Ambasada amerikane: Vizat me
Shqipërinë nuk liberalizohen dot

Ambasada amerikane: Vizat me <br />Shqipërinë nuk liberalizohen dot
TIRANË - Ambasada amerikane i është përgjigjur ekskluzivisht pyetjes së televizionit "A1 Report”, mbi deklaratën e djeshme të kryeministrit Sali Berisha në Durrës mbi mundësinë e "heqjes së vizave me ShBA-të falë reformave të thella si me BE-në", si dhe cilat janë kushtet aktuale, në ç'fazë ndodhemi dhe çfarë procedurash nevojiten për të përfituar nga liberalizimi i vizave për të prekur "ëndrrën amerikane".

Sipas argumentimit zyrtar të ambasadës - një përsëritje e rregullave dhe shifrave të njohura edhe më parë  - për një liberalizm të mundshëm vizash nevojitet një nivel refuzimi vizash për vizitorë nën 3 për qind, ndërkohë që Shqipëria ka një nivel refuzimi 40,5 për qind. Më poshtë po botojmë përgjigjen e plotë zyrtare nga Ambasada amerikane në Tiranë:

PËRGJIGJA E PLOTË NGA AMBASADA AMERIKANE PËR "A1REPORT":

“Programi i Udhëtimit pa Vizë (Visa Waiver Program) qeveriset me ligj dhe ekzistojnë një numër kërkesash statusore, që duhen plotësuar përpara se një vend të merret në shqyrtim për anëtarësi në VËP. Ligji aktual kërkon që vendet të kenë një nivel refuzimi vizash për vizitorë prej më pak se tre përqind dhe të hyjnë në marrëveshje për të bashkëndarë mes tyre të dhëna për udhëtarë që paraqesin rrezik për Shtetet e Bashkuara, ndër kërkesa të tjera. Niveli i refuzimit në Shqipëri për vitin fiskal 2012 ishte 40.5 përqind".

SHKURT 2013, SHQIPËRIA S’PËRFITON LIBERALIZM VIZASH ME SHBA-TË

Në fund të muajit shkurt, Kongresi amerikan zhvilloi debatin për projekt-ligjin për liberalizimin e vizave me disa shtete, kryesisht europiane dhe aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për momentin, Shqipëria nuk u bë shtet kandidat, të cilës mund t’i hiqeshin vizat për qytetarët e saj, që të udhëtojnë më lehtë në SHBA. Gjithashtu edhe shteti ynë fqinj, Maqedonia.

Siç njoftoi “Zhurnal” në Maqedoni, kushti kryesor që kërkohet nga SHBA-të është që përqindja e përgjigjeve negative ndaj aplikacioneve për viza nga qytetarët e Maqedonisë mos të jetë më e madhe se 3 %. Aktualisht, shifra e qytetarëve të Maqedonisë, të cilëve iu kthehet negativisht kërkesa për të udhëtuar në SHBA është 20 %.

Nga vendet e rajonit, Greqia është e fundit që ka fituar liberalizimin e vizave për në SHBA në vitin 2010, kurse janë kandidatë aktualë për liberalizim edhe Polonia, Rumania, Bullgaria, Kroacia, Qipro dhe Turqia.

Nga shtetet tjera në botë në këtë program janë futur edhe Australia, Japonia, Korea e Jugut dhe Tajvani. Në mes të shteteve kandidate janë edhe: Izraeli, Brazili, Argjentina, Kili, Paraguaji dhe Uruguaji, kurse për Kanadanë funksionon regjimi special pa viza.

SHQIPËRIA HEQ VIZAT PËR 5 SHTETE

Këshilli i Ministrave miratoi sot listën e shteteve, shtetasit e të cilave do të lejohen të hyjnë pa vizë në Republikëne Shqipërisë për periudhën 25 maj deri në 25 shtator 2013. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës “Për të huajt”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave vendosi që thjesht me pasaportë dhe pa nevojën e një vize të lejohen të hyjnë në Shqipëri shtetasit e Rusisë, Kuvajtit, Katarit, Emirateve të Bashkuara Arabe; Arabisë Saudite dhe Bahrein.

Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Ermal Meta do të bëhet baba

Ermal Meta do të bëhet baba