jo qendra e kulturës e Bashkisë me dy –tre ambiente që mund të ndihmojnë për shfaqje të zhanreve të ndryshme të baletit që mund të ndihmojnë për shfaqje të baletit deri tek salla kaq e këndshme në Katedralen Ortodokse në qendër të qytetit, siç qe shfaqja “Trokitje në Parajse … a Ferr” i A. Sukniqi, krijim origjinal. Këto aktivitete mund t’i përballojë jo vetëm trupa e baletit të TKOB-së por edhe trupat profesioniste të kanaleve qendrore televizive që kanë në përbërjen e tyre elemente shumë të talentuar që mund të kërcejnë edhe në zhanre më të sofistikuara nga ajo që praktikojnë, pa harruar mjediset gjigande të këtyre stacioneve të pashfrytëzuara për premierat e TKOB-së.

Ndërkohë, presim me shumë interes vepra të koreografëve dhe kompozitorëve, krijime dhe shprehje të reja mbi tema që kanë qenë tabu të paprekshme në të kaluarën. Tema që mund të jenë trajtuar nga ndonjë krijues dhe autor i talentuar si E. Hoxha, A. Sukniqi, M. Hasani, Gj. Prevazi, A. Ibërshimi, A. Nako, L. Xhokaxhi, E.Gorani, G.Vaso.

Dikur qe menduar të zhvillohej një Festival për çdo dy vjet me krijime koreografike të autorëve të rinj nën patronazhin e TKOB-së, projekt që mbeti i parealizuar. Dy vite më parë u improvizua në skenën e Teatrit një koncert i këtij lloji mjaft interesant me krijime të reja por jo më shumë. Nuk dimë nëse kjo inisiativë do të gjejë vend në një platformë që të mund të realizohet më me seriozitet dhe përgjegjësi.

Në skenën e TKOB-së, janë ftuar për të vënë në skenë veprat e tyre koreografë të huaj që në vitin e parë kur u krijua trupa e baletit në Shqipëri (1950) dhe deri më sot. Koreografë dhe pedagogë nga Rusia (B.S), Kina, Çekosllovakia, Franca, Italia, Kroacia, Bullgaria dhe deri Hungaria dhe Portugalia kanë realizuar balete të repertorit klasik dhe kontemporan.

Jemi gëzuar që Angjelin Prelocaj, ka ardhur pesë herë në Tiranë që nga vitit 1994 me vepra të plota dhe të suksesshme. Ai është autor me origjinë shqiptare që jeton dhe punon në Francë. Bën pjesë në elitën më të lartë të koreografisë gjatë disa dekadave. I njohur tek ne dhe kudo në botë për vlerat unikale në baletin botëror, ardhja e tij ka qenë gjithmonë ngjarje e rëndësishme. Pak kohë më parë një autor tjetër i njohur në Portugali dhe kudo shfaqi me trupën tonë një balet të suksesshëm, shprehje e re e viteve të fundit, e cila e pasuron gamën e gjerë që mbizotëron sot koreografinë në kompanitë e baletit në botë.

Një tjetër autor bashkëpunoi me trupën tonë, ai baletin e tij e kishte menduar mbi një triptik kompozitorësh dhe forma e mjete shprehëse që kishte zgjedhur për krijimin e tij ishte një mbivendosje e modernes mbi shpresën e ezauruar të baletit klasik, pa shumë logjikë dhe vlera të reja. Këta krijues dhe të tjerë më parë i kemi mirëpritur, i kemi duartrokitur për çka kanë prezantuar. Këtë mundësi për të kontaktuar dhe pse jo për të krijuar në baletin bashkëkohor botëror e pruri koha dhe na e afron edhe teknologjia e komunikimit virtual, mundësia për të parë këto arritje edhe në Teatrot dhe skenat botërore.

Por, do të gëzohesha gjithashtu, do të mirëprisnim nëse drejtuesit e artit dhe kulturës tek ne do të stimulonin trupat artistike që në skenat tona të gjejnë vend dhe t’i bëhet yzmet i madh veprave të kriuara nga artisëtët tanë të talentuar që nuk po gjejnë hapësirë prej disa vitesh e që presin të rihyjnë në tempullin ku të ballafaqohen me besimtarët e tjerë të këtij arti dhe të jenë predikues, drejtues e krijues të veprave pse jo klasike, neoklasike, bashkëkohore.

Në këto krijime të ndihet bota jonë, koha e tyre, ëndrrat e tyre, shpirti i një populli evropian me fytyrë të qartë identiteti.
Tashmë në rrjetet sociale në television e kudo në skenat botërore mund të shikosh dhe të adhurosh vlera dhe thesare të artit botëror deri në ngopje. Qëllimi i drejtuesve, opinionistëve, specialistëve por pa dyshim dhe i spektatorëve duhet të fokusohet tek dëshira për të njohur dhe parë vlerat intelektuale dhe artistike në vepra të krijuara nga artistët tanë që nuk janë më në mes nesh dhe atyre që krijojnë sot por që disa opinionistë dhe simpatitë personale të çdokujt tjetër jo pak herë bëjnë të kundërtën bashkë me spektatorin të cilët jo pak herë i kalojnë pa i vënë fare rëndësi, duke I minimizuar vlerat e veprave të artistëve vendas që kohët e fundit ngjajnë me qingja akoma qumështorë që si të hutuar kërkojnë nënën/tutorin, suportin) për të ndjerë pse jo përkëdheli për t’u ngritur në këmbë, për t’u rritur.

Të gjithë ne duhet të ndikojmë që ato të ndjejnë drithërimin që sjell ndjesia e tyre e brendshme për t’u tërhequr dhe shkëputur nga dembelja që sjell statukuoja e thashethemeve dhe përgojimeve që predikohen nga mediokrit që kanë armë të tyre sot rrjetet sociale dhe portalet e internetit.

Ide të shumta, projekte të reja mendoj që arkivohen në vëmendjen e autorëve që përmenda më parë por edhe të tjerëve që nuk mungojnë. Ëndrrat janë pjesë e përditshmërisë së tyre tashmë ata janë profesionistë e disa prej tyre të afirmuar dhe të profilizuar por që nuk po gjejnë hapësirë për t’u shfaqur. Pjesë të ndryshme të baleteve të tyre mund të mbartin pse jo energji të fortë vepruese tek njerëzit, nëpërmjet bukurisë së gjuhës kërcyese, formës së lirikes dhe epikës së folklorit popullor që ka akumuluar kultura jonë kombëtare.

Deri tani përmbajtja e zërit të atyre që shkruajnë për arritjet në artin e baletit tek ne vetëm I ka inkurajuar, i ka shtyrë këta krijues që të vazhdojnë rrugën e nisur nga vetë ata. Kohët e fundit po shfaqet një frymë më kritike në mënyrë që këta të talentuar të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se arti dhe sidomos krijmtaria origjinale sido që të jetë është në syrin e kujtdo që e shikon ndaj autori duhet të jetë gjithmonë në kërkim të perfeksionit, të bukurisë estetike të vlerave eprore të civilizimit dhe qytetërimit modern. Përkushtimi dhe këmbëngulja duhen vazhduar për sa dëshirojnë të jenë të merren me krijmtari.
 
Problemet e drejtimit të operës
Për fatin e tyre, Teatrin e Operas dhe Baletit e drejtoi për një farë kohe një koleg i tyre dhe balerin i mirënjohur i cili me mundësitë që kishte jo vetëm godinën e TKOB-së por edhe të tjera që u përmendën në këtë shkrim do të mund t’i shikonte si tempuj ku këta të përkushtuar e të lënë jetim të gjenin strehën ku të mund të lindnin shfaqjet e tyre. Kjo nuk ndodhi, ata akoma flenë me projektet e tyre netëve pa gjumë dhe akoma janë në pritje se do të ndodhë diçka.

Na vjen mirë dhe gëzohemi që trupa e baletit e TKOB.-së vazhdon prej kohësh të shfaqë me sukses vepra të llojeve të ndryshme. Në atë trupë ka mjaft të talentuar. Shkruesi i këtij shkrimi e njeh mjaft mirë atë trupë, ka punuar dhe ka marrë pjesë në atë kolektiv deri tani vonë.

Në gjirin e këtij kolektivi ka artistë me aftësi për të qenë pedagogë, koreografë, mjeshtër baleti, jo vetëm në trupën e tyre, por edhe kudo gjetkë. Shumë prej tyre janë artistë që vlerën e traditës në kërcim e kanë trajtuar si kapital për të shkuar më tutje dhe i urojmë gjithmonë e më mirë.

Për këto arritje dhe vlera trupa e baletit duhet të ketë bashkëpunim me koreografë të përkushtuar dhe me vision. Cilido koreograf i emëruar nga gjiri apo jo i trupës të sjellë me vete kualitete artistike të cilat I ka akumuluar si kapital i eksperiencës së fituar në skenë e në jetë kudo ku ai ka kontribuar më parë. Diturinë e marrë nga përballja e pikëpamjeve dhe koncepteve për idetë që mendon të vërë në jetë, t’ia bashkangjisë kulturës dhe formimit të tij intelektual që me argumenta bindëse t’i mbahet me konseguencë qëllimit të tij për t’u larguar nga disa qëndrime të vjetëruara që vihen re në historinë e baletit botëror, pa mohuar përfitimet nga ato të cilat janë pjesë e gabimeve por janë gjithmonë arritje të pamohueshme ndër kohëra.

Është e ditur tashmë që pjesët apo komponentët kryesorë të një shfaqjeje të madhe skenike muzikore janë MUZIKA, KOREOGRAFIA, KANTO. Në krye të çdonjërit prej tyre duhet të jetë një artist me përvojë dhe kapacitet të lartë të kulturës artistike. Megjithatë, nuk mjafton vetëm formimi i tillë I drejtuesit të çdo komponenti apo prurje në teatër. Ky drejtues duhet të jetë vizionar për çka duhet të bëjë gjatë qëndrimit të tij në trupën e baletit apo muzikës dhe kantos.

Ai duhet të jetë menaxher I plotësuar, me inisiativë dhe me fantazi që e di më mirë nga çdo njeri tjetër se si duhet ndërtuar e ardhmja, të jetë frymëzues me bashkëpunëtorët dhe të çlirojë energji duke i ingranuar mirë ato me idetë e tij për të ardhmen e trupës që drejton.

Qëllimi primar nuk duhet të jetë vetëm cilësia e lartë e interpretimit dhe kërcimit, personaliteti I tij duhet të reflektojë në çdo rast filozofinë më të lartë artistike, kulturën më elitare të sistemit më professional të artit kenik muzikor, I mbështetur gjithmonë nga një spektator që përfaqëson shtresën më të kultivuar të shoqërisë civile e cila me sjelljen e saj ndikon së tepërmi për të afruar si përherë edhe publikun e gjerë artdashës për të shijuar dhe ai çka është e më e mira e këtij arti, majën e kulturës shqiptare.

(Albert Janku është mjeshtër i baletit dhe ka marre titullin Artist i Merituar. Titujt dhe mestitujt e shkrimit të tij jane redaksionalë)

Redaksia Online
J.Sh/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale

Conference League/ Dramë në 120 minuta dhe penallti, Fiorentina dhe Aston Villa kalojnë në gjysmëfinale