Alizoti: Njerëz të Lulzim Bashës pritën në një shtëpi private në Bruksel familjen e Babales

TIRANË - Njerëz të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha kanë pritur në Belgjikë familjen e Albert Veliut, njohur si "Babalja" pas historisë së audio-përgjimit ku pretendohej të akuzohej Agron Xhafa, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Në seancën e sotme, Fredi Alizoti, kunati i "Babales" që në gjithë këtë histori që u servir nga PD-ja, imitoi në audio-përgjim zërin e Agron Xhafës, u shpreh sot para gjykatës, se Ervin Salianji, ish deputet i PD-së, i ka thënë se "në Bruksel familjen ka ja rregulluar Lulzim Basha. Atje e kanë pritur njerëzit e Lulzim Bashës në një shtëpi private". 'Këto na i thoshte Salianji", - u shpreh Alizoti, i cili është i pandehur për kallëzim e rreme me audio-përgjimin "Babale".

Avokati i Agron Xhafës, Ardian Visha, tha se është vërtetuar me ekspertizë italiane që zëri në audio-përgjim ku flitet për trafik droge, nuk është i vëllait të ish-ministrit të Brendshëm. Ndërkohë që kërkoi të mos hiqet dorë nga ekspertimi i zërit të Alizotit.

Ardian Visha: Gjëja e parë që bëmë ka qenë gatishmëria për të dhënë mostra zëri për të provuar që ai nuk ishte i përfshirë në bisedën e sajuar. Bëmë kallëzim dhe te nesërmen e kallëzimit vendosëm dorëzimin në Itali dhe para se të iknim në Itali lamë mostrat e zërit. Pasi kinostudio PD e re sajoji këtë gjë. Kemi bërë dhe ekspertizë private në Itali. Këta zotërit llapnin në media. Zërin e Geron Xhafës ekspertojeni sa herë e ku te doni. Po përse hiqni dorë nga ekspertimi i Zërit të Alfred Alizotit.

Prokurori Genci Qana: Për t'i marrë mostrat e zërit Geron Xhafës i dhamë të lexonte një libër të prokurorit Gentian Trenova asokohe.

Pas vendimit për të ekstraduar në Shqipëri, Albert Veliun, gjykata kërkoi informacion nëse ai ndodhet i arrestuar në Belgjikë apo nëse është në liri, vend ku ai kishte shkuar për të kërkuar azil politik pasi u arratis nga Shqipëria me denoncimin se e gjithë historia ishte një sajesë. Seanca e cila do të zhvillohej me përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë për dokumentin zyrtar se ku ndodhej ekzaktësisht Alber Veliu, u shty pasi Ministria nuk e ka sjellë informacionin në Dhomën Penale, por ka ngatërruar adresën duke e dërguar në Gjykjatën Civile.

Ndërkohë, Indrit Sefa, avokati i Jetmir Olldashit, gazetarit që ka denoncuar për herë të parë historinë, solli si prova në seancë 5 dënime të Alfred Alizotit nga vitit 1990 deri në 2015-ën për të provuar sipas tij, "personalitetin e Alizotit si person që ka probleme me ligjin". Këto vendime u pranuan si prova nga Gjykata dhe u bënë pjesë e fashikullit gjyqësor. Alizoti reagoi duke thënë se ai ato si ka fshehur asnjëherë madje ka edhe një dënim të 6-të në Spanjë dhe e pranon.

Alizoti: Kanë harruar, kam edhe një dënim tjetër në Spanjë e nuk ma kanë nxjerrë. Si kam fshehur dënimet unë

Ndërsa vetë Salianji nga jashtë seancës në një komunikim për mediat u shpreh se shumë shpejt do bëj publike dokumente që tregojnë falsifikimin e këtij procesi.

Deklarata e plote e Ervin Salianjit
Në mënyrë të vazhdueshme kemi denoncuar për falsifikime të herë pas hershme dhe të pafundme të dosjes Xhafaj, sot jemi në një situatë të re, me prova të reja të dala edhe gjatë gjykimit për këtë çështje, në një superskandal, falsifikimit të procesit jo për të çuar para përgjegjësisë denocnduesit e aferave mafioze në Shqipëri, por për të shmangur  nga hetimi për trafik droge të mafias qeveritare dhe Agron alias Geron Xhafaj.

Mos harroni dhe të kthejmë në vëmendje të publikut tonelata me drogë të kapura këto ditë në Greqi dhe lidhjet prej punëmarrësi dhe punëdhënësi me Agron Xhafajn, por për këtë do të kemi një ditë tjetër për të denoncuar sepse ka ikur nga vëmendja e medias në mënyrë të shpejtë.Sot dua t’ju paraqes disa prova të reja, më kryesorja është falsifikimi i aktit të ekspertimit, nga ana e prokurorisë dhe avokatit të Agron Geron Xhafajt.

Më datë 15, sipas prokurorisë në orën 14:15 Agron Geron Xhafaj jep mostrat e zërit Prokurorinë e Tiranës pranë  OPGJ-së, Gabon Vrioni dhe ekspertit të kriminalistikës Dritan Zota. Proçedurialisht është marrë zëri në rregull duke pasur oficerë të policisë gjyqsore, ekspertë kriminalistikë dhe në prani të prokurorit.

Në datë 16, një ditë pasi ne kishim bërë publikimin e skandalit, Agron Xhafaj dorëzohet vullnetarisht për të kryer dënimin në Itali prej 7 viteve dhe 4 muaj burg, pavarësisht se kishte 10 vite që jetonte i lirë në Shqipëri. Për ekspertizë në Itali dhe pas refuzimit të Italisë sepse nuk ishte marrë zëri në mënyrën e duhur nga ana proçeduriale, në Angli nuk dorëzohet dhe nuk dërgohet kampioni i zërit të marra nga ana e prokurorisë Tiranë sipas proçedurës, por dërgohen dy mostra të tjera të marra më 22.07.2018 dhe 25.07.2018, kohë në të cilën Agron Xhafaj nuk ndodhej në Shqipëri, por në burg në Romë.

Në procesverbalin që kemi kërkuar në Gjykatë, të marrjes së mostrave, kemi kërkuar se kush është oficeri apo prokurori, apo eksperti kriminalistik që ka marrë modelet e zërit në Agron Xhafajt, dhe ku i mori. I mori në burg në Romë, apo në Tiranë?

Në dosje është administruar vetëm mostra e marrë më datë 22.07.2018e cila po ju citoj: “Është një bisedë midis Geron Xhafajt me një shtetas tjetër”. Nuk e di se si në burg mund të bëhet një bisedë me një shtetas tjetër dhe këtë e ka dorëzuar vetëm avokati i Geron Xhafajt, Ardian Visha. Pra prokuroria në shkelje të ligjit dhe në falsifikim të plotë, ka çuar për akt ekspertim në Angli jo mostrat e zërit që janë marrë vetë nga ana e prokurorisë, por ka dërguar një mostër zëri e cila nuk dihet nga vjen, nuk është marrë në formën e duhur ligjore dhe për të cilën nuk dihet nëse zëri i regjistruar është i Agron Xhafajt apo është i Alfred Alizotit.

Ekspertiza britanike, për të cilën do t’ju vendos në dispozicion materialin, pasi është refuzuar nga laboratori shtetëror i kriminalistikës italiane për shkak të klësaj shkelje, ka marrë dhe ka analizuar mostrat e zërit të çuara në mënyrë të kundraligjshme nga prokuroria të cilat nuk dihet nëse janë Agron Xhafaj, apo Alfred Alizoti.

Për herë të parë bëjmë publike të katër dënimet që kemi gjetur deri tani të dëshmitarit të rremë, të një prej llumit të shoqërisë që zhytet ditë pas dite Edi Rama, të dëshmitarit të rremë me të cilin kanë shpëtuar nga dënimi një grup të strukturuar kriminal dhe mafioz, Alfred Alizoti, siç po e shihni ka të paktën 4 dënime për vjedhje me dhunë, për pengmarrje, etj.

Në një prej rasteve policia e ka gjetur të stërvitur sepse e ka bërë pikërisht fiks rolin që po kryen sot. Në vendimin e gjykatës thuhet: “Shtetasi Alfred Alizoti, apo Alfred Rama, se njësoj janë, ka krijuar një situatë të rreme me shtetasin Artur Bregu sikur grindeshin me njëri-tjetrin dhe kur janë afruar, kanë vjedhur me dhunë qytetarin në makinë.

Të njëjtin rol që po kryen sot me dëshmi të rreme për llogari të Edi Ramës e ka kryer për llogari të banditëve të tjerë, të llumit tjetër për të vjedhur qytetarët. Dje ka vjedhur qytetarët në mënyrë të drejtpërdrejt, sot bashkë me Edi Ramën dhe me Ballën, Xhafën, Ard Veliun, Andon Markon dhe Alfred Nushin, drejtues të lartë të policisë, kanë krijuar një situatë të rreme për të shpëtuar një grup mafioz nga procedimi penal, dhe kanë devijuar vëmendjen e publikut dhe organeve ligjzbatuese, aty ku nuk duhet të jetë.

Pavarësisht se kemi instistuar në Gjykatë, pavarësisht se kemi çuar kallzim penal, prokuroria nuk merr asnjë masë, qoftë për shpërdorimin e detyrës të bërë nga Balla, Xhafa, Veliu, Marko dhe Nushi, por nuk merr asnjë veprim tjetër, as për shpërdorim detyre të kryeprokurorit Gentian Osmani dhe për t’i çuar ata përpara përgjegjësisë penale, për një rast i cili duhet të kishte çuar prapara hekurave disa prej mafiozëve më të mëdhenj që edhe sot kontrollojnë trafikun e drogës në Shqipëri dhe që dje kishin mbështetjen e ish-ministrit të asaj kohe Fatmir Xhafaj dhe sot kanë mbështetjen e plotë të kryeministrit të Republikës Edi Rama

Shpjegimi i dokumenteve sipas Ervin Salianjit që i publikoi
Dokumentat me nr 1, 2, 3, 4 dhe 6 janë vendime gjykate në kohë të ndryshme që tregojnë disa prej dënimeve të dëshmitarit të rremë Fredi Alizoti. Mbi dëshminë e tij të rreme se ai ka bërë rolin e Agron Xhafajt, është ngritur akuza kundër Ervin Salianjit dhe gazetarit Jetmir Olldashi, duke u shmnagur hetimi për trafik droge i vëllait të Fatmir Xhafës, në atë Ministër i Brendshëm.

Dokumenti nr 5 është nga dënimi i Fredi Alizotit për vjedhje me dhunë. Aty tregohet se dëshmitari I rremë I qeverisë është përsëritës në aktrim për të kryer një krim.

Dokumenti 7 është procesverbali i datës 22 Korrik 2018, nëpërmjet të cilit prokuroria pranon marrjen nga avokati i Agron Xhafajt të një kampioni tjetër zëri nga Agron Xhafaj. Në dokument nuk ka asnjë shpjegim për rrethanat sesi është marrë ky kampion, në një kohë kur pretendohet se Agron Xhafaj është në burg në Itali.

Dokumentat 8, 10, 11 dhe 12 janë pjesë nga akt ekspertimi britanik, që tregojnë se audio e analizuar prej tyre është një regjistrim telefonik I datës 25 Korrik 2018, ku prokuroria pretendon se është Agron Xhafaj, por në dosjen e prokurorisë nuk ka asnjë akt, asnjë procesverbal që të tregojë sesi është marrë ky kampion zëri, kush oficer gjyqësor e ka marrë, kush ekspert kriminalistik apo prokuror ka qenë i pranishëm, siç e kërkon procedura ligjore, në momentin e marrjes së këtij kampioni. Gjatë gjykimit ka rezultuar se nuk ekziston asnjë dokument që të provojë burimin e kampionit të zërit të ekspertuar në Britani dhe nuk dihet sesi ky kampsion është future në dosjen e prokurorisë.

Dokumenti 9 tregon sesi është procedura ligjore e marrjes së kampionit të zërit të Afron Xhafajt. Procedura i përket datës 15 Maj 2018, një ditë përpara se Agron Xhafaj të largohej nga vendi.

G.M.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut, numërohen mbi 90 përqind të votave! Kandidatja e VMRO-së kryeson bindshëm, ku renditën shqiptarët