Ambasadori amerikan në Beograd: Kemi probleme shumë thelbësore me Kurtin

Ambasadori amerikan në Beograd: Kemi probleme shumë thelbësore me Kurtin

Christopher Hill

Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha se Uashingtoni ka “disa probleme shumë thelbësore” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hill u pyet nëse Kurti është i gatshëm të pranojë tri kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

“Mendoj se kemi një problem me zotin Kurti, ai nuk është i gatshëm ta pranojë. Më duket se kemi disa probleme shumë thelbësore me të, nëse ende mund ta konsiderojmë si partner. Por, këtë vendim ia lë ambasadës sonë në Prishtinë”, tha ai.

Gjatë javës, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndruan në Prishtinë dhe Beograd, për të ndihmuar palët që të ulin tensionet.

Dy zyrtarët paraqitën tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja lokale në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.

Escobar tha se raportet mes popullit amerikan dhe kosovar janë të forta dhe nuk do të ndryshojnë, por shtoi se ka sfida në raportet dypalëshe me Kurtin. Ky i fundit, po ashtu e pranoi se ka sfida në raportet dypalëshe me Escobarin dhe Lajçakun.

Hill tha se gjatë takimit me Kurtin, Escobar dhe Lajçak, e kanë informuar atë që duhet "të bëjë disa ndryshime nëse dëshiron të llogarisë te ne si mik dhe partner”.

“Nuk mbaj mend të kem parë ndonjëherë ndarje kaq të thella në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Uashingtonit”, tha ai.

Në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – situata e sigurisë është përkeqësuar qysh më 26 maj, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë marrë zyrtarisht detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

Serbët lokalë në këto tri komuna që atëherë po organizojnë protesta para ndërtesave komunale.

Zgjedhjet e 23 prillit, prej të cilave kanë dalë këta kryetarë shqiptarë, janë bojkotuar nga komuniteti serb.

Më 29 maj, serbët lokalë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, dhe nga përleshjet u plagosën dhjetëra persona nga të dyja palët.

Por, ambasadori Hill tha se ditëve të fundit ka pasur ulje të tensioneve në veri.

“Ka ulje tensionesh sigurisht nga pala serbe, dhe pritshmëria nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara është që Kosova të bëjë një hap në atë drejtim. Një nga ta është që njësitë speciale të policisë të tërhiqet nga veriu. Gjithashtu, kryetarët e komunave duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe kjo duhet të ndodhë në një moment. Dhe çështja e tretë pak më e vështirë, është nëse mund të keni zgjedhje të reja. Nga pala serbe u tha qartë se me rëndësi është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i cili ende është problem për Kurtin. Sepse të gjithë të tjerët e kuptojnë se është e nevojshme”, tha Hill.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar i hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut – dhe për zvogëlimin e pranisë së policisë, por për këtë ai ka kërkuar që “bandat kriminale serbe” ose të largohen, ose të arrestohen. Kryeministri kosovar po ashtu ka thënë se zgjedhjet e reja do të duhej të ishin "demokratike dhe fer" dhe të ketë fushatë të lirë zgjedhore.

Por, ai është ankuar se Escobar dhe Lajçak po vijnë në Prishtinë “me kërkesat e palës tjetër”.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur e hapur për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri. Megjithatë, ajo ka thënë se një kërkesë të tillë mund ta bëjnë vetë serbët, përmes një peticioni që do të duhej të nënshkruhej nga 20 për qind e personave që gjenden në listën e votuesve në veri./REL

A.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Absj: 09/06/2023 00:26

    Cdo propozim ler ulje tensionesh ose zgjidhje problemesh me serbine ka si themel dhenien e veriht serbeve, ckombetarizimin shqiptar dhe eliminimin e sovranitetit kosovar. Pse eshte kjo pune o njesha? Si perfundim o njesha, ambasadore dhe opinioniste publike apo te paguar, cfare eshte faji i Kurtit ketu qe e ben shkaktar te nje trazie dhe pse nuk flitet per terrorizmin serb? Pse injorohen terroristet serbe?

    Përgjigju
  • Mario: 08/06/2023 23:02

    futja e kfor ne veri e ben te pashmangshem negocimin me palen serbe nisur nga rezoluta 1244 ku Kosova nuk njihet ende si shtet. Ky eshte rreziku qe po krijon albin kurti me teper se cdo doreheqje e tij dhe zgjedhje te parakkoheshme ne cfaredo kohe te jete i detyruar ta jap kete lajm

    Përgjigju
    • e drejta: 09/06/2023 12:57

      KRIMINELET serb ( te gjithe si popull ) nuk kane per ta njohur kurre KOSOVEN me Albinin ose pa Albinin...panvarsisht

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar

FOTO/ Kanabis me postë nga SHBA, kush janë dy të rinjtë e arrestuar